Hulumtimi i Rrjetit Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, tregon se shifrat janë tronditëse, ndërsa viktimat detyrohen të bëjnë një zgjedhje të vështirë- të raportojnë ose humbasin provat
Evis HALILI
Shkup, 13 mars – Dhuna seksuale mbetet një prej formave më pak të raportuara në Maqedoni. Çdo vit, sipas të dhënave zyrtare, evidentohen 50 deri në 60 raste të përdhunimit apo tentativës për përdhunim, por shifrat reale janë shumë më të larta. Hulumtimi i Rrjetit Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, tregon se shifrat janë tronditëse dhe institucionet shtetërore nuk e dinë ekzistencën e qendrave – gjithsej tre në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë që ofrojnë ndihmë për viktimat. Ndërsa viktimat detyrohen të bëjnë një zgjedhje të vështirë- të raportojnë ose humbasin provat. Kjo u theksua në takimin e grupit të punës me Ministrinë e Shëndetësisë, ku u diskutuan sfidat në funksionimin e qendrave për viktimat e dhunës seksuale. Sipas Elena Dimushevskës, drejtoreshë ekzekutive, këto shifra janë vetëm maja e ajsbergut, ndërsa numri real i viktimave është shumë më i lartë.
“Hulumtimi ynë tregoi se më pak se një e treta e viktimave përdorin shërbimet e qendrave. Pjesa tjetër e anashkaloni plotësisht këtë shërbim sikur të mos ekzistonte. Në biseda me policinë dhe Prokurorinë Publike mësuam se disa nga oficerët e tyre as që e dinë se ekzistojnë këto qendra”, ka theksuar Dimushevska. Problem i madh është edhe mënyra se si funksionojnë qendrat. Viktimat aktualisht duhet të raportojnë në polici për të marrë ndihmë. Kjo do të thotë që një vajzë që sapo ka kaluar traumën duhet të zgjedhë, ose të raportojë dhe t’i merren provat, ose të humbasin provat dhe ajo nuk do të jetë më në gjendje të bëjë kallëzim. “Kjo duhet të ndryshojë” ka thënë Dimushevska.
Në Maqedoni, dhuna seksuale është ende një temë tabu, dhe viktimat shpesh nuk marrin mbështetje as nga shoqëria dhe as nga institucionet. Të miturit janë viktimat më të zakonshme dhe përdhunimi bashkëshortor nuk njihet si krim. Hulumtimet tregojnë se shumica e viktimave që kanë marrë ndihmë në qendra janë të mitur, ndërsa viktimat e rritura pothuajse asnjëherë nuk i përdorin këto shërbime. Edhe pse dy vite më parë me ndryshimet në Kodin Penal përdhunimin në martesë konsiderohet si vepër penale, ai ende nuk njihet dhe raportohet si formë dhune. Neda Çalovska, një eksperte e pavarur, vëren se besimi në institucione është në një nivel kritik të ulët dhe viktimat shpesh kanë frikë të raportojnë dhunën.
“Gratë nuk besojnë se do të marrin mbrojtjen e duhur nëse raportojnë dhunë seksuale. Në vend që të ndihmohen, ata shpesh janë të ekspozuar ndaj viktimizimit dytësor – ata merren në pyetje, dyshohen dhe u imponohet një ndjenjë faji. Nëse nuk kemi një sistem që mbron në mënyrë aktive viktimat, atëherë ne në fakt po mbrojmë dhunuesin”, thotë Çalovska.
Një nga problemet më të mëdha në funksionimin e qendrave është se viktima duhet të denoncojë menjëherë rastin në polici për të marrë ndonjë ndihmë. “Ne nuk duhet ta vendosim viktimën në një pozicion për të zgjedhur – ose raportoni menjëherë ose ne do të humbasim provat”, theksoi grupi i punës. Për të përmirësuar aksesin në asistencë, është e nevojshme të bëhen ndryshime në procedurat standarde të funksionimit të qendrave, të rritet ndërgjegjësimi dhe të lehtësohet procesi i aplikimit. (koha.mk)