E premte, 20 Qershor, 2025
25.8 C
Skopje

Dilemat e Inzaghit për të ardhmen: rindërtim i një Interi fitues apo dorëzim

Përshtypja është se aventura e Simone Inzaghit në pankinën e Interit ka marrë fund në Mynih. Është e vështirë të imagjinohet vazhdimi së bashku, pas një humbjeje kaq të rëndë si ajo në finalen e Champions League, që e futi Interin në histori, por në mënyrën më negative të mundshme.

Dyshimet mbi të ardhmen e teknikut nga Piacenza ishin të pranishme edhe para finales, por u mbajtën të fshehura, sepse ishte një ndeshje që duhej fituar me çdo kusht. Në fakt përfundoi në mënyrën më të keqe, edhe vetë fjalët e Inzaghit pas finales së Mynihut lënë të kuptohet se rrugët mund të ndahen. Madje, edhe për Botërorin e Klubeve që po afron në SHBA, vazhdimësia e tij në stolin zikaltër është në dyshim.

Gjithçka do të vendoset të martën, në takimin e planifikuar me presidentin Marotta. Edhe pse zhgënjimi nuk do të jetë shuar ende, Inzaghi do të ketë pasur kohë për të reflektuar, nëse nuk e ka marrë tashmë vendimin. Nga njëra anë ka milionat e Arabisë Saudite dhe ndjesinë se ka përmbyllur një cikël fitues, por me shumë pengje.

Nga ana tjetër, ekziston mundësia për të vazhduar te klubi që e bëri të madh si trajner, por me bindjen se do të duhet të rindërtojë pothuajse nga e para një projekt që duket se ka përfunduar. Inzaghi do të kërkojë të kuptojë sa është Interi gati ta ndjekë në idetë e tij, jo për çështje financiare (klubi do t’i propozojë zgjatjen e kontratës edhe për një vit me të njëjtën rrogë, ose me një rritje të lehtë), por për sa i përket merkatos.

Disa blerje janë bërë tashmë, me Luis Henrique në krye, por do të duhen edhe disa të tjera. Pra, Inzaghi do të duhet të vendosë: të provojë sërish pas një sezoni ku ishte pranë gjithçkaje, por nuk fitoi asgjë, apo të dorëzohet përballë ndjesisë së një fundi cikli, e cila u ndje fort edhe në Gjermani.

Në rast largimi, pasardhësit e mundshëm janë dy: Cesc Fabregas dhe Roberto De Zerbi, edhe pse të dy janë të angazhuar aktualisht. Në radar janë gjithashtu Patrick Vieira, pas një sezoni shumë pozitiv me Genoa, dhe Cristian Chivu, figurë e dashur brenda familjes zikaltër.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm