E martë, 17 Qershor, 2025
33.8 C
Skopje

Deputetët bullgarë: Çështja me Shkupin nuk është bilaterale po është kornizë evropiane

Unanimiteti i eurodeputetëve bullgarë dhe deklarata e Kuvendit Kombëtar Bullgar janë një tregues shumë i qartë i qëndrimit të Bullgarisë ndaj raportit të progresit të Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), deklaroi sot kryeministri bullgar Rosen Zheljazkov në parlament. 

“Do t’i përmbahemi këtij qëndrimi, pa e shndërruar këtë çështje në bilaterale,” tha Zheljazkov.

Më herët këtë javë, për shkak të tensioneve të forta mes Sofjes dhe Shkupit, Parlamenti Evropian vendosi të shtyjë votimin për raportin mbi progresin e Maqedonisë.

Eurodeputetët bullgarë njoftuan se kishte rrjedhje të papranueshme informacioni drejt Shkupit dhe shprehën kundërshtimin e tyre ndaj komenteve në raport lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Kryeministri Zheljazkov theksoi se shtyrja e raportit nuk është një precedent.
“Qëndrimet tona lidhur me gjetjet në raport janë shumë qartë të shprehura. Ato nuk përfshijnë vetëm Bullgarinë. E gjithë përgjegjësia për redaktimin e raportit u përket anëtarëve të Parlamentit Evropian”, tha ai.

“Të gjitha çështjet me Maqedoninë janë zgjidhur me Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë të vitit 2017 dhe me kornizën negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, bazuar në të ashtuquajturën propozim francez, ku kërkesat që duhet të përmbushë shteti kandidat janë qartë të përcaktuara dhe respektimi i tyre monitorohet brenda procesit negociues, çka nuk është një çështje bilaterale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë”, shtoi Zheljazkov.

Vetëm një javë më parë, parlamenti bullgar shpalli të papranueshme “çdo përpjekje brenda formateve dhe institucioneve të BE-së për të rinegociuar, anashkaluar ose injoruar elemente të marrëveshjeve të arritura.”

Megjithatë, komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, deklaroi para Komisionit për Punë të Jashtme se është e gatshme të ndërmjetësojë marrëdhëniet midis Shkupit dhe Sofjes. Ajo foli për një “çështje bilaterale”.

Përpara seancës së AFET-it, Kryeministri Mickoski tha të dielën se një eurodeputet bullgar do të përpiqet ta përkufizojë identitetin dhe gjuhën maqedonase si “aktuale”, dhe jo siç deklaroi Weitz – shekullore. Ai u bëri thirrje eurodeputetëve të dëgjojnë me kujdes mesazhet nga Bullgaria, duke vlerësuar se propozimi për të shtuar fjalën “aktuale” është një përpjekje për të krijuar një komb të ri, artificial maqedonas.

Mickoski tha dje se kishte informacion se si do të votonin partitë simotra të VMRO-DPMNE-së për raportin e Parlamentit Evropian mbi progresin e vendit, por nuk donte ta zbulonte atë dhe këshilloi të pritej deri sot, kur raporti duhej të diskutohej nga eurodeputetët.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të viti 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik të viti 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. (Portalb.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm