Gazeta “Tuttosport” në numrin e sotëm bën një pasqyrë të mosmarrëveshjes ligjore mes Cristiano Ronaldos dhe Juventusit. Sulmuesi portugez pretendon 19.5 milionë euro detyrime të papaguara, të lidhura me “manovrën e dytë të pagave” gjatë sezonit 2020-2021.
Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” pretendon se klubi bardhezi i detyrohet atij, ndërsa Juventusi i quan kërkesat të pabazuara. Cristiano Ronaldo i është drejtuar Kolegjit të Arbitrazhit përmes avokatëve të tij dhe vendimi pritet deri më 22 prill, edhe pse ka të ngjarë që gjithçka të sqarohet në fillim të javës së ardhshme.
Po për çfarë bëhet fjalë? Gjithçka nisi me largimin e CR7 nga Torino me dëshirën e lojtarit, i cili vetëm më vonë paraqiti aplikimin përmes avokatëve të tij për t’i njohur 19.5 milionët, nga të cilat thuhet se kishte hequr dorë për shkak të vështirësive ekonomike të shkaktuara nga pandemia e Covid-19.
Klubi torinez premtoi se do t’ia jepte ato në një datë të mëvonshme. Marrëveshja private, karta e famshme e Ronaldos që prokurorët e Torinos e gjetën dhe e përfshinë në hetimin e “Prisma”, në realitet nuk u nënshkrua kurrë nga pesë herë fituesi i “Topit të Artë”.
Megjithatë, në çdo rast, për të qenë në gjendje të ndërrosh fanellë dhe të bësh funksional dokumentet e transferimit nga një klub në tjetrin, lojtarët duhet të nënshkruajnë një dokument ku të thuhet se nuk ka më pretendime nga klubi i vjetër. Për pasojë kalimi nga Juventusi te Manchester United nënkupton çdo detyrim të mundshëm ekzistues.
Nisur nga faktet, Cristiano Ronaldo nuk mund të bëjë asnjë kërkesë për Juventusin. Dhe për këtë arsye, edhe në raportin e fundit gjashtëmujor, Juventusi deklaroi: “Pretendimet e tij janë të pabaza. Në këtë përfundim ka dalë klubi me mbështetjen e konsulentëve të vet dhe rezultatin e hetimeve të kryera”.