Në shoqërinë e sotme, të ndikuar nga mediat sociale, joshja nga tendencat në internet mund të çojë shpesh edhe në veprime me pasoja të rrezikshme
Gjatë muajit të fundit, së paku në dy komuna të Kosovës – Kamenicë dhe Gjakovë – nxënës të disa shkollave fillore, të frymëzuar nga disa video në TikTok, janë vetëlënduar.
Për raste të ngjashme, Radio Evropa e Lirë ka raportuar edhe në qershor – atëkohë në shkolla të Fushë Kosovës dhe Lipjanit.
“Këto raste nuk do të kalojnë vetvetiu, nëse nuk adresohen”, thotë psikologu Aliriza Arënliu.
Por, si?
Masat e institucioneve arsimore
Në Gjakovë, nxënësve u është ndaluar përdorimi i telefonave në shkollë, thotë për Radion Evropa e Lirë Eranda Kumnova – Baçi, udhëheqëse e Drejtorisë për Arsim në këtë komunë.
Sipas saj, në të gjitha shkollat e komunës janë mbajtur edhe mbledhje urgjente të mësimdhënësve dhe stafit drejtues, bashkë me prindërit e nxënësve. Të pranishëm kanë qenë, po ashtu, edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.
“… për të biseduar me prindër dhe për t’iu thënë që të kenë kontroll të shtuar te fëmijët dhe përdorimi i rrjeteve sociale nga ta. Ne e dimë që filli i kësaj ‘loje’ ka nisur nga rrjetet sociale”, thotë Kumnova – Baçi.
Sipas saj, bëhet fjalë për së paku 22 nxënës të vetëlënduar në disa shkolla fillore të Gjakovës, më herët këtë muaj.
“Nga ekzaminimet mjekësore, ka raste që janë vetëlënduar vetëm në duar, por ka raste që janë vetëlënduar edhe në pjesë të tjera të trupit”, thotë ajo.
Në Kamenicë, prindërit e nxënësve filloristë janë thirrur, po ashtu, në mbledhje.
Udhëheqësi i Drejtorisë për Arsim në këtë komunë, Afrim Dervishi, thotë se “lojërat e rrezikshme” të nxënësve në internet, kanë ndezur alarmin.
“Ka qenë një lloj gare, përmes së cilës ata kanë dashur të provojnë se cili mund të rrijë më gjatë pa marrë frymë”, tregon Dervishi, duke shtuar se në këtë lloj sfide, kanë marrë pjesë rreth 20 nxënës.
“Roli dhe funksioni që mund të kryejnë prindërit për t’i eliminuar këto fenomene, janë të pashmangshëm”, thotë ai.
Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të bjerë në kontakt me prindër të ndonjë fëmije të vetëlënduar, por pa sukses. (REL)