Në shkurt të këtij viti, deputetët votuan për ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat futet një vepër e re “Përdhunimi i fëmijës nën 15 vjeç”, emri i së cilës më parë ishte “Sulm seksual ndaj të miturit nën 14 vjeç”. Me ndryshimet, disa nga anëtarët e grupit të punës që punoi për ligjin thonë se në fakt ka ndryshuar e gjithë natyra e nenit 188
Llausha ZENUNI
Shkup, 30 tetor – Vendi është tronditur së fundmi nga disa raste të përdhunimit të fëmijëve dhe kjo sigurisht se ka arritur një nivel shumë të madh shqetësimi. Rasti në fjalë ka të bëjë me një 81 vjeçarë nga Shkupi, banor i lagjes Kisella Vodë i cili ka përfunduar në paraburgim gati dy javë më parë pasi dyshohet se ka kryer veprën “akte të tjera seksuale me fëmijë nën moshën 15 vjeçare”. Në njoftimin e prokurorisë thuhet se personi në fjalë e ka shfrytëzuar rastin ku një vajzë e moshës 9 vjeçare i ka kërkuar ndihmë pasi që ishin fqinj ndërsa ai e ka ftuar në shtëpinë e tij dhe e ka prekur.
Në internet ekziston një faqe e cila ndryshe njihet edhe si Regjistri i Pedofilëve, që u krijua njëmbëdhjetë vjet më parë pas miratimit të ligjit për regjistrin e personave të dënuar me vendim të formës së prerë për krime të abuzimit seksual të të miturve dhe pedofilisë, dhe qëllimi ishte sigurimi i mbrojtjes së fëmijëve duke vënë në dispozicion informacione për personat që kanë ndoshta kanë jetuar pranë tyre, të cilët janë ose kanë qenë pedofilë të dënuar. Kontrolli i regjistrit mund të bëhet me emër dhe mbiemër, adresë ose qytet dhe publikohen fotografitë e të dënuarve, vendbanimi dhe dënimi që kanë marrë. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e cila është përgjegjëse, thonë se po punohet për ndryshimin e ligjit për regjistrat për shkak të ndryshimeve në kodin penal të ndodhura në fillim të vitit, i cili ndërhyri në nenet që lidhen me çështjet e abuzimit seksual të fëmijëve.
Në vitin 2018, mediat njoftuan se uebsajti i regjistrit kishte kohë që ishte “dështuar” dhe arsyeja atëherë ishte se nuk mirëmbahej rregullisht. Pas presionit mediatik u rikthye në përdorim. Ambasada e parë për fëmijë “MEGJASHI” thotë se përkundër faktit se pedofilët e dënuar janë të publikuar në regjistër prej më shumë se dhjetë vitesh, nuk ka rënie të numrit të fëmijëve që janë viktima të pedofilisë. “Regjistri nuk ka ndihmuar aq sa kemi pritur. Përkundrazi, ai përkeqësoi strukturën tashmë të pambrojtur të fëmijëve që zakonisht janë viktima të të afërmve, miqve dhe shumë shpesh edhe të familjes. Ai e bëri situatën edhe më keq sepse fëmija viktimë duhet të dëshmojë publikisht se çfarë i ka bërë babai, xhaxhai apo daja, i cili më pas duhet të publikohet në internet dhe kështu të targetohet e gjithë familja”, ka thënë Dragi Zmijanac, drejtori i “Megjashi”.
Nga ana tjetër, Ministria pohon se është një masë pozitive për sigurinë e të gjithë fëmijëve sepse në këtë mënyrë bëhet parandalimi parësor dhe ndërgjegjësimi për pasojat e mundshme, sanksionet dhe parandalimi i autorëve të mundshëm.
Në shkurt të këtij viti, deputetët votuan për ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat futet një vepër e re “Përdhunimi i fëmijës nën 15 vjeç”, emri i së cilës më parë ishte “Sulm seksual ndaj të miturit nën 14 vjeç”. Me ndryshimet, disa nga anëtarët e grupit të punës që punoi për ligjin thonë se në fakt ka ndryshuar e gjithë natyra e nenit 188.
Nëse shikohen ndryshimet, vërehet se kufiri i moshës për “fëmijë” është rritur me një vit, pra nëse deri më tani personat që dhunonin një të mitur nën moshën 14 vjeç dënoheshin për “pedofili”, nga shkurti e njëjta vepër dënohet për keqtrajtim ndaj një fëmije që nuk ka mbushur moshën 15 vjeç. Por nga ana tjetër, nëse më aktet e tjera seksuale ndaj një të mituri nën moshën 14 vjeç dënoheshin me të paktën 12 vjet burg, tani dënimi minimal është 8 vjet. (koha.mk)