Ka mbetur dilemë përse në qendër të Shkupit, shfaqet filmi që flet shqip dhe nga një regjisor shqiptar, pllakatet të mos shkruheshin edhe shqip, edhe pse gjuha shqipe si në nivel qendror, ashtu dhe në atë lokal, është zyrtare?
Nga Daut DAUTI
- U takoj atyre gjeneratave të Jugosllavisë së Titos që e frekuentonim shumë Trieshtën, ku dikush shkonte për “farmerka”, këmisha, bluza, mbathje më të lira dhe me cilësi më të lartë dhe të modës evropiane. Hipnin në mesditë në Shkup në trenin ndërkombëtar dhe gjatë rrugës bëhej “gungullë” ku nuk kishe ku të uleshe as në korridoret, e lere më në kupetë e vagonit… Gjersa si nxënës ose studentë na joshte Trieshta e Italisë, ndonjë nga etërit tanë ende bartte trauma nga vitet ‘50-të kur si ushtarë kanë ndenjur nëpër istikame për ta mbrojtur Trieshtën. Atëherë, ndonëse sloganet kishin qenë “Jetën e japim po Trieshtën s’e japim”, së shpejti Tito ishte pajtuar me një ndarje “të drejtë” të Trieshtës dhe rrethinës dhe kishin rënë në ujë sloganet, sepse vetë qyteti i kishte rënë Italisë. Hapja e Jugosllavisë ndaj botës, e kishin bërë këtë qytet qendër të tregtisë, ku ne të rinjtë e asaj kohe, e sidomos tregtarët në të zezë, mbushnin valixhet përtej asaj që ishte e lejuar dhe me njëqind mënyra mundoheshin t’i mashtrojnë organet doganore, të cilat i kishin mësuar kaherë këto “trika”.
Ajo që më ktheu në rini, në të vërtetë nuk është vetë tregtia e xhinseve dhe ato trenat e stërmbushur po diçka tjetër, që ma përkujtoi një situatë të kundërt që e shënova në City Mallin e Shkupit. Më kishte mbetur në kujtesë se përkundër gjithë historisë së kaluar të Trieshtës, ne qytetarëve të Jugosllavisë na prisnin me ofertat e shkruara në gjuhën serbokroate, që ishte zyrtare dhe referente për botën. Nuk e di nëse atëherë në qytet kjo gjuhë kishte ndonjë status formal, por për tregti, ajo ishte zyrtare.Situata antilogjike me të cilën m’u imponua ta krahasoj, është se në një nga butiqet e qendrës tregtare City Mall të Shkupit, ato lirimet sezonale ishin shkruar në 5-6 gjuhë, anglisht, italisht, maqedonisht, turqisht, serbisht…, por JO dhe SHQIP!!! Përveç maqedonishtes, asnjëra nga gjuhët tjera nuk është zyrtare në Maqedoni, pasi nuk e flasin “të paktën 20 për qind” popullatës. Kjo nuk do të thotë se në tregti dhe biznes, nuk mund të përdoren dhe ja, janë përdorur për të joshur klientelën heterogjene etnike. Ndërkaq, mungesa e një gjuhe zyrtare të vendit, përveç se paraqet problem ligjor, është antilogjikë biznesi, sepse në këtë mënyrë, do s’do, krijon një aversion te një pjesë dërmuese e klientelës potenciale. Mos komunikimi në një gjuhë zyrtare, nuk mund të arsyetohet me asgjë. Përveçse në City Mall vijnë shqiptarë nga gjithë vendi, është një qendër shopingu edhe për kosovarët dhe çdo tregtar, pavarësisht çfarë kombësie i takon dhe sa i do popujt tjerë, ai duhet ta respektojë myshteriun. Ja që dikush s’çan kokën që mund ta dëmtojë biznesin e vet me këtë urrejtje ndaj gjuhës shqipe.
Unë për vete, e bëra një “selfi” për kujtim të këtij paradoksi pranë pllakatës vertikale në hyrje të butikut ku reklamohej lirimi dhe më bëri kureshtar të shikoj si është vepruar te dyqanet tjera. Për fat, nuk ishin të gjithë rob të kësaj vetëdije të errët.
Mirëpo, një ngjarje kulturore po në City Mall, në janar të këtij viti, më futi përsëri në dilema. I ftuar nga regjisori i filmit “Të gjithë e thërrasin Rexhon”, shkova në premierë dhe përkundër përshtypjeve të mira për filmin, për çka pastaj shkrova një recension në gazetën “Koha”, më mbeti një shije e hidhur, që m’u duk se nuk ishte momenti i duhur për ta trajtuar. Shija e hidhur për shkak të mungesës së gjuhës shqipe në pllakatet paralajmëruese për filmin.
Paramendoni, personazhet e filmit flasin kryesisht shqip (për shkak të mileut shoqëror, ndonjë dialog është edhe maqedonisht dhe turqisht), i realizuar me paratë edhe të Agjencisë së Filmit që është nën Ministrinë e Kulturës nën Qeverinë e cila të paktën deri tash, nuk e ka hequr nga përdorimi gjuhën shqipe, të shfaqet filmi në kryeqytet ku ligjërisht gjuha shqipe është zyrtare dhe pllakatat nuk janë në gjuhën shqipe, por vetëm maqedonisht dhe anglisht, nuk ka as logjikë e as bazë ligjore!
Kjo pyetje më kishte preokupuar, dhe dyshimi i parë që më binte ishte se ndoshta ky është vullneti i producentit maqedonas, kushedi për ç’arsye jo artistike. Por, si duket e kisha pasur gabim. U interesova se çka qëndron pas një veprimi të këtillë dhe erdha në gjurmë se gjithë këtë e ka imponuar kinemaja Cineplexx…! Unë ende e marr këtë me rezervë dhe ja, po u jap shkas mediumeve që ta hulumtojnë se ku qëndron e vërteta. Nga ajo që unë kam njohuri nga burime të afërta me ekipin e filmit, është se përkundër insistimeve të tyre që në pllakata të shkruhet edhe shqip, Cineplexx-i nuk e ka lejuar!!!
Është e njëjta logjikë si më sipër te ai butiku ku nuk e kanë shkruar ofertën e lirimeve edhe shqip. Por, sigurisht, për arsye të diskutueshme. Sepse del se dikush është mbi ligjin, mbi kushtetutën.
Paramendoni, e siguroni diku sallën për të promovuar një libër të shkruar shqip, dhe pronari jua kushtëzon që paralajmërimi të bëhet maqedonisht dhe anglisht!
Në fund, të kthehemi sërish në Itali, kësaj radhe jo në Trieshtë, po në Festivalin filmik të Barit, atje ku ditë më parë, “Rexhoja…” fitoi një çmim të rëndësishëm në kategorinë “Meridiane”. Italianëve ndryshe nga Cineplexx-it, nuk i kishte penguar që në materialin propagandues të jetë edhe në shqip!
Çmimi që mori filmi i parë i regjisorit të ri Ibër Deari mban emrin “Franco Cassano”, emërtuar sipas sociologut të shquar italian. Në arsyetimin e jurisë së edicionit të 16-të të festivalit të mbajtur nga 22 deri më 29 mars 2025, çmimi këtij filmi i ndahet “për prerjen inteligjente, ashpërsinë e regjisë, kompleksin e aktorëve dhe për skenarin delikat dhe ironik që tregon me mjeshtëri një histori rezistence dhe shprese”. Kategoria “Meridiana” ku ka marrë pjesë filmi, u dedikohet filmave të rajonit të Mesdheut.
Vetëm mund t’i dëshirojmë rrugëtim të mbarë këtij filmi edhe nëpër festivale tjera dhe kinematë e botës, kurse për këto çështjet tona të egoizmit nacional deri në skajshmëri të tjera, si duket do të ballafaqohemi edhe në të ardhmen.
- U bë lëmsh kjo skena jonë politike dhe s’po dimë çka po ndodh e do të ndodhë në të ardhmen. Një krimb nis ta brejë përbrenda pjesën e shqiptare të koalicionit qeveritar me zbulimin se Arben Taravari paska komunikuar me Ali Ahmetin. Edhe pse dukej e pabesueshme, ndërkohë dolën në shesh edhe arsyet e një lëvizje të mundshme jashtë VLEN-it për zgjedhjet lokale. Kur ndodh diçka e tillë, përnjëherë aktivizohen disa gjëra të fjetura, të mbajtura nën rrogoz.
Mirëpo, nuk se krimbi e bren përbrenda vetëm VLEN-in, sepse papritur e pa kujtuar, edhe në pjesën maqedonase të Qeverisë na u shkrepën disa shkëndija. Pas një kritike të zëvendës-spikerit të Kuvendit Milloshovski në adresë të ministrit të drejtësisë që është nga partia ZNAM, fjalori u ashpërsua më keq se sa ai i aktivistëve partiakë të VLEN-it ndaj Taravarit. Sepse, në atë komunikim midis Fillkovit dhe Milloshovskit, u shpërfaqën edhe disa koncepte të heshtura që kapin aspekte identitare, sepse i pari e quajti të dytin “xhuxhi i Nebregovës”, njësoj si ky e kishte quajtur dikur babain e gjuhës maqedonase, Bllazhe Konevskin që në nëntekst e ka dhe vetë origjinën.
Kur një koalicion krijohet midis subjekteve që kanë hendek në qasjet identitare, interesi i përbashkët që i lidh për të qeverisur, herëdokurdo mund të bëhet copë e grimë.
Të rastit ose jo, në këtë atmosferë disonancash midis partive të koalicionit qeveritar, erdhi ky takimi i iniciuar nga kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe me Mickovskin. Një përafrim i çuditshëm, duke ruajtur distancat e tyre, që më së miri e kishte elaboruar një opozitar tjetër, Ivon Veliçkovski. Nga ajo analizë e tij, del në pah një paralajmërim riorientimi të Maqedonisë, i cili gjithsesi nuk mund të jetë interes monoetnik. Një taktizim evident për të shikuar nga fryn era, mund të jetë i arsyeshëm, por jo dhe ajo që dyshon autori se kjo vendin mund ta çojë nga bota serbe… Para vitit të ri, lideri i partisë ZNAM, Maksim Dimitrievski, kishte apeluar në një subordinim brenda maqedonase për çështjet nacionale, por si duket, idenë ndërkohë ia “vodhi” dhe “operacionalizoi” Venko Filipçe.
Mbetet si shije e hidhur që dy liderët e partive kryesore maqedonase gjejnë rrugë komunikimi dhe koordinohen për disa çështje, ndërkaq partitë shqiptare satanizojnë njëra tjetrën në kohën kur edhe ato nuk duhet t’i mbyllin krejtësisht telefonat e komunikimit.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)