Drejtori i shkollës, Ramadan Imeri thotë se Shkolla e mesme “28 Nëntori”, e cila në këtë projekt është prezantues i Maqedonisë së Veriut, ka një përvojë shumëvjeçare në sferën e projekteve Erazmus Plus, por jo vetëm, me që ky institucion arsimor i vetëm në Dibër, ku mësimi realizohet në gjuhën shqipe dhe maqedonase, ka realizuar edhe shumë projekte të tjera edhe atë me shumë sukses
Vjollca SADIKU
Dibër, 6 maj – Në Dibër realizohet edhe një projekt i Unionit Evropian nga Programi Erazmus Plus që ka të bëjë me ngritjen e vetëdijes për mbrojtje të mjedisit jetësor, me pjesëmarrje të nxënësve dhe profesorëve nga shkollat e mesme të Kroacisë, Greqisë, Spanjës, Portugalisë dhe Turqisë. Nikoqir si përfaqësues i Maqedonisë së Veriut është Shkolla e mesme komunale “28 Nëntori” nga Dibra. Është ky projekti i 6-të që realizon shkolla e mesme e Dibrës në kuadër të Programit Erazmus Plus, dhe në projektet e deritashme efektet kanë qenë shumë të mëdha, vlerëson drejtoria e shkollës. Në hapjen e aktivitetit, i cili ka për qëllim rëndësinë e ndryshimeve klimatike që janë një problem botëror, foli koordinatori profesori Arbër Ambari, i cili potencoi se projekti faktikisht synon ngritjen e vetëdijes njerëzore ndaj problemeve që janë si ndotja e ambientit jetësor, keqpërdorimi i ujit, mungesa e riciklimeve të mbeturinave dhe probleme të tjera të mjedisit jetësor. Ai tha se në Dibër përfaqësuesit e shkollave të mesme të shteteve në fjalë do të realizojnë vizita të ambientit jetësor të Komunës së Dibrës, pastaj të bukurive kulturo – historike të kësaj ane, do të realizojnë punëtori profesionale në lidhje me temën e projektit si dhe do të njihen me traditat dhe kulturën e Dibrës.
Ambari theksoi se gjimnazi i Dibrës pret një aktivitet shumë serioz, i cili do të përfundojë me sukses. Përfaqësuesit e të gjitha shkollave nga vendet e Evropës kanë përvojë të madhe rreth problemit të mbrojtjes të mjedisit jetësor. Aktiviteti në objektin e shkollës “28 Nëntori” në Dibër vazhdoi me “Festivalin e këngës, valles dhe ushqimit tradicional dibran”, i cili u mirëprit me duartrokitje frenetike nga ana e pjesëmarrësve në këtë projekt. Sidomos një interesim të veçantë për pjesëmarrësit në projekt nga shtetet e lartpërmendura ngjalli grupi folklorik i gjimnazit, i cili prezantoi këngë dhe valle folklorike dibrane. Bukuria e muzikës autoktone dhe veshjet kombëtare dibrane mahnitën afro 60 pjesëmarrës të shkollave nga Turqia, Kroacia , Greqia, Spanja dhe Portugalia, por edhe vetë dibranët prezent në këtë eveniment. Pastaj të pranishmit kishin mundësinë të shijojnë edhe gatimet tradicionale dibrane. Drejtori i shkollës, Ramadan Imeri thotë se Shkolla e mesme “28 Nëntori”, e cila në këtë projekt është prezantues i Maqedonisë së Veriut, ka një përvojë shumëvjeçare në sferën e projekteve Erazmus Plus, por jo vetëm, me që ky institucion arsimor i vetëm në Dibër, ku mësimi realizohet në gjuhën shqipe dhe maqedonase, ka realizuar edhe shumë projekte të tjera edhe atë me shumë sukses. Sipas tij, stafi arsimor tani më ka shumë përvojë në realizimin e projekteve dhe domethania e tyre në këtë drejtim është e madhe.