Janë gjithsej 13 rekomandime që Qyteti i Shkupit dhe të gjitha institucionet e tjera, si dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të duhet t’i përmbushin për organizimin e ngjarjeve të tilla. Këto pika nga raporti i monitorimit të grupit monitorues janë theksuar qëllimisht për të bërë më të qartë përgatitjet dhe ecurinë e programeve të parashikuara si standard për një ngjarje të tillë, thuhet në raport
Evis HALILI
Shkup, 16 shkurt – Raporti i Komitetit të Komisionit Evropian, monitorues i qyteteve që kanë fituar titullin “Kryeqytet i Kulturës Evropiane” është skeptik lidhur me fazën përgatitore për zbatimin e programit për Shkupin si “Kryeqytet i Kulturës Evropiane 2028”. Janë gjithsej 13 rekomandime që Qyteti i Shkupit dhe të gjitha institucionet e tjera, si dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të duhet t’i përmbushin për organizimin e ngjarjeve të tilla. Këto pika nga raporti i monitorimit të grupit monitorues janë theksuar qëllimisht për të bërë më të qartë përgatitjet dhe ecurinë e programeve të parashikuara si standard për një ngjarje si Kryeqyteti Evropian i Kulturës, raporton Komisioni Evropian. Komisioni do të thërrasë për një takim të dytë monitorues në vjeshtën e vitit 2026.
Por, përpara këtij takimi, në Raport theksohet se kërkohet një raport i përditësuar të progresit deri në fund të janarit 2025 dhe veprime të tjera të mundshme pasuese për të siguruar që qyteti i Shkupit është në një rrugë të mirë për të ofruar një ECoC në 2028 të standardeve të larta të kërkuara.
Deri tani nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar lidhur me ecurinë e përgatitjeve, as nga Qyteti i Shkupit dhe as nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Raporti i panelit të ekspertëve nga takimi i parë monitorues për ngjarjen Shkupi – Kryeqyteti i Kulturës Evropiane 2028 (Shkupi ECoC 2028), mes të tjerash kërkon nga autoritetet një program të detajuar kulturor dhe artistik me buxhet të përshtatshëm, strukturë organizative, plane monitorimi dhe vlerësimi, si dhe një strategji komunikimi dhe marketingu. Në raportin e publikuar thuhet se shpresohet fuqimisht se Shkupi kësaj radhe do t’i përmbushë zotimet e artikuluara më parë dhe të konfirmuara në takimin e parë monitorues dhe se elementet thelbësore që mungojnë në Raportin e Progresit do të adresohen shpejt.
“Qartësia në lidhje me momentet e ardhshme është e domosdoshme, veçanërisht në lidhje me rekrutimin e drejtorit ekzekutiv, drejtorit artistik dhe stafit tjetër kyç deri në fund të vitit 2024. Paneli thekson rëndësinë e mbajtjes së një kanali të fortë komunikimi me Komisionin Evropian në lidhje me Shkupin 2028. Ndërsa Shkupi përgatitet për këtë vit monumental, është jetike që qyteti të adresojë rekomandimet e paraqitura nga paneli. Krijimi i një organi të pavarur ofrues dhe sigurimi i personelit shumë të kualifikuar, sigurimi i transferimit të njohurive nga ekipet e mëparshme, përmbushja e zotimeve buxhetore, krijimi i një programi të veçantë kulturor, rritja e transparencës dhe angazhimit të komunitetit dhe zhvillimi i partneriteteve strategjike do të jenë thelbësore për suksesin e Shkupit 2028”, thuhet në raport. (koha.mk)