Ish-sulmuesi i Juventusit dhe kombëtares italiane, Alessandro Del Piero, ka folur për mikrofonët e CBS, duke komentuar fitoren e bardhezinjve kundër Milanit 2-0. Ja çfarë tha ai: “Në pjesën e parë pati ekuilibër për sa iu përket rasteve dhe mundësive të krijuara, ndoshta Milani kishte shanset më të mira për të shënuar.
Megjithatë, Juventusi tregoi një dëshirë të fortë për ta fituar ndeshjen, veçanërisht në pjesën e dytë. Pastaj Milani ra fizikisht dhe Juventusi vazhdoi të dominonte me zotërimin e topit. Siç thashë, dëshira e bardhezinjve për të fituar ishte më e madhe se ajo e Milanit, gjë që është një lajm i mirë, sepse shpresojmë që të vazhdojnë kështu. Fitorja ndaj Milanit ishte me të vërtetë një lajm i mirë”.
Paraqitjen e bardhezinjve ndaj Milanit e cilësoi si më të mirën e sezonit: “Pa dyshim ishte ndeshja më bindëse në kampionat, ndërsa në Champions League kanë pasur disa paraqitje të mira. Tani kanë nevojë të bëjnë më shumë, të fitojnë më shumë ndeshje të vështira. Nuk mund të luajnë gjithmonë në maksimum, por ky duket të jetë një fillim i mirë.
Mposhtja e Milanit, kundër të cilit kishin humbur në gjysmëfinalen e Superkupës, është shumë e rëndësishme, pothuajse një hakmarrje. Për mua, qëndrueshmëria është çelësi. Të fitosh këtë ndeshje dhe të vazhdosh të fitosh është thelbësore, sepse kur fiton, problemet zhduken, atmosfera brenda ekipit dhe me tifozët përmirësohet”.
Për shiritin e kapitenit, i cili po qarkullon te ky Juventus: “Nuk i di metodat e përzgjedhjes së Thiago Motta. Nuk dua të komentoj, sepse kam një qasje të ndryshme. Nëse do të më duhej të zgjidhja? Ka shumë faktorë për t’u marrë parasysh.
Sipas meje, numri i ndeshjeve të luajtura në një ekip si Juventusi është thelbësor. Nuk e di si merren këto vendime, ndoshta për të rritur përgjegjësinë e lojtarëve, por mendoj se është e pranueshme, pasi nuk jam unë ai që vendos”.