Kurti e hapi zemrën dhe tregoi se çka po ndodh me dialogun dhe si po sillen emisarët evropianë… Edhe nëse nuk ndryshojnë gjërat, të paktën të mos mbetet pa u thënë
Nga Daut DAUTI
1. E kam pas dëgjuar meselen për “çervishin”, po me thënë të drejtën(mos ma zini për të madhe!), nuk e kam ditur çka është çervishi! Çervishin e përdorin në Kosovë. Shumë vonë e kam kuptuar se ai është e njëjta gjë që ne në Maqedoni i themi “mihane”. Ama porosinë e përrallës fare të shkurtër popullore, e kam kuptuar qëmoti. Vjen një mysafir në një shtëpi, ku e presin bujarisht, i bëjnë muhabet, e gostitin dhe ia bëjnë të gjitha sajgitë… Mirëpo, ai vëren se çervishin që ia kishin shtie groshës, nuk kishte qenë i kripur sa duhet dhe i kishte mbetur ajo shije e pa shije. Por hesht, çka ka të flasë mysafiri për këtë… Mirëpo, të nesërmen, kur e përcjellin, nuk rri pa i thënë nikoqirit të tij: Bëmë muhabet, hëngrëm, pimë, s’ka si më mirë…veç dua të them, ai çervishi i i gjellës, kishte qenë pak si pa kripë!
Kjo mesele se ç’ma kujtoi Albin Kurtin dhe takimin e dështuar të fundit në Bruksel! I dështuar jo me Vuçiqin, se s’ka çka pritet prej tij, por me BE-në, ose më saktë, emisarin e dialogut, Llajçak, i cili kishte qenë “më tepër” se ndërmjetës, të paktën kështu u fitua përshtypja. Pas takimit të 14 shtatorit, pasoi rituali i zakonshëm kush thumbit, e kush patkoit, u përsëritën edhe tezat që i dëgjojmë në kor si akuzë ndaj kryeministrit të Kosovës që nuk po e përmbush obligimin e krijimit të Asociacionit… Kurti kësaj radhe nuk u kënaq vetëm me interpretimin e qëndrimeve të kundërta, por shkoi një hap më tej. Pikërisht të tregojë se ai “çervishi” që po ia përgatisin në Bruksel, vërtet është i pa kripë.
Nëse është ashtu siç e tregoi duhej patjetër ta thoshte, të mos e fuste kokën si struci në zall. Nëse Kurti e ka ndjesinë se diçka po i punohet pas shpine, atë barrë duhej ta shkarkonte dhe t’ia lehtësonte vetes, e në anën tjetër, edhe t’ia bëjë me dije publikut kosovar dhe atij ndërkombëtar. Sidomos këtij ndërkombëtar, që në ndërmjetësimin e dialogut, nëse nuk mund t’i prinë së drejtës që është në anën e Kosovës, të paktën të mos mbajnë anën e Serbisë dhe të ruajnë njëfarë neutraliteti ndaj palëve. E Kurti kishte shumë dyshime për Llajçakun, se është në union me Vuçiqin.
“Në takimin e parë nuk arritëm një mirëkuptim. Qëndrimi i zotërinjve Borrell dhe Lajçak që sekuencimi duhej të bëhej në një mënyrë të tillë që të ishte e pranueshme edhe për Serbinë, që e donte Asociacionin dhe heqjen e njohjes de facto”.
“Lajçaku dhe Vuçiqi ishin koordinuar me një qëllim, të bëjnë të pamundurën një skenar në të cilin marrëveshja zbatohet në plotësi, dhe t’i japin jetë një skenari, ku e vetmja e marrëveshja zbatohet, ajo pjesa marrëveshje së mirë evropiane, mospërfaqësimi i njërës tjetrës në marrëdhënie ndërkombëtare mos të pranohet asnjëherë”.
Këtë që e tha Kurti katër ditë pas takimit në Bruksel, pak a shumë e përsëriti edhe në “letrën sqaruese” sekretarit Blinken, kancelarit gjerman Sholz, presidentit francez, dhe kryeministres italiane Meloni, ku ai e akuzon Llajçakun si “emisar që e ka deformuar procesin”, i cili nuk është i përqendruar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike, por duke lejuar që qerrja të vihet para kalit, që Asociacioni njëherë e pastaj shohim. Dhe ky deformim i procesit i zbatimit është i shoqëruar edhe me një padrejtësi fundamentale.
Tonet dramatike që përshkuan reagimin e Kurtit, duhej të jepnin një alarm edhe për bashkësinë ndërkombëtare, edhe se po ecin punët, me qëllim të një vetëdijesimi të tyre se në emër të një qëllimi gjeostrategjik, nuk mund të shkelet mbi principe. Sepse, principet kaherë po shkelen pamëshirshëm, që nga insistimi që Kosova ta realizojë asociacionin e të mos marrë njohje formale nga Serbia (gjë të cilën Serbia tash me të madhe po e kapitalizon me arrogancë duke mos e përfillur fare Marrëveshjen e Ohrit, e cila nuk e ka vetëm një pike dhe vetëm obligim të njërës pale).
Fakti që si duket, nga këto tone dramatike nuk u trandën as Parisi, as Uashingtoni, vetëm tregon ironinë se çka do të thotë të futesh vetë në grackë, duke kalkuluar pikërisht me faktorin kohë. Të ishin bërë gjërat me kohë, sot Kosova do të ishte në avantazh në tavolinë.
Ironia qëndron në faktin se Kurtit “i dha të drejtë” vetë Vuçiqi, i cili tregoi qartë se përpjekjet e perëndimit për ta kthyer nga vetja, janë të kota, duke thënë se nuk e ka ndërmend të vë sanksione Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë. Poashtu haptaz dhe drejtpërdrejtë kritikoi edhe presidentin amerikan, Bajden për pozicionin e tij ndaj Kosovës, ndërkaq Escobari i Bajdenit, u përpoq ta ironizojë Kurtin se nuk mundet një vend prej një milionë e gjysmë t’i tregojë një bashkësie ndërkombëtare qindra milionëshe se si duhet të ndërtohen politikat! Në popull mirë kanë thënë ujku qengj nuk bëhet, urtësi këtë që nuk do ta kuptojë BE-ja, e çuditërisht edhe përfaqësuesit e politikës amerikane në Ballkan.
Duket sikur Kurti përpiqet të dalë dhe ta ndalë ortekun. Një pjesë e këtij orteku, përbën fjalët e premtimet e dhëna dikur përballë realitetit të tashëm, dhe tjetra, një bindje që po ushqehet në perëndim se për të pasur sukses një marrëveshje, duhet të lëshojë pe më i dobëti! Formulë e sprovuar, por jo e drejtë!
2. Maqedonia është ndër shembujt më të avancuar në rajon për përdorimin e gjuhëve, sidomos pas vitit 2019, kur edhe shqipja u bë pothuajse e barabartë në komunikimin zyrtar me maqedonishten. Mirëpo, një është ta kesh të drejtën ta përdorësh, dhe krejtësisht tjetër është niveli i kulturës gjuhësore i zbatuesve të gjuhës(duhet të punohet shumë më tepër në krijimin e shprehive dhe përvojës), që paralelisht reflektohet edhe te media. Këtu ndërhyn edhe “teknologjia”(interneti) për t’ua lehtësuar edhe më shumë shkruesve dhe përkthyesve, mirëpo, një pakujdesi e vogël, ose një shpërqendrim i vogël, mund të bëjë të të përvidhen gabime të palezetshme, si ky që ishte të enjten në disa media shqipe(ku besoj se nuk kanë lektorë që do të duhej t’i kishin), ku ia kanë vënë në gojë ministrit të ekonomisë shprehjen “birrë bionde” në kontekst të lirimit të çmimeve të disa produkteve.
Sigurisht përkthyer nga maqedonishtja nga “svetlo pivo” ose “zholto pivo” me Google Translate dhe na e bëjnë birrën bionde (“flokëverdhë”)!
Ky është një lapsus për të bërë shaka, por nuk është shaka që të përvidhet ndonjë gabim nga pakujdesia gjatë përkthimit të dokumenteve zyrtare, ligjeve, akteve nënligjore, vendimeve…të cilat të japin kontekst krejtësisht të gabuar. Një zëvendësministër ishte kritikuar pse e kishte shkruar një “ë” tepër, që gjithsesi vërejtja mbante, por këto janë gabime banale, kundrejt atyre përmbajtësore, siç është bie fjala diskrepanca midis versionit maqedonisht të Ligjit për Pushtet lokal të para 20 vjetëve, dhe atij shqip, sepse termi ”gradonaçalnik”nga pakujdesia ishte shkruar “prefekt” që është krejt diçka tjetër! Madje dhe në disa komuna edhe në pllakat në emrin zyrtar ishte shkruar ashtu!(Shpresoj ndërkohë të jenë korrigjuar). Prandaj, te përdorimi i gjuhës shqipe politika e ka kryer detyrën, iu ka mbetur atyre që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe medias që ta shkruajnë sa më mirë.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)