Partitë populiste, si AfD në Gjermani, po gëzojnë popullaritet në rritje në mbarë botën. Ato i shpallin luftë shoqërisë së hapur, pluraliste, e gjithmonë flasin për elita që punojnë kundër popullit. Çfarë pritet më tej?
Nga Hans PFEIFER
Populizmi ka shumë fytyra, por modeli është gjithmonë i njëjtë. Pavarësisht nëse është botëkuptimi i Donald Trump në SHBA, Narendra Modi në Indi apo politikani iAfD, Björn Höcke në Gjermani- gjithmonë flitet për të ashtuquajturat elita që punojnë kundër popullit. Flitet për zhvlerësim të pjesëve të shoqërisë si gjoja armiq të popullit. “Ata” kundër “neve”. Ata “atje lart” kundrejt nesh “këtu poshtë”.Kriza klimatike, luftërat, digjitalizimi i përshpejtuar – lëvizjet populiste i premtojnë shpëtim një shoqërie për një kohë të shkurtër. Votoni për ne dhe gjithçka do të jetë më mirë, gjithçka do të kthehet në kohët e së shkuarës gjoja më të mirë. Ata e paraqesin veten si liderë të fortë, karizmatikë që do të rregullojnë të gjitha dhe gjithçka. Kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe të drejtës, ata i shpallin gjykatat dhe institucionet e tjera demokratike armiq të popullit.
DËSHIRA PËR NJË LIDER
Drejtuesi i Alternativës për Gjermaninë, AfD, për Tyringi Björn Höcke flirton edhe me rolin si “shpëtimtar i Gjermanisë”. Dëshira e gjermanëve për një person historik që një ditë do të shëronte të gjitha plagët e njerëzve, do të kapërcente ndasitë dhe do t’i vendoste gjërat në rregull, është ngulitur thellë në shpirtin tonë. Unë jam i bindur për këtë, shkruan Höcke në librin e tij “Kurrë në të njëjtin lum dy herë”. Höcke bëri edhe një film për të, që e stilizon si perandorin e paqes Friedrich Barbarossa, i cili është kthyer dhe është zgjuar pas një gjumi të gjatë në një shpellë në Kyffhäuserberg, për të shpëtuar perandorinë me ndjekësit e tij besnikë.
Rritja e partive populiste është kthyer në një sfidë serioze për shtetet demokratike. Kështu mendon edhe politologu i shquar gjerman Hans Vorländer. “Ajo që shohim është se vlerat qendrore të populistëve të krahut të djathtë vihen në pikëpyetje, si barazia, dinjiteti njerëzor apo e drejta për liri nga diskriminimi”, thotë ai. Vorländer ka shumë vite që studion fenomenin e populizmit. “Është e nevojshme që të kuptojmë se partitë populiste të djathta nuk do të zhduken thjesht. Duhet të mësojmë të përballemi me to,” analizoi ai në një intervistë për DW. “Në Gjermani është më e vështirë se në vendet e tjera, sepse ne kemi parë që forca të tilla mund të shkatërrojnë demokracinë,” thotë ai.
RREZIKU PËR INSTITUCIONET DEMOKRATIKE
Shkencëtarët, politikanët dhe vëzhguesit politikë në mbarë botën paralajmërojnë për cenueshmërinë e shoqërive të hapura. Sulmi në Kapitol në Uashington nga mbështetësit fanatikë të Trump më 6 janar 2021 tregoi se sa aktuale ishin këto paralajmërime. Në Gjermani, ka gjithnjë e më shumë dëshmi se sa e rrezikshme mund të jetë AfD për shtetin kushtetues. Në fillim të shtatorit, AfD, një parti ekstremiste e djathtë, u zgjodh për herë të parë në historinë e Republikës Federale si forca politike më e fortë në Tyringi, pra më e forta në një land. Björn Höcke u festua nga mbështetësit e tij.
Në seancën e parë parlamentare pas zgjedhjeve, partia tregoi se si do të sillej në rast fitoreje. Takimi i parë u drejtua nga një politikan i AfD-së, i cili nuk e përfilli vullnetin e deputetëve. Kjo u ndal më pas nga Gjykata. Por pavarësisht nga të gjitha hulumtimet mbi rreziqet dhe pavarësisht të gjitha raportimeve në media për gënjeshtra, teori konspirative dhe propagandë të rrezikshme të përhapur nga populistët, rritja e tyre vazhdon. Pra, çfarë duhet të bëhet?
INVESTIMET – NJË ZGJIDHJE PËR PROBLEMIN?
Instituti për Ekonominë Botërore nga Kieil ka propozuar një zgjidhje interesante për Evropën – investimet. Instituti analizoi ndikimin e investimeve publike në rajonet ekonomikisht të dobëta të Evropëstek partitë populiste të krahut të djathtë. Rezultati i studimit të prillit 2024 është: Në rajonet e mbështetura, pjesa e votave të partive populiste të krahut të djathtë ra me 15 deri në 20 për qind. E thënë thjesht, autorët e studimit arrijnë në përfundimin: “100 euro e financimit rajonal të BE-së për kokë banori, redukton përqindjen e votave të partive populiste të krahut të djathtë në një rajon mesatarisht me 0,5 pikë përqindjeje”.
Studiues si Hans Vorländer i Universitetit Teknik të Dresdenit pajtohet, se duhet të investohet shumë më tepër në edukimin politik, nëse duam të mbrojmë të rinjtë në veçanti nga ofertat populiste në mediat sociale. Sipas Vorländer, do të jetë më e vështirë për partitë demokratike të arrijnë votuesit në zgjedhjet paraprake, sepse ato do të humbnin fuqinë e tyre të integrimit. “Ne duhet të shohim se demokracia partiake po humbet strukturën dhe fuqinë e saj. Demokracia partiake po shndërrohet në demokraci të lëvizshme, e cila është shumë më e paqëndrueshme”. Björn Höcke flet në një tubim parazgjedhor, në foto edhe një flamur gjerman me kryq Björn Höcke flet në një tubim parazgjedhor, në foto edhe një flamur gjerman me kryq.
ANGAZHIMI I QYTETARËVE
Ekspertët kërkojnë që njerëzit të përfshihen më shumë në vendimmarrjen politike edhe në kohën ndërmjet zgjedhjeve. Sociologu Steffen Mau, për shembull, është në favor të të ashtuquajturve këshilla qytetarësh, në të cilët qytetarët bashkërisht merren me një çështje politike për një periudhë të gjatë kohore dhe bëjnë propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve. Kjo synon të zbusë pozicionet ekstreme. Gjermania po diskuton edhe masën përfundimtare kundër kërcënimeve ndaj demokracisë: procedurat ligjore për ndalimin e AfD.
Gjykatat, shërbimet e sigurisë dhe organizatat civile kanë vite që konfirmojnë dhe mbledhin prova për rrezikun që paraqet kjo parti. Një ndalim i tillë partiak ka pengesa të mëdha ligjore në Gjermani. Ajo duhet të kërkohet nga Bundestagu, Bundesrati ose qeveria federale. Më pas shqyrtohet në gjykatën më të lartë të Gjermanisë: Gjykatën Kushtetuese. Në historinë e Republikës Federale, partitë janë ndaluar vetëm dy herë. Hera e fundit ishte në vitin 1956. Politologu Hans Vorländer beson se një kërkesë e tillë është e justifikuar: “Partitë demokratike duhet ta bëjnë të qartë se janë të gatshme të tregojnë kufijtë e tyre”. (DW)