E premte, 13 Qershor, 2025
17.8 C
Skopje

Çmimi i kurbanëve rreth 200 euro

Kryesisht, kurbane në këtë treg shesin blegtorët, të cilët merren me blegtori në rajonin e Malit Sharr. Ata ankohen se mungon edhe fuqia punëtore, subvencionet janë të ulëta, kurse shpenzimet janë të larta

 

Urim HASIPI

Tetovë, 5 qershor – Si zakonisht, viteve të fundit, afër stadiumit të qytetit të Tetovës organizohet tregu i improvizuar i shitjes së kafshëve respektivisht kurbaneve. Dhjetëra shitës ofrojnë kurban për qytetarët e interesuar që këtë vit kanë vendosur të therin për festën e Kurban Bajramit. Si zakonisht, shitësit ankohen se çmimet janë të ulëta, kurse blerësit ankohen se çmimet janë të larta. “Nuk ka shumë interesim, nuk janë mërgimtarët, prandaj nuk ka shumë interesim. Sa i përket çmimeve, pakëz më shtrenjtë janë, pra një dele është 200 euro, një dash është 250 euro. Por, interesim nuk ka shumë këtë vit” thotë Besnik Miftari, blegtor nga Tetova.

Jo të gjithë shitësit ankohen. Ka disa prej tyre që thonë se janë të kënaqur, por dalja në skenë e shumë shoqatave u shkakton probleme. “Shitje ka, interesim për blerje ka. Çmimet sillen prej 180 euro, 190 deri në 200 euro. Krahasuar me vitet e kaluara, interesimi është më i dobët. Kanë dalë shoqata, kurse do të therin kurban por mendoj se diçka theret, diçka nuk theret. Popullata nuk dëshiron që kurbani të dërgohet në shtëpi, angazhon këto shoqata, prandaj ka rënë interesimi dhe ne blegtorët jemi në humbje”, thotë Osman Osmani, blegtorë.

Një shitës tjetër shprehet se vitin e kaluar shitja ka qenë më e mirë. “Këtë vit interesimi është më dobët se vjet. Pjesa dërmuese dërgojnë para për të varfrit, nuk presin kurban. Çmimet janë thuajse sikurse vitet e kaluara. Vitin e kaluar çmimi ka qenë korrekt, por edhe shitja ka qenë e mirë, ato që i kishin për të shitur i shitëm të gjithë. Këtë vit dobët”, thotë një blegtorë nga rrethina e Tetovës.

Një blerës që thotë se rregullisht merr kurban në këtë treg, pohon se prej vitit të kaluar nuk ka dallim të madh. “Po, 200 euro ka qenë vitin e kaluar kurbani, 200 euro këtë vit. Para tre viteve kanë qenë 150 euro, tash u kërkojnë më shumë por e bleva për 200 euro. Tash duke e parë standardin këtu, mendoj se mund të blihet nëse një person punon”, thotë një blerës.

Por, ka prej tyre që nuk blejnë por vetëm dalin për kureshtje në treg. “Ai që blen gjithmonë mendon se është shtrenjtë, ai që shet mendon se është lirë. Çmimi është i volitshëm megjithatë. Ai që ka para blen, ai që nuk ka nuk blen. Unë për vete nuk do të blej, por vetëm kam dalë të shoh” thotë një vizitorë në tregun e kafshëve.

Kryesisht, kurbane në këtë treg shesin blegtorët, të cilët merren me blegtori në rajonin e Malit Sharr. Ata ankohen se mungon edhe fuqia punëtore, subvencionet janë të ulëta, kurse shpenzimet janë të larta për mirëmbajtje, pasi që sipas tyre për një kurban duhet kujdes 11 muaj e më shumë, dhe në fund shitja duhet të përshtatet me çmimet e tregut. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm