E shtunë, 22 Mars, 2025
4.8 C
Skopje

Bulevardi pa semaforë!

Shkaku i mjeteve të papaguara nga e kaluara, ka pasur zhagitje. Këtë javë na premtuan se pjesën elektronike e kanë vendosur krejt dhe kanë mbetur vetëm këta shtylla të këmbësorëve anësore”, tha Muhamet Etemi, udhëheqës i Sektorit për rrugë dhe tokë ndërtimore

Urim HASIPI

Tetovë, 7 mars – Edhe përkundër shumë premtimeve, megjithatë ende po zvarritet vendosja e semaforëve në bulevardin “Bllagoja Toska”. Nga Komuna e Tetovës kishin premtuar disa herë se do të vihen në funksion semaforët, por edhe sot e kësaj dite, të njëjtit ende nuk punojnë. Kështu që,udhëkryqi në bulevardin “Bllagoja Toska” dhe në rrugën “29 nëntori” është një ndër vendet më të rrezikshme në Tetovë në aspektin e sigurisë në trafik. Edhe pse tash e 13 muaj ka përfunduar tenderi për vendosjen e semaforëve, megjithatë ky udhëkryq ende vazhdon të mbetet pa semafor.

Nga Sektori për rrugë dhe tokë ndërtimore së fundmi na thanë se në këtë Bulevard, punët janë duke vazhduar edhe këtë javë dhe pritet të përfundojnë brenda dy jave.

“Vonesat janë për shumë shkaqe, janë bërë për disa shkaqe objektive dhe subjektive të operatorit dhe ne ishim në kontakt javën e kaluar. Shkaku i mjeteve të papaguara nga e kaluara, ka pasur zhagitje. Këtë javë na premtuan se pjesën elektronike e kanë vendosur krejt dhe kanë mbetur vetëm këta shtylla të këmbësorëve anësore”, tha Muhamet Etemi, udhëheqës i Sektorit për rrugë dhe tokë ndërtimore. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, premtoi se pas përfundimit të semaforëve do të dalin në terren dhe do të inspektohen punët në bazë të kontratës. Sipas Kasamit të gjitha punët dhe pajisjet që janë paraparë në kontratë do të realizohen.

“Instalimi i semaforëve është bërë në bazë të kontratës dhe nëse nuk respektohet kontrata natyrisht se ka edhe penalizime, por sigurojmë opinionin se ai semafor është duke u vendosur në bazë të asaj që është paraparë”, deklaroi Kasami. Me hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska” ky udhëkryq u shndërrua shumë i rrezikshëm për automjetet pasi që rruga 29 nëntori ishte rrugë me përparësi kalimi dhe më pas kaloi në rrugë dytësorë, duke bërë që edhe të rriten numrat e aksidenteve. Për gjendjen në këtë rrugë kanë reaguar edhe banorët e kësaj lagje por edhe subjektet politike të cilët shprehin shqetësimet e tyre lidhur me aksidentet e vazhdueshme që ndodhin në rrugë.

Vendosja e semaforëve kishte qenë një sugjerim edhe i policisë së Tetovës me qëllim që të parandalohen aksidentet. Në Tetovë përveç bulevardit “Bllagoja Toska”, si rrugë e pasigurt për kalimtarët dhe pjesëmarrësit në trafik, është edhe rruga industriale tek e cila jo rrallë herë, ka pasur edhe aksidente fatale. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm