E shtunë, 25 Janar, 2025
0.8 C
Skopje

BOJKOT DHE PËRPLASJE! Parlamenti e nis vitin me debate të ashpra ndëretnike

Seanca e 29-të e Parlamentit filloi me bojkotimin e kësaj seance nga ana e LSDM-së, e cila u shpreh se interpelancat do të polarizojnë më tepër diskursin publik, ndërsa sipas tyre, nuk ka nevojë për ndarje të reja mbi bazë etnike. E Majta kërkoi mbështetjen për interpelancë ndaj deputetes Ilire Dauti, ndërsa kjo e fundit vlerësoi këto veprime si tentim për demonstrimin e supremacisë ndaj bashkësive etnike tjera në vend

Ersan PAJAZITI

Shkup, 10 janar – Parlamenti ka nisur punën për këtë vit në një atmosferë të përplasjeve politike, me faktin që në seancën e parë të vitit – në rend dite u gjetën interpelancat e dorëzuara nga koalicioni i Frontit Evropian për punën e katër anëtarëve të Qeverisë – zëvendëskryeministrave Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq, ministrit të Brendshëm. Pançe Toshkovski dhe zëvendësit të tij, Astrit Iseni, si dhe interpelanca për punën e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti.

Në vet fillimin e seancës së 29-të, LSDM vendosi që të mos merr pjesë në këtë seancë për të diskutuar për interpelancat. Përmes një deklarate procedurale, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, deklaroi se LSDM nuk do t’i mbështesë dhe nuk do të votojë për interpelancat ndaj funksionarëve qeveritar, pasi vlerëson se nuk ka nevojë për ndarje të reja mbi bazë etnike. Sipas tij, arsyet për interpelanca nuk duhet të jenë në asnjë rast të lidhura me kontekstin etnik, por vetëm me argumente dhe fakte për punën e një ministri ose funksionari të caktuar.

“Në interpelancat nuk kemi asnjë fjalë se përse nuk merren masa për ajrin e ndotur dhe mosmarrjen e iniciativave nga ministri i Ekologjisë, nuk kemi asnjë fjalë për skandalet në kufirin me Kosovën dhe arratisjen e Ramadani dhe Grubi, nuk ka asnjë fjalë për spastrimet partiake në sektorin e sigurisë dhe largimin e profesionistëve, nuk ka asnjë fjalë përse është amnistuar truproja e Mickoskit”, tha ndër të tjera Spasovski. “E gjithë kjo tregon se qëllimet janë të tjera dhe se po hapen dimensione të reja në lidhje me çështjet etnike”, shtoi deputeti i LSDM-së. Sa i përket interpelancës ndaj deputetes Ilire Dauti, të dorëzuar nga e Majta, në lidhje me projektligjin për mbrojtësit, Spasovski tha se ajo nuk do të zgjidhë problemin, sepse, sipas tij, problemi quhet Afrim Gashi.

“Askush tjetër nuk është fajtor. Kur ligji nuk u vendos në seancë të Komisionit, kryetari sipas Rregullores është i detyruar të autorizojë një anëtar tjetër të Komisionit dhe të caktojë seancën me pikën përkatëse në rendin e ditës. Përgjegjësia dhe personi i vërtetë është Gashi. Interpelanca ndaj kryetarit të një komisioni parlamentar, i cili është pjesë e grupit parlamentar, nuk do të sjellë asgjë”, theksoi koordinatori i grupit parlamentar të LSDM Iliver Spasovskit, kurse pas fjalimit deputetët e LSDM-së dhe koalicionit lëshuan sallën. Ndërkohë, shqyrtimi i interpelancave filloi me atë të dorëzuar nga partia e Majta ndaj kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini Ilire Dauti.

Deputeti i të Majtës, Sashko Jançev gjatë fjalimit të tij, deklaroi se Parlamenti duhet të votojë interpelancën kundër kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografinë dhe Rininë Ilire Dauti, pasi sipas tyre Dauti me bllokimin e Ligjit për Branitellat ka shkelur Kushtetutën si dhe rregulloren e Kuvendit.

“Ajo e ka thyer edhe nenin 62, pargrafin 3 nga Kushtetuta dhe nenin 14, alineja 5 nga ligji për deputetët dhe ka thyer rregulloren e Kuvendit, përkatësisht deputetëve ua ka shkurtuar të drejtën e fjalës dhe ua ka marrur të drejtën të intervenojnë me amendamente ndaj këtij ligji dhe u ka marrë të drejtën të marrin pjesë në punën e Trupave Punues të Parlamentit”, theksoi deputeti i të Majtës, Sashko Jançev, i cili gjithashtu kërkoi nga kryetari i Kuvendit Afrim Gashi. Kjo interpelancë ka për qëllim demostrimin e supermacisë, kërcënimit dhe tendencës për diktat të punës së deputetit që përfaqëson mendim ndryshe, tha deputetja Ilire Dauti.

“Nuk kam marrë fjalë për t’u arsyetuar, por kam marrë fjalë për ta konfirmuar edhe njëherë se nuk do të pranojë që një pjesë e popullsisë të shtypet dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë, edhe pse ata janë pjesëmarrës të barabartë në gjitha proceset e shtetit, e sidomos edhe në të hyrat buxhetore”, deklaroi deputetja e Frontit Europian, njëherit kryetarja e Komisionit kuvendor për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti, e cila u bëri thirrje edhe deputetëve në Parlament që ti vihet fund tendencave për eksploatimin dhe shtypjen e një pjese të popullsisë shtetformuese në këtë vend, duke aluduar për popullin shqiptarë. Për Frontin Europian, kërkimi i shkarkimit të Ilire Dautit nga pozita e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini është e papranueshme, ndërsa sit ë pa vend I cilësojnë edhe akuzat e partive maqedonase se Fronti Europian po ushqen retorikë nacionaliste dhe ndarëse.

“Kush po i bën këto akuza, ata që kanë heshtur kur ka qenë koha për të mbrojtur jetët e qytetarëve tanë, kur kanë pranuar ti lënë qytetarët të përballen me sfida të paimagjinueshme dhe të vuajnë përballë padrejtësive të pashembullta. Ata që sot me një cinizëm të papërmbajtur kërkojnë që të deningrojnë punën e një njeriu të angazhuar që ka punuar për të siguruar më shumë mundësi për të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët”, theksoi deputeti i Frontit Europian Elmi Aziri.

Ndërkohë, para fillimit të seancës, deputetja e Frontit Europian Rina Ajdari shpjegoi arsyet e paraqitjes së interpelancave. Sipas Ajdarit, qeveria ka dështuar të sigurojë bashkëjetesë ndëretnike pas ngjarjeve që kanë të bëjnë me shënimin e Ditës së Flamurit Shqiptar, të cilat sipas saj kanë tronditur stabilitetin dhe harmoninë ndëretnike në vend. Lidhur me interpelancën kundër zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, Ajdari theksoi se Mexhiti nuk ka arritur të mbrojë interesat e komunitetit shqiptar dhe ka toleruar diskriminimin, duke injoruar padrejtësitë ndaj shqiptarëve.

“Mexhiti toleroi diskriminimin dhe injoroi padrejtësinë ndaj shqiptarëve. Mexhiti hesht për diskriminimin dhe poshtërimin që përjeton komuniteti shqiptar dhe nuk ka shfrytëzuar kompetencat e tij për të siguruar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët. Deklaratat e tij që ndihmuan në mbështetjen e një qasjeje selektive ndaj ngjarjeve ndëretnike tregojnë qartë dështimin e tij për të menaxhuar situatën në mënyrë të barabartë dhe të drejtë. Në vend që të ndihmonte në krijimin e mundësive për dialog ndëretnik, ai kontribuoi në përshkallëzimin e krizave”, ka theksuar deputetja e Fronti Europian Rina Ajdari nga press qendra e Kuvendit. Lidhur me interpelancën e dorëzuar kundër zëvendëskryeministrit dhe ministrit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Ivan Stoilkovski, ajo tha se ai ka qenë kundër votimit të vendit për rezolutën e përbashkët me të cilën masakrat masive në Srebrenicë u njohën si gjenocid dhe ka shprehur qëndrime kundër viktimave të gjenocidit. Sa i përket Toshkovskit dhe Isenit, Fronti Europian vlerëson se ata kanë penguar një festë të qetë dhe tradicionale të shqiptarëve. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm