Sekretari gjeneral pranë Forumit Rinor Islam (FRI) Abdulhamid Mustafa tha për gazetën KOHA se ka periudha të ndryshme ku rritet apo ulet dëshira për tu aktivizuar, më tepër varet prej dëshirës apo karakterit të të riut se ku ai apo ajo e sheh veten për të dhënë një kontribut vullnetar në një periudhë të caktuar në OJQ apo në shoqëri në përgjithësi
Anëmsha SHABANI
Shkup, 7 qershor – Vullnetarizmi i të rinjve në vend përbën një aspekt të rëndësishëm të angazhimit shoqëror dhe zhvillimit personal. Megjithatë, siç duket interesimi për vullnetarizëm mes të rinjve ka ardhur duke u zbehur vitet e fundit. Sipas ekspertëve, kjo prirje shqetësuese është pasojë e disa faktorëve, përfshirë mungesën e aktiviteteve tërheqëse, ndarjen e pabarabartë të fondeve për projekte vullnetare, dhe mungesën e ndërgjegjësimit për përfitimet e vullnetarizmit. Ndërkohë, sekretari gjeneral pranë Forumit Rinor Islam (FRI) Abdulhamid Mustafa tha për gazetën KOHA se ka periudha të ndryshme ku rritet apo ulet dëshira për tu aktivizuar, më tepër varet prej dëshirës apo karakterit të të riut se ku ai apo ajo e sheh veten për të dhënë një kontribut vullnetar në një periudhë të caktuar në OJQ apo në shoqëri në përgjithësi. “Zbehja e interesimit tek të rinjtë për t’u kyçur në angazhimet vullnetare është evidente dhe duhet të merren parasysh disa faktorë të cilët e kanosin shoqërinë, ndër to po i veçoj disa edhe atë: mungesa e idesë për t’i ofruar ndonjë aktivitet shoqërisë, ndarja jo e barabartë e fondeve për mbështetje të projekteve nga institucionet, mos interesimi për t’u kyçur në projekte, mungesa e menaxhimit të vetes në kohë etj”, tha ai.
Ai shtoi se ndokush shpreh interes për t’u kyçur në vullnetarizmin e humanitetit, e disa të tjerë në përpilimin e strategjive të ngritjes intelektuale të të rinjve, e disa të tjerë në aktivitetet me karakter kulturor, e tek disa shfaqet vullnetarizmi në bazë të ndonjë rasti që mund të shfaqet papritmas.
Ndërkaq, edhe pse angazhimi vullnetar përfshin individët që gjejnë kohë për të kontribuar në komunitet përveç angazhimeve të përditshme, ajo shpesh ndikohet negativisht nga destabiliteti ekonomik që frenon të rinjtë në marrjen e nismave vullnetare. “Vet angazhimi vullnetar jep një përkufizim në bazë të cilës ju dedikohet personave të cilët përskaj angazhimit të zakonshëm ditor, ata gjejnë kohë të lirë të cilën e disponojnë dhe e menaxhojnë duke ju dedikuar punës vullnetare, por mbi gjithash ndikon edhe çrregullimi ekonomik që e vështirëson stabilitetin jetësor dhe kjo reflekton dukshëm në pasivizimin e të rinjve për tu marrë me vullnetarizëm”, theksoi Mustafa.
Megjithatë, çdo organizatë në vend ka një përvojë të ndryshme për sa i përket vullnetarizmit. Për disa, numri i vullnetarëve është solid, ndërsa të tjerë kanë vështirësi në gjetjen e vullnetarëve. Disa besojnë se të rinjtë janë të motivuar për të marrë njohuri, kontakte dhe përvoja të reja, ndërsa të tjerë shpjegojnë se largimi i të rinjve për punë sezonale jashtë vendit kontribuon në mungesën e interesit për vullnetarizëm.
Nga ana tjetër, Zoran Ilieski nga Koalicioni SEGA thotë se të rinjtë para së gjithash dëshirojnë të dalin jashtë kufijve të vendit dhe të punojnë gjatë verës në turizëm dhe hoteleri. “Nga pikëpamja e vullnetarizmit, interesimi ka rënë me shpejtësi, sidomos për shkak të punës gjatë verës në Kroaci. Dëshira është të fitosh në vend të fitimit të përvojës dhe njohurive. Interesi ka rënë. Kemi dy pozicione vullnetare për të cilat prej tre muajsh nuk mund të gjejmë njerëz për të dalë vullnetarë. Fokusi i të rinjve është që gjatë verës të shkojnë në punë”, shpjegon Zoran Ilieski, drejtor ekzekutiv i Koalicionit SEGA. Ndryshe, nëpërmjet programit të vullnetarizmit të Kombeve të Bashkuara (OKB), të dhënat mblidhen në nivel global dhe mund të bëhet një vlerësim i përafërt i numrit total të vullnetarëve, arsyet e përfshirjes në vullnetarizëm dhe format kryesore të vullnetarizmit. Vlerësohet se rreth 15 për qind e popullsisë së punës është e përfshirë në disa aktivitete vullnetare joformale që nuk përfshijnë keqpërdorim të punës ose punë të papaguar. Më shumë se gjysma e vullnetarëve nga gjithsej mbi 800 milionë janë në Azi dhe Paqësor, pra mbi gjysmë miliardë njerëz janë të angazhuar në aktivitete vullnetare, ndërsa në rajone të tjera përfaqësimi është më i ulët. (koha.mk)