E martë, 17 Qershor, 2025
16.8 C
Skopje

Bosnja po përballet me krizën më serioze që nga viti 1995

Bashkësia ndërkombëtare kryesisht rri duarkryq. EUFOR është duke pritur një thirrje të mundshme për ndërhyrje dhe nuk ka asnjë veprim konkret në nivelin e Bashkimit Evropian, për shkak të bllokadës nga Hungaria dhe Kroacia

Ndërsa Milorad Dodik sfidon bashkësinë ndërkombëtare dhe Republika Srpska flirton me shkëputjen, Bosnja dhe Hercegovina është përsëri në prag të destabilizimit që nuk është parë që nga fundi i luftës së përgjakshme në vitet ’90, raporton “The Guardian”. Në shkurt, anëtarë të një njësie elitare të policisë hungareze, të maskuar si civilë, kaluan kufirin boshnjak dhe mbërritën në Banja Luka. Vetëm në destinacionin e tyre ata veshën uniformat e tyre dhe pozuan krah për krah me anëtarë të maskuar të policisë serbe. Zyrtarisht, ata erdhën si instruktorë.

Jozyrtarisht, prania e tyre u njoftua vetëm pasi media e publikoi lajmin, dhe udhëheqja shtetërore në Sarajevë nuk kishte asnjë ide për këtë. Koha nuk ishte rastësi. Konkretisht, vetëm një ditë më vonë, më 26 shkurt, Presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik u dënua me një vit burg dhe iu ndalua të mbante një detyrë për gjashtë vjet për shkak të lëvizjeve separatiste. Dodik e hodhi poshtë vendimin si “absurditet”, deklaroi se Bosnja dhe Hercegovina “nuk ekziston më” dhe miratoi ligje që ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore në territorin e Republikës Srpska.

VENDIMI

Edhe pse ai pretendoi se nuk do të apelonte sepse nuk e njihte gjykatën, avokatët e tij e bënë këtë gjithsesi dhe një vendim pritet këtë verë. I gjithë ky rast tregoi se Dodik, në momente kritike, mund të mbështetet te udhëheqës autoritarë si Viktor Orbán, i cili, sipas mediave hungareze, madje i dërgoi forca speciale të gatshme për ta nxjerrë jashtë nëse gjërat shkojnë keq. Dodik ka qenë në Moskë tri herë në muajt e fundit dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç e mbështet rregullisht atë. Largim nga pushteti? Ndoshta. Ikje nga vendi? E mundur. Arrestim? Shumë e mundshme. Diplomatët e huaj pohojnë se familja e Dodikut ka kontaktuar tashmë një zyrtar të lartë perëndimor për të rënë dakord mbi kushtet e një tërheqjeje të mundshme nga skena politike.

2 SKENARE

Jasmin Mujanoviç, një politolog nga Bosnja dhe Hercegovina, paralajmëron: “Kjo është kriza më serioze që nga viti 1995. Mund të përfundojë vetëm në dy mënyra, me arrestimin e Dodikut ose arratisjen e tij”. Kishte pasur përpjekje për ta ndaluar atë në prill pas miratimit të ligjeve ekstreme. U lëshuan urdhër-arreste për të, por njësitë speciale serbe bllokuan anëtarët e SIPA-s në Sarajevën Lindore dhe penguan aksionin. Vendimi mbi apelin mund të merret deri në verë, dhe nëse konfirmohet, do të pasojnë zgjedhje të reja në RS dhe ndoshta ardhja e një koalicioni opozitar të gatshëm për të bashkëpunuar përtej vijave kombëtare dhe për t’u rikthyer në rrugën evropiane.

PARASHIKIME TË ERRËTA

Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare kryesisht rri duarkryq. EUFOR është duke pritur një thirrje të mundshme për ndërhyrje dhe nuk ka asnjë veprim konkret në nivelin e Bashkimit Evropian, për shkak të bllokadës nga Hungaria dhe Kroacia. Christian Schmidt, përfaqësuesi i lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën, kohët e fundit paraqiti parashikime të errëta në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Rusët u larguan nga seanca kur ai filloi të fliste, dhe anëtarja serbe e Presidencës së BiH-së, Željka Cvijanoviç, e akuzoi atë për “diktaturë dhe represion”. Ndaj Dodik janë vendosur sanksione nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Austria, Polonia dhe Lituania.

Megjithatë, ai shpresonte për rikthimin e Trump në pushtet dhe heqjen e masave amerikane. Kjo nuk ndodhi. Nëse vendimi konfirmohet, Dodikut do t’i mbetet vetëm një mundësi – të dëgjojë këshillën e tij që dikur ua dha udhëheqësve të kohës së luftës të RS-së kur ata po iknin nga Haga: “Dorëzohuni”. “Ajo që po bëni tani po dëmton drejtpërdrejt popullin serb dhe Republikën Srpska”, i tha atij Igor Crnadak , ish-Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjës dhe Hercegovinës. “Nëse e do popullin tënd, shko në gjykatë dhe mbro pafajësinë tënde atje.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm