Në kontekstin ndërkombëtar që shënon rënie të rëndësishme të mjeteve financiare dhe rritje të lëvizjeve kundër të drejtave, Konferenca e 4-t ministrore mbi diplomacinë feministe do ta riafirmojë vendosmërinë tonë të përbashkët për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, pa asnjë hap prapa. Së bashku, do të vazhdojmë të veprojmë
Nga Kristof LË RIGOLER
Si të bashkohemi, të veprojmë dhe të qëndrojmë së bashku në mbrojtjen e të drejtave të grave, vajzave dhe barazisë gjinore? Kjo është pyetja kryesore në Konferencën e 4-t ministrore mbi diplomacitë feministe, ku Franca do të jetë nikoqire më 22 dhe 23 tetor 2025. Kjo konferencë do të mbledhë ministrat e punëve të jashtme nga të gjitha rajonet e botës, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të bankave publike të zhvillimit, si dhe të shoqërisë civile, të sektorit hulumtues dhe fondacioneve filantropike.
Që nga viti 2019, Franca ndjek një diplomaci feministe, duke e vendosur barazinë gjinore dhe të drejtat e grave si një prioritet transversal të veprimit të saj të jashtëm: paqe dhe siguri, zhvillim, qeverisje demokratike, veprim humanitar, mesh tjerash. Larg fjalimeve deklarative, kjo diplomaci feministe inkarnohet në politikat konkrete publike dhe partneritetet e forta.
Maqedonia e Veriut është partnere në këtë mobilizim. Një delegacion nga Ministria e Punëve të Jashtme, i udhëhequr nga sekretarja e Shtetit, znj. Elena Kuzmanovska, me mbështetjen e ,,UN Women”, e vizitoi Francën dhjetorin e kaluar, për të diskutuar më konkretisht aspektin e brendshëm të diplomacisë feministe. Ky aspekt promovon barazi gjinore në Ministrinë franceze të Punëve të Jashtme, duke i inkurajuar gratë të pranojnë pozicione me përgjegjësi dhe zero tolerancë për të gjitha llojet e ngacmimit.
FRANCA DHE PARTNERËT E SAJ TASHMË VEPROJNË NË MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË GRAVE DHE VAJZAVE
Franca e ka vendosur mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave dhe barazinë gjinore, në nivelin e një çështjeje strategjike dhe gjeopolitike për ndërtimin e shoqërive të drejta, gjithëpërfshirëse, paqësore dhe të qëndrueshme. Hulumtimet tregojnë se pjesëmarrja e grave në proceset negociuese rrit gjasat e qëndrueshmërisë së procesit për 35%. Në të njëjtën mënyrë, politikat që përfshijnë plotësisht barazinë gjinore mundësojnë luftë më efikase kundër ndryshimeve klimatike, nxisin rritjen ekonomike dhe forcojnë rezistencën e shoqërive tona.
Më 7 mars 2025, Franca prezantoi Strategjinë e saj ndërkombëtare për diplomaci feministe, përmes së cilës përforcohet mbrojtja e shëndetit dhe të drejtave seksuale dhe riprodhuese. Janë vendosur prioritete të reja, duke e vënë barazinë gjinore në thelbin e përgjigjes franceze ndaj sfidave të kohës: kriza dhe konflikte, ndryshime klimatike, shëndetësi, financa ndërkombëtare, teknologji dixhitale dhe inteligjencë artificiale.
Diplomacia feministe e Francës zbatohet përmes iniciativave të rëndësishme. I tillë është rasti me Fondin për mbështetjen e organizatave feministe (FSOF), i krijuar në vitin 2020 dhe që ndihmon më shumë se 1,400 organizata në 75 vende. Shembull tjetër është laboratori online për të drejtat e grave, i krijuar në vitin 2024. Është platforma e parë ndërkombëtare për shkëmbim dhe inkubim projektesh kundër dhunës me bazë gjinore në mjedisin dixhital.
PËRDERISA PABARAZITË GJINORE VAZHDOJNË, MBETET ENDE SHUMË PËR TË BËRË
Pavarësisht iniciativave dhe përparimeve që i realizoi komuniteti ndërkombëtar, mbetet ende shumë për të bërë. Sipas “UN Women”, me ritmin aktual, nevojiten pothuajse 300 vjet për të arritur barazinë reale në botë.
Sot e kësaj dite, pabarazitë gjinore ekzistojnë, madje edhe po përkeqësohen. Dhuna seksuale lidhur me konfliktet është rritur për 50% mes vitit 2022 dhe 2023. Në shumë vende, miliona gra nuk kanë të drejtën themelore për të kontrolluar trupin e tyre: 193 miliona gra kanë qasje në abort vetëm kur jeta e tyre është në rrezik, përderisa 142 miliona nuk kanë kurfarë qasje në asnjë rrethanë. Kudo që krizat lëkundin strukturën sociale – si në Afganistan, Iran, Gazë, Ukrainë, Sudan – janë të drejtat e grave që goditen të parat.
KONFERENCË E NIVELIT TË LARTË PËR TË RIAFIRMUAR VENDOSMËRINË DHE AMBICIEN TONË KOLEKTIVE
Në kontekstin ndërkombëtar që shënon rënie të rëndësishme të mjeteve financiare dhe rritje të lëvizjeve kundër të drejtave, Konferenca e 4-t ministrore mbi diplomacinë feministe do ta riafirmojë vendosmërinë tonë të përbashkët për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, pa asnjë hap prapa. Së bashku, do të vazhdojmë të veprojmë.
(Autori është Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Francës në Maqedoninë e Veriut)





