E premte, 7 Shkurt, 2025
8.8 C
Skopje

Buka dyfish më e shtrenjtë!

E treta në Evropë dhe e para në rajon! Në Maqedoni krahasuar me vendet tjera të rajonit, çmimi i bukës është dyfishuar. EUROSTAT tregon se në vendet fqinje ka pasur rritje të çmimeve prej 33% në Greqi, 30% në Shqipëri, 45% në Kosovë dhe 54% në Bullgari. Serbia ka parë një rritje prej 39% në prodhimin e bukës në pesë vitet e fundit

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 4 shkurt – Çmimet e ushqimeve në nivel glob kanë ranë në nivelin e tyre më të ulët në pothuajse tre vjet, ndërsa kulmi ishte këtë janar kur u rrit presioni për uljen e çmimit të drithërave dhe mishit, raporton Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO), ndërsa tregon se Indeksi bazë i çmimeve të shportës ushqimore të FAO-s ra me 1.2 pikë në janar krahasuar me dhjetorin, në një mesatare prej 118 pikësh, niveli më i ulët që nga shkurti 2021. Krahasuar me janarin e vitit të kaluar, vlera e tij është 10.4 për qind më e ulët.”Drithërat ranë më së shumti në janar, me 2.2 për qind krahasuar me dhjetorin, duke reflektuar konkurrencën e fortë nga eksportuesit dhe rritjen e ofertës nga vendet e hemisferës jugore. Çmimet e grurit dhe misrit kanë rënë ndjeshëm falë furnizimeve të përmirësuara dhe perspektivave të favorshme të korrjes. Çmimet e mishit ranë ndjeshëm edhe në fillim të vitit, për të shtatën muaj radhazi, me 1.4 për qind krahasuar me dhjetorin, nën ndikimin e ofertës së bollshme nga eksportuesit kryesorë. Çmimet e vajrave bimore dhe qumështit dhe produkteve të qumështit kanë mbetur në nivelin e muajit dhjetor. Vaji i lulediellit është rritur lehtësisht në çmim për shkak të rritjes së kërkesës, ndërsa vaji i sojës dhe farave të rapit janë bërë më të lirë falë furnizimit të bollshëm nga Amerika e Jugut dhe stoqeve në Evropë”, thuhet në raportin e FAO-s.

Krahasuar me fillimin e vitit të kaluar, vajrat bimore në janar kanë qenë 12.8 për qind më të lira, ndërsa qumështi dhe produktet e qumështit kanë qenë 17.8 për qind. Çmimet e sheqerit u rritën përsëri në janar, me 0.8 për qind në krahasim me dhjetorin, për shkak të shqetësimeve se reshjet e dobëta të shiut në Brazil mund të dëmtojnë të korrat e kallam sheqerit dhe perspektivat e pafavorshme të prodhimit në Tajlandë dhe Indi.

Në dallim prej çmimeve në botë, në tregjet e rajonit si dhe në Maqedoninë e Veriut,është shtrenjtuar tej mase për xhepin e qytetarit të zakonshëm. Kjo vërehet edhe me furnizimet e përditshme me prodhime ushqimore ku para disa viteve me 1000 denarë kemi mundur të blejmë shumë më shumë. Këtë e konfirmojmë edhe statistikat zyrtare që tregojnë se ushqimi në tre vitet e fundit është shtrenjtuar me 36 për qind. Kështu, në tre vjet buka është shtrenjtuar mbi 40 për qind, mishi mbi 36 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 39 për qind, frutat me 33 për qind dhe perimet mbi 44 për qind. Edhe artikulli kryesor ushqimor si buka është shtrenjtuar shumë në periudhën e kaluar.

BUKA E SHTRENJTË

Megjithatë, të dhënat e EUROSTAT-it tregojnë se çmimi i bukës në vendet evropiane është rritur ndjeshëm në pesë vitet e fundit. Në vend të parë për rritjen e çmimit të bukës është Hungaria, ku çmimi i bukës është rritur me 113 për qind. Pason Polonia me rritje prej 75 për qind dhe në vendin e tretë është Maqedonia, ku është shënuar rritje prej 65 për qind në bukë. Me fjalë tjera, vetëm në Maqedeni krahasuar me vendet tjera të rajonit, çmimi i bukës është dyfishuar. EUROSTAT tregon se në vendet fqinje ka pasur rritje të çmimeve prej 33% në Greqi, 30% në Shqipëri, 45% në Kosovë dhe 54% në Bullgari. Serbia ka parë një rritje prej 39% në prodhimin e bukës në pesë vitet e fundit.

Ekonomistët thonë se rritja e çmimeve të ushqimeve është një problem shumë më i madh në vendet e varfra, ku shumica e të ardhurave të qytetarëve shkojnë për ushqim. Nëse në vendet e Evropës Perëndimore shpenzohen vetëm rreth 10 për qind e të ardhurave për ushqim, Statistikat Shtetërore tregojnë se në Maqedoninë e Veriut, mbi 40 për qind e parave shpenzohen vetëm për ushqim.

“Arsyeja kryesore pse çmimet e ushqimeve janë rritur kaq shumë vitet e fundit, dhe janë ende në rritje, janë fitimet e korporatave. Sipas EUROSTAT-it, çmimet e ushqimeve në Maqedoni kanë arritur në 75% të mesatares së BE-së. Pagat janë 30%. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër përveç fitimeve të korporatave. Me politikat e gabuara të qeverisë që kanë luajtur gjithashtu një rol të madh në muajt e fundit. Shportat e vjeshtës dhe të Vitit të Ri ishin një dobësi e madhe. Ata vetëm nxitën kompanitë të rrisin çmimet, të çilat kishin qenë kryesisht të ndenjura për disa muaj më parë”, thotë studiuesi ekonomik Branimir Jovanoviq nga Instituti i Vjenës për Studimet Ekonomike Ndërkombëtare.

RRITJE PAGASH

Sipas tij, tani në kushte të një inflacioni të ulët nuk duhet ngrirë çmimet apo ofruar shporta të ndryshme, mirëpo duhet të rriten pagat në përgjithësi si dhe ajo minimale. Ai e mbështet këtë edhe me faktin se shporta sindikale e janarit arritur në 63 mijë denarë që nuk mbulohet as me dy paga minimale. Vlera e shportës minimale sindikale për janar 2025 është 63.252 denarë, krahasuar me vlerën e shportës minimale sindikale për dhjetor 2024, e cila arrin në 62.861 denarë është rritur për 391 denarë. Me një banesë me qira prej 60 metrash katrorë për muajin janar, është 78.627 denarë. Për ushqim dhe pije, Shporta minimale e sindikatës, e cila për janar 2025 është 23.198 denarë në krahasim me dhjetor 2024 (23.075 denarë), është rritur për 123 denarë.

Te ushqimet dhe pijet në Shportën Minimale Sindikale, e cila për janar 2025 është 23.198 denarë në krahasim me janar 2024 (21.007 denarë), është rritur për 2191 denarë ose 10.43%.

Vlera e shportës minimale sindikale për janar 2025 është 63.252 denarë, në krahasim me vlerën e shportës minimale sindikale për janar 2024, e cila është 57.163 denarë, është rritur për 6089 denarë, ose për 10.65 %. Dilemat e fundit në opinion ishin se paga minimale mund të rritet në vend se në 24 mijë denarë nga marsi 2025 në 27 mijë apo 30 mijë denarë si kërkesë e sindikalistëve. Ekzekutivi ka përsëritur qëndrimin se do të pajtohet me pagën minimale për të cilën do të merren vesh sindikatat dhe punëdhënësit, mirëpo nuk ka sqaruar nëse eventualisht do të mbështesë punëdhënësit me subvencione nëse paga minimale rritet përtej 24 mijë denarë. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm