E diel, 9 Shkurt, 2025
5.8 C
Skopje

Diplomati amerikan: Kurti e Vuçiç mund ta përfundojnë dialogun, por nuk duan ta paguajnë çmimin

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Michael Kirby, beson se si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ashtu edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë potencial për ta përfunduar procesin e dialogut, por nuk duan ta paguajnë çmimin për këtë.

“Për Serbinë [çmimi] është të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara – që do të ishte një hap i madh. Kjo do të ishte një konfirmim se ai nuk e kontrollon territorin e Kosovës. Për Kurtin, nga ana tjetër, [çmimi] do të ishte të pranonte të jetonte në fqinjësi me serbët dhe Serbinë”, pohon ai në një intervistë për Zërin e Amerikës edicioni në gjuhën serbe.

Kurti dhe Vuçiç, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve.

E për ish-ambasadorin e SHBA-ve çështja këtu nuk është nëse “dialogu ka dështuar, por çfarë të bëhet për ta bërë atë të suksesshëm”.

Kurti, ka insistuar në nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë edhe “propozimin modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, porse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka refuzuar nënshkrimin e tekstit sikurse në takimet e mëparshme.

Pas takimeve, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre.

Ndërsa Vuçiç potencoi në një konferencë për media se e ka pranuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas propozim-statutit që i është propozuar nga emisarët ndërkombëtarë më 21 tetor në Beograd.

Ai theksoi se Serbia është pro zbatimit të marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por ka shtuar se shteti i tij nuk mund ta njoh Kosovën si vend të pavarur dhe as nuk do ta pranojë anëtarësimin e saj në OKB.

Në anën tjetër shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.

“Palët nuk ishin të gatshme të bien dakord për të pa parakushte, e që janë të papranueshme për palën tjetër. Në fund, ne kërkojmë që palët të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit”, tha Borrell.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm