E hënë, 17 Mars, 2025
15.8 C
Skopje

Bukë falas për çdo familje nevojtare

Muaji i shenjtë i Ramazanit tradicionalisht në Tetovë, Gostivar dhe gjithandej aktivizon shoqatat humanitare, njerëzit human dhe bamirës të cilët dalin në ndihmë skamnorëve

Urim HASIPI

Tetovë, 9 mars – Edhe këtë vit, në lagjen Drenovec do të shpërndahet bukë për familjet në nevojë. Sikurse viteve të kaluara, ky aksion organizohet gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, muaj ky që njihet edhe për solidaritet dhe bamirësi. Gjatë këtij muaji , qytetarët ose familjet që kanë nevojë, mund të marrin bukë falas në furrën e bukës Bereqeti në lagjen Drenovec, përballë Gjimnazit 7 marsi. Për të realizuar këtë aksion, janë organizuar donatorë nga lagja Drenovec, të cilët në bashkëpunim edhe me disa mërgimtarë u dali në ndihmë atyre që më ë shumti kanë nevojë. Donarët kanë marrë përsipër të paguajnë bukët për të gjithë ata të cilët për shkak gjendjes së rënduar ekonomike në këtë situatë nuk kanë mundësi t’i blejnë.

“Ky aksion organizohet nga disa banorë të kësaj lagje në bashkëpunim me donatorë të vendit dhe mërgimtarë, të cilët përmes furrës së bukës në këtë lagje sigurojnë bukë për ata që kanë nevojë gjatë këtij muaji.Kjo tregon humanizmin që e kanë këta banorë ndaj kategorive që nuk kanë kushte të mira sociale”, tha Harbin Idrizi, Imam në Xhaminë e re në Lagjen Drenovec.

Ndryshe, në këtë lagje për herë të tetë organizohet ky aksion ku të gjithë ata që kanë nevojë mund të marrin bukë falas. Gjatë viteve të kaluara, sipas informacioneve, maksimum deri në 200 bukë janë ndarë brenda ditës për nevojtarët. Ndërkohë, në organizim të Myftynisë së Tetovës,edhe këtë vit vazhdon tradita e shtrimit të iftareve për studentët. Sipas myftiut të Tetovës Selver Xhemaili, aktiviteti i këtillë organizohet pasi që Tetova është qytet i dy universiteteve dhe ka shumë studentë që vijnë edhe nga jashtë dhe në këtë formë ne kujdesemi që gjatë këtij muaji ata të kenë ushqim pas angazhimeve të tyre gjatë ditës. Këtë organizim për herë të parë e organizon Muftinia e Tetovës, ndërsa në të kaluarën është organizuar nga shoqata tjera.

“Gjatë këtij muaji çdo natë do të ketë iftare për studentët e universiteteve tona dhe ne si myftyni falënderojmë të gjithë donatorët që janë të kyçur në këtë organizim, ndërsa për ne kjo është hera e parë që jemi kyçur pasi që më herët për këtë organizim janë përkujdesur shoqata tjera dhe shpresojmë që të jetë tradicional në vitet e ardhshme”, deklaroi myftiu i Tetovës, Selver Xhemaili.

Krahas këtyre aktiviteve, për banorët në nevojë përkujdeset edhe shoqata “Agimi i Bamirësisë”, e cila tashmë 13 vite me radhë në Tetovë shpërndanë iftare falas për studentet dhe nevojtarët në Tetovë. Nga kjo shoqatë njoftuan se brenda ditës shpërndahen nga një mijë iftare për studentët dhe familjet me status të rrezikuar social, kurse brenda muajit gjithsej do të shpërndahen 30 mijë iftare, sikurse edhe viteve të kaluara. Muaji i shenjtë i Ramazanit tradicionalisht në Tetovë, Gostivar dhe gjithandej aktivizon shoqatat humanitare, njerëzit human dhe bamirës të cilët dalin në ndihmë skamnorëve. Aksione të këtilla çdo ditë organizohen edhe në qytetin e Gostivarit por edhe nëpër fshatra, ku kryesisht donatorë janë mërgimtarët. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm