Shpallja e njoftimeve të reja për punësim në administratën publike do të jetë e ngrirë deri në fillim të dhjetorit.
Nga drejtoria e Agjencisë për Administratë për Zhurnal thonë se deri atëherë pritet që të përfundojë softueri i ri, me të cilin në aplikimet për punësim nuk do të ekzistojë rubrika për përkatësinë kombëtare. Pas kësaj, do të mund të lëshohen njoftime të reja për punësim të administratës.
Aktualisht, kompania që e mban dhe e përmirëson softuerin nuk ka një kontratë aktive, kështu që Agjencia për Administratë pret miratimin nga Byroja për Furnizime Publike për të hyrë në negociata me kompaninë. Megjithatë, agjencia është optimiste se nga 30 deri në 40 ditë do të përfundojë softueri i ri.
Derisa të ndodhë kjo, nuk do të ketë njoftime për punësim në administratën publike, përveç atyre që ishin publikuar para vendimit të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e balancuesit, përkatësisht sipas Agjencisë për Administratë bëhet fjalë për rreth 15 njoftime.
Ministria për Administratën Publike gjithashtu shpalli sot vendimin për të vazhduar procedurat për punësim që ishin pezulluar për shkak të heqjes së balancuesit. Kjo lidhet me njoftimet para vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Që nga dita e shpalljes së vendimit të Kushtetueses në “Gazetën Zyrtare”, procedurat e reja për punësim nuk do të përfshijnë dispozitat e hequra për përkatësinë kombëtare, ndërsa procedurat e filluara do të përfundojnë sipas rregullave në fuqi në kohën e fillimit të tyre. (ina-online)