E mërkurë, 19 Mars, 2025
8.8 C
Skopje

Çdo ditë e më pak foshnja!

Një dinamikë e uljes së natalitetit dhe rritjes së mortalitetit për afër 10 për qind vërehet edhe gjatë vitit 2024 në krahasim me vitin 2023. Sipas zyrës të drejtorisë të Librave Amë në Dibër, vitin e kaluar janë regjistruar 240 lindje. Nga numri në fjalë, 170 lindje janë regjistruar në qytetin e Dibrës dhe 70 në fshatra. Ky numër viteve më parë ka qenë shumë më i lartë, por nga viti në vit migrimi i popullatës drejtpërdrejt ka ndikuar në uljen e natalitetit

Vjollca SADIKU

Dibër, 5 mars – Nga viti në vit, në komunën e Dibrës ka ndryshime në natalitetit dhe mortalitetit. Në dy dekadat e fundit vërehet rritje e mortalitetit dhe ulje e natalitetit. Të dhënat e institucioneve kompetente thonë se mbi 20 për qind ka rritje në mortalitetin dhe mbi 30 për qind ka ulje në natalitetin në qytetin e Dibrës me rrethinë, ndërsa si shkak kryesor për këtë dukuri përmendet migrimi masiv dhe plakja e popullatës, si dhe mënyra e jetesës, shkruan gazeta KOHA.

Një dinamikë e uljes së natalitetit dhe rritjes së mortalitetit për afër 10 për qind vërehet edhe gjatë vitit 2024 në krahasim me vitin 2023. Sipas zyrës të drejtorisë të Librave Amë në Dibër, vitin e kaluar janë regjistruar 240 lindje. Nga numri në fjalë, 170 lindje janë regjistruar në qytetin e Dibrës dhe 70 në fshatra. Ky numër viteve më parë ka qenë shumë më i lartë, por nga viti në vit migrimi i popullatës drejtpërdrejt ka ndikuar në uljen e natalitetit. Në Dibër pothuajse është përgjysmuar numri i të rinjve në krahasim me dy dekadat e fundit. Të theksojmë se numri i lindjeve mbi 90 për qind është realizuar në spitalet e komunave fqinje siç janë Struga, Ohri, Gostivari, Tetova dhe Shkupi.

Sa i takon mortalitetit, edhe në vitin 2024 ka një rritje. Burimi në fjalë ka informuar se vitin që kaloi, numri i personave që kanë ndërruar jetë ka qenë 126. Nga ky numër, në Dibër kanë ndërruar jetë 108 persona, kurse në fshatrat e Dibrës 18. Të dhënat tregojnë qartë se vazhdon të rritet mortaliteti. Në Myftininë e Dibrës, si dhe në zyrën në fjalë, potencojnë se vite më parë, mesatarisht numri i personave që ndërronin jetë brenda një viti ishte mes 80 dhe 100 persona, por për shkak të plakjes së popullatës, viteve të fundit është shënuar rritje e mortalitetit.

Vetëm një pjesë e vogël e lindjeve që realizohen nga nënat dibrane që jetojnë në diasporë në SHBA dhe shtetet të Bashkimit Evropian i regjistrojnë fëmijët edhe në Dibër. Në institucionin në fjalë potencojnë se numri më i madh i vdekjeve në Komunën e Dibrës është regjistruar në vitet e pandemisë Kovid 19, edhe atë mbi 250, meqë edhe në Dibër dhe fshatrat e saj pati shumë viktima gjatë pandemisë. Sipas shoqatave qytetare në Dibër, të cilët realizojnë projekte në sferën e natalitetit dhe mortalitetit në Dibër, pritet që edhe në vitet në vijim, të ketë ulje të natalitetit dhe rritje të moralitetit. Si shkaqe, shoqatat qytetare përmendin uljen e lindjeve në familjet, por edhe migrimin masiv të të rinjve. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm