E shtunë, 25 Janar, 2025
2.8 C
Skopje

Çfarë ndryshoi në kulturë

Qendra e Kulturës në Tetovë, Teatri, Teatri në Shkup, Muzeu i Alfabetit… e të tjera për disa vjet, por edhe për disa muaj gjatë këtij viti u zëvendësuan me ushtrues detyre. Rasti më flagrant u shkarkimit të një drejtori dhe zëvendësimi me ushtrues detyre ishte me drejtorin e Muzeut të Manastirit që e la detyrën një ditë përpara nisjes së aktiviteteve për shënimin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit. Në kulturë, në total nga gjithsej 74 institucione, 32 drejtohen nga ushtrues detyre

Evis HALILI

Shkup, 2 janar – Nga paditë për korrupsion te protestat sindikale, ndryshimi i ministrave, por edhe i konceptit për interesin në kulturë kanë qenë disa nga ngjarjet që shënuan dinamika në reja në sferën e kulturës. Rikthimi në pushtet, pas shtatë vjetësh në opozitë, i VMRO-DPMNE-së nisi me reformimet e lënë në mes – shndërrimi i Ministrisë së Kulturës , në “Kulturë dhe Turizëm”, tërheqja përfundimtare nga Parlamenti e Ligjit të Kulturës për të hartuar një të ri, kalimi nga “interesi publik” në “interes nacional”, nga interkultura në multikulturë.

GJASHTË MINISTRA DHE SHUMË PIKETA NË SHTATË VJET

Socialdemokratët ia kaluan stafetën VMRO-DPMNE në mesin e këtij viti, duke lënë shumë premtime, strategji të parealizuara. Ndërrimi i shpeshtë i ministrave të LSDM (mesatarisht çdo vit një ministër) krijoi situata kaotike, boshllëqe në zbatimin e politikave të reja kulturore, duke sjellë që Ligji i ri i kulturës, decentralizimi i institucioneve, mbrojtja e trashëgimisë, reformat për kalimin nga kulturë me interes nacional në ato publik, të parealizuara, decentralizimi i institucioneve nacionale të kulturës dhe kalimi i tyre në kompetenca të pushtetit lokal të ngecura…, të figurojnë ende si pjesë e strategjive dhe planeve të veprimit të Ministrisë të realizuara pak ose aspak.

Vetë Ministria e Kulturës në dokumentin Strategjia nacionale dhe plani aksional 2023-2027, vëren se nga Strategjia 2018-2022 vetëm një pjesë e vogël e masave të planifikuara janë realizuar, ndërsa strategjia nuk është zbatuar aspak.

Strategjia 2023-2027 përsëriti të njëjtat synime, pasi siç sqarohet nga hartuesit e saj “mund të përsëritet sepse është arritur një pjesë e parëndësishme e asaj që ishte planifikuar”. Me ardhjen e ministrit Zoran Ljutkov gjithçka nis nga e para. Ajo që paralajmëroi ishte hartimi i Ligjit të ri të kulturës, por më prioritare mbetet hartimi i Strategjisë për kulturën, të cilën e quajti si dokumentin më të rëndësishëm strategjik në kulturë, i cili pritet të jetë gati gjatë 2025. Nëse strategjia do të arrijë të zbatohet apo do të mbetet prioritare vetëm në letër do të shihet gjatë viteve të ardhshme.

PADI, AKUZA DHE PROTESTA

Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Kulturës vijuan përplasjet edhe gjatë këtij viti. Ndërsa MK akuzonte se Strategjia e Kulturës së Qytetit të Shkupit 2021-2030, jo vetëm që nuk është realizuar, por ka sjellë zhvlerësimin e vlerave, regres të mekanizmave, me llogaridhënie dhe transparencë problematike, mes ish ministres Bisera Kostandinova Stojçevska dhe kreu të Qytetit Danella Arsovska, retorika u ashpërsua deri në ngritjen e padive. Ndaj ish ministres Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit hapi lëndë për të vërtetuar akuzat për keqpërdorim të mjeteve buxhetore, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Publike për veprën penale “keqpërdorim pozitën dhe autoritetin zyrtar”. Po ashtu, ndaj një ish tjetër ministri, Hisni Ismailit, është ngritur një kallëzim penal “për keqpërdorim të detyrës” .

Padi dhe kërkesë për hetime lidhur me “abuzime financiare dhe keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” lidhur me projektin për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë janë ngritur nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit këtë fundvit. Në raportin e 100 ditëve MKT denoncoi ish qeverisjen e mëparshme për borxhe, keqmenaxhim, papërgjegjshmëri, projekte pa prioritete dhe dinamikë për realizim, projekte të ndërprera, gjendjen kaotike me institucionet dhe aktivitetet kulturore. Nga ana tjetër Sindikata e punonjësve të kulturës vijoi protestat edhe gjatë 2024 lidhur me pagat e punonjësve të kulturës , mos respektimin e pagës minimale bruto të publikuar dhe për mos kryerjen e rrogave sipas nenit 65 të Marrëveshjes Kolektive për Kulturë.

PO KULTURA SHQIPTARE?

Skadimi i kontratave të punës për artistët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe mosvazhdimi i tyre la pa punë për disa muaj rresht 34 valltarët, solistët e instrumentistët e këtij institucioni të kulturës. Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Financave ka dhënë pëlqim për 38 vendet e reja të punës, ndërsa konkursi për ripunësimin e tyre pritet të shpallet. Projekti për ndërtimin e Teatri dhe Bibliotekës, një nga premtimet më të mëdha politike duket se do të vazhdojë të kryesojë listën e “projekteve prioritare”. Në buxhetin e viti 2025 MKT ka planifikuar një shumë jashtëzakonisht të vogël për realizimin e punimeve, gjë që ngre një pikëpyetje serioze për afatin e përfundimit të tij. 20 fish më pak financa nga ajo që ishte parashikuar, nga 300 milionë denarë projektit i janë akorduar vetëm 15 milionë.

Ajo që karakterizoi edhe këtë viti ishte ndryshimi i titullarëve nëpër institucione. Kryesisht ushtruesit e detyrës u zëvendësuan nga ushtrues të tjerë detyre.

Edhe pse ligjërisht emërimi i një ushtruesi të detyrës së drejtorit të përkohshëm në krye të një institucioni ose nuk lejohet ose kufizohet në gjashtë muaj, shumica e institucioneve drejtohen prej tyre për një kohë të gjatë. Gjatë emërimit ushtrues detyre nuk merren parasysh kriteret e përzgjedhjes, pasi kandidatët nuk duhet domosdoshmërish të plotësojnë as kërkesat minimale ligjore. Qendra e Kulturës në Tetovë, Teatri, Teatri në Shkup, Muzeu i Alfabetit… e të tjera për disa vjet, por edhe për disa muaj gjatë këtij viti u zëvendësuan me ushtrues detyre. Rasti më flagrant u shkarkimit të një drejtori dhe zëvendësimi me ushtrues detyre ishte me drejtorin e Muzeut të Manastirit që e la detyrën një ditë përpara nisjes së aktiviteteve për shënimin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit. Në kulturë, në total nga gjithsej 74 institucione, 32 drejtohen nga ushtrues detyre. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm