Rreth 63.5 për qind e përdoruesve të internetit kanë porositur/blerë mallra ose shërbime online në 12 muajt e fundit, që është për 10 për qind më shumë në raport me 53.5 për qind në të njëjtën periudhë të vitit paraprak
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 janar – Edhe vitin e kaluar ngjashëm si në vitet paraprake, qytetarët në internet kryesisht blinin rrobe përfshirë veshje sportive, këpucë apo aksesorë si çanta dhe bizhuteri. Sipas të analizës Shoqatës së Tregtisë Elektronike të Maqedonisë së Veriut, bazuar në Entin e Statistikave, vihet re një rritje me 10 pikë përqindje e blerjeve apo porosive online. Rreth 63.5 për qind e përdoruesve të internetit kanë porositur/blerë mallra ose shërbime online në 12 muajt e fundit, që është për 10 për qind më shumë në raport me 53.5 për qind në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Të dhënat e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se qytetarët e Maqedonisë po përdorin gjithnjë e më shumë internetin, por ajo që është e rëndësishme – është përdorimi i internetit për dërgimin e e-maileve, për kërkimin e informacionit për produktet dhe shërbimet dhe më e rëndësishmja, për shitjet online si dhe është rritur edhe produktet për internet banking. “Ajo që na intereson më shumë është blerja online, e cila po shënon një rritje prej 10 pikë përqindjeje, si dhe rritje të blerjeve të disa kategorive të produkteve. Oferta e shtuar e promocioneve atraktive dhe shfaqja e lojtarëve të rinj në treg po stimulojnë tregun online dhe gjithnjë e më shumë përdorues të internetit po e përdorin internetin për blerje online”, thekson kryetarja e Shoqatës së Tregtisë Elektronike, Nina Angelovska Stankov.
Për sa i përket gjinisë, gratë kanë më shumë gjasa të flasin dhe të dërgojnë mesazhe instant , si dhe të kërkojnë informacione për produkte dhe shërbime të lidhura me shëndetin, ndërsa burrat kanë më shumë gjasa të përdorin rrjetet sociale dhe të shesin produkte ose shërbime në internet, p.sh: eBay dhe më shumë praktikojnë bankingun online.
Shfrytëzuesit e internetit në vend e përdorin internetin kryesisht për të folur, rrjete sociale… Rreth 94.6 për qind e tyre përdorin internetin për telefonata/video telefonata në internet (nëpërmjet webcam; përdorimi i aplikacioneve, p.sh. Skype, Facetime) krahasuar me 89.2 për qind në vitin paraprak. Njëherësh, 87.6% përdornin mesazhe të çastit, d.m.th. mesazhet, për shembull, përmes Messenger, WhatsApp, Viber kundrejt 75.2 për qind vitin e kaluar. Pjesëmarrje në rrjetet sociale (krijimi i një profili përdoruesi, dërgimi i mesazheve apo gjërave të tjera në Facebook, Instagram, X, etj.) është përjetuar nga 84.2 për qind e përdoruesve të internetit, krahasuar me 76.9 për qind një vit më parë. Është vërejtur gjithashtu një rritje e përdorimit të internetit për pothuajse të gjitha aktivitetet. Ka një rënie të përdorimit të internetit për informacionin e lidhur me shëndetin (lëndimet, sëmundjet, të ushqyerit, përmirësimin e shëndetit, etj.), i cili ka rënë në 55.5 për qind të përdoruesve të internetit krahasuar me 67.7 për qind një vit më parë. Nga ana tjetër, 53.2 për qind e përdoruesve të internetit dërguan/morën e-mail krahasuar me 44 për qind të përdoruesve të internetit vitin e kaluar, 72.5 për qind kërkuan informacione për produktet/shërbimet krahasuar me 54.2 për qind një vit më parë.
Gjithashtu, vërehet rritje e përdorimit të internetit banking në 40 për qind , krahasuar me 32.8 për qind një vit më parë. Siç është raportuar nga shoqata e tregtisë elektronike , 90.2 për qind e amvisërive kanë pasur qasje në internet në krahasim me 88 për qind më parë. Është rritur edhe përdorimi i internetit në 91.2 për qind e qytetarëve të Maqedonisë të moshës 15 deri në 74 vjeç në krahasim me 85.3 për qind një vit më parë. (koha.mk)