E mërkurë, 19 Mars, 2025
8.8 C
Skopje

DITE E MADHE PËR DIBRANËT: Hapet Tuneli i Murrizit, përfundon Rruga e Arbërit

Ministrja shqiptare e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku para Tunelit të Murrizit, ka thënë se Rruga e Arbërit është edhe pjesë e Korridorit 8, lidhje europiane infrastrukturore që pritet t’i lidhë me autostradë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Prandaj, ajo ka bërë thirrje deri te Maqedonia që të përgjigjet, t’i kryejë detyrat dhe ta ndërtojë pjesën e ngelur të Korridorit 8 në Maqedoninë e Veriut

Vjollca SADIKU

Dibër, 14 mars – Dje edhe zyrtarisht kanë përfunduar punimet në Tunelin e Murrizit, ndërsa është hapur Rruga e Arbërit, rruga e ëndrrave dibranë në të dyja anët e kufirit. Festohet jo vetëm në Krahinën e Dibrës në Shqipëri, por edhe në Dibrën e Madhe. Aktivitetet filluan qysh në orët e mëngjesit dhe qindra dibranë kaluan vendkalimin kufitar “Bllatë” nëpërmjet Tunelit të Murrizit që faktikisht ishte edhe pjesa finale e Rrugës së Arbërit. Pas 6 vitesh, nga maji i 2019-ës, punimet përfunduan është zyrtarisht janë shpallur të mbyllura. Kjo rrugë lidh Dibrën me Tiranën me një gjatësi prej 74 kilometra dhe e cila drejtpërdrejt ndikon në zhvillimin e Dibrës në përgjithësi. Tani, thonë dibranët, Dibra bëhet si një lagje e Tiranës. Nga Dibra për Tiranë udhëtohet vetëm për një orë. Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8.5 kilometrash. Me këtë rast, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kjo rrugë do të kalohet pa pagesë, ndërsa ka garantuar se shqiptarët për këtë investim, nuk do të paguajnë asgjë.

“Tuneli sa të jem unë këtu, nuk do të ketë taksë, nuk do kenë tarifë, nuk do kenë tarifë të rrugës. Sa të jem unë, më mbrapa shihni e bëni, por sa të jem unë jo njëherë, që të jemi shumë të qartë”, ka theksuar Rama. Rruga e Arbërit që në historinë e popullit tonë njihet si Rruga e Karvanëve, ose pjesë e rrugës së vjetër romake “Egnatia”, e ka lidhur historikisht Tiranën me Dibrën.

Përveç shkurtimit të rrugës drejt Tiranës, kjo rrugë do të rrit edhe zhvillimin ekonomik dhe të sektorit të turizmit për të gjithë Verilindjen e Shqipërisë. Rruga do të shtojë ndjeshëm nivelin e jetesës dhe do të gjallërojë ekonominë e zonave në të cilat kalon, kryesisht në Qarkun e Dibrës, i cili ka një popullsi prej rreth 130.000 banorë. Rruga e Arbërit lidh jo vetëm rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin dhe jetën e banorëve që jetojnë në zona, të cilat kanë qenë shumë pak të zhvilluara dhe gati të izoluara deri tani, por nga ana tjetër, ky aks rrugor kombëtar dhe strategjik, do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën e Madhe në Maqedoninë e Veriut, dhe më tej me Tetovën dhe Shkupin. Është një rrugë mjaft panoramike dhe tërheqëse për turistët. Dibranët e kanë ëndërruar për dekada me radhë këtë rrugë, e cila vonoi të realizohej.

Vitin e kaluar, zonën e Matit, Bulqizës dhe Dibrës e kanë vizituar 88 mijë turistë. Në sajë të Rrugës së Arbërit, brenda pak vitesh, këto zona kaq të bukura e mikpritëse të Verilindjes së Shqipërisë, do të vizitohen nga një numër dhjetë herë më i madh turistësh.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku para Tunelit të Murrizit, ka thënë se kjo rrugë është edhe pjesë e Korridorit 8, lidhje europiane infrastrukturore që pritet t’i lidhë me autostradë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Prandaj, ajo ka bërë thirrje deri te Maqedonia që të përgjigjet, t’i kryejë detyrat dhe ta ndërtojë pjesën e ngelur të Korridorit 8 në Maqedoninë e Veriut. “Nuk flitet më për rrugë kombëtare, por flitet për rrugë të korridoreve europiane. Siç ju e dini, ne kemi nisur Korridorin e 8 tani, që është Korridori që ndërlidh Shqipërinë, Italinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë., ka thënë Balluku .

“Rruga e Arbërit bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim në Ballkanin Perëndimor. Jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit të Shqipërisë dhe Dibrës në Maqedoninë e Veriut. Qytetarët dhe ekonomia e këtyre zonave kanë pritur me padurim përfundimin e Rrugës së Arbërit, për të vendosur të gjitha shanset e zhvillimit në prodhimin dhe përpunimin në shkallë industriale të frutave dhe perimeve të njohura të rajonit, si dhe në turizmin rural, bazuar në bukuritë natyrore, mikpritjen e jashtëzakonshme dibrane dhe jetën e gjallë e plot tradita të qyteteve dhe fshatrave të Qarkut Dibër”, ka thënë ministrja shqiptare Belinda Balluku.

Duhet theksuar se rruga është hapur për qarkullim në fund të nëntorit 2021, që atëherë frekuenca e pasagjerëve në vendkalimin “Blatë” në afërsi të Dibrës është rritur. Vitin e kaluar, sipas MPB-së së Maqedonisë së Veriut, në hyrje dhe dalje janë regjistruar 834.345 pasagjerë, prej tyre 672.062 janë të huaj dhe 162.283 shtetas të RMV-së. Krahasuar me një vit më parë, numri është 120,086 pasagjerë më i lartë. Pushteti vendor i Dibrës i kryesuar nga kryetari Hekuran Duka dhe Këshilli i Komunës kanë përshëndetur hapjen oficiale të Rrugës së Arbërit dhe kanë potencuar se kjo rrugë është jetike për zhvillimin e Dibrës. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm