E shtunë, 7 Shtator, 2024
27.8 C
Skopje

Do të presim edhe shumë kohë për gazin! 

Qytetarët e Maqedonisë do të duhet akoma të presin përdorimin e gazit në amvisëritë e tyre. Së fundmi është njoftuar se ka dështuar shpallja e katërt për gazifikimin sekondar që në fakt nënkupton sjelljen e gazit deri tek konsumatori i fundit si ai i privat, ashtu edhe ai i shtetit

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 11 gusht – Qytetarët e Maqedonisë do të duhet akoma të presin përdorimin e gazit në amvisëritë e tyre. Së fundmi është njoftuar se ka dështuar shpallja e katërt për gazifikimin sekondar që në fakt nënkupton sjelljen e gazit deri tek konsumatori i fundit si ai i privat, ashtu edhe ai i shtetit. Qeveria në Gazetën Zyrtare kumtoi se nuk është e pranueshme asnjë nga ofertat e kompanive të interesuara. Shpallja ishte publikuar që në vitin 2019, ndërsa planifikohej që gazifikimi i vendbanimeve urbane të nisë në vitin 2022, shkruan gaqeta KOHA. Në seancën e 30 korrikut, qeveria mori vendim “për anulimin e procedurës për dhënien e kontratës për krijimin e një partneriteti publiko-privat për financimin, projektimin, ndërtimin, menaxhimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit të shpërndarjes së gazit natyror në Republika e Maqedonisë së Veriut”.

“Procedura për dhënien e kontratës për themelimin e partneritetit publiko-privat për financimin, projektimin, ndërtimin, menaxhimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit të shpërndarjes së gazit natyror në Republikën e Maqedonisë së Veriut anulohet në pajtim me nenin 114 paragrafi (1). dhe paragrafi 2 i Ligjit për Prokurimet Publike, sepse nuk është dorëzuar asnjë ofertë e pranueshme”, thuhet në Gazetën Zyrtare.

Zgjedhja ishte mes kompanive turke “Aksa Dogalgas Dagiti A.S” dhe “Palmet Energy Anonim Shirketi” dhe u vlerësuan ofertat e tyre, pasi më parë kishte përfunduar faza e parë e dialogut konkurrues për dhënien e kontratës.

Sa i përket ndërtimit të gazsjellësit dytësor, pra rrjetit që do të sjellë gazin nga gazsjellësi në komuna dhe deri te konsumatorët e fundit në Ministrinë e Ekonomisë kishte arritur vetëm një ofertë, nga kompania ”Kompanitë Anonime Palmet Energy” nga Turqia, ndërsa gjatë procedurës hoqën dorë nga ana e “Aksa Dogalgas Dagiti AS. Paraprakisht, Më 23 shkurt 2024, PALMET Gas Group Inc., në pronësi të PALMET Energy, paraqiti ofertën për Projektin e Partneritetit Publiko-Privat për financimin, projektimin, ndërtimin, dhe zhvillimin e sistemit të shpërndarjes së gazit natyror që do të zbatohet në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Si duket gjatë kontrolleve është konstatuar se oferta e tyre nuk është e pranueshme, andaj do të duhet të përsëritet e gjithë procedura. Kompania e përzgjedhur, sipas kushteve të kontratës, do të duhej të investojë 300 milionë euro për gazifikimin e zonave të banuara në mbarë vendin. Kushdo që fitonte kontratën 35-vjeçare do të kishte të drejtën të menaxhojë dhe gjenerojë të ardhura nga sistemi duke siguruar ngrohje si për institucionet publike, ashtu edhe për sektorin tregtar dhe familjet. Në fazën më të hershme do të duhet të jenë Aerodrom, Butel, Gazi Baba, Gjorçe Petrov, Karposh, Kisella Voda, Qendër, Çair, Gradsko, Demir Kapi, Kavadar, Kriva Pallankë, Kumanovë, Negotinë, Prilep, Sveti Nikollë, Shtip, Manastir, Gostivar, Tetovë, Kratovë dhe më shumë zona rurale në afërsi.

Paraprakisht në muajin shtator 2022, qeveria vendosi të shtyjë edhe një herë nisjen e gazifikimit të vendit dhe sërish për një vit. Kjo do të thotë se do të duhej edhe 12 muaj të tjerë për të lidhur kontratën me operatorin nga partneriteti publiko-privat, i cili do të duhet të sjellë gaz natyror në shtëpi dhe konsumatorë të tjerë.

Në fund të vitit 2021, qeveria kishte marrë edhe një vendim që të shtyjë për një vit procedurën për dhënien e kontratës për krijimin e partneritetit publik-privat për gazifikimin e vendit. Afati prej 24 muajsh, i vendosur 5 vite më parë, tani ishte rritur në 48 muaj.

Për vonesën e mëparshme, argumenti i Qeverisë ishte situata me pandeminë, por këtë herë nuk ka akoma arsye të qartë se pse po vonohet aq më shumë ndërtimi i rrjetit, nëse dihet se ndërtimi i gazsjellësit që vjen nga Selaniku do të realizohet në periudhën e ardhshme. Me fjalë tjera, përskaj sjelljes së gazit nga Greqia dhe sjelljes së tij deri tek amvisëritë në tërë vendin, në të ardhmen sfidë për ekzekutivin në nivel lokal dhe qendror mbetet shtrirja sa më e madhe e përdorimit të gazit, rritja e numrit të përdoruesve në amvisëri, duke u ofruar çmime të kapshme për kyçje në rrjet, me qëllim të përdorimi masovik të gazit për ngrohje. Gjithashtu në Maqedoninë e Veriut me vite, pak përdoret gazi natyror për shkak se nuk është ndërtuar akoma rrjeti sekondar apo dytësor që do të sjell gazin deri tek konsumatorët e fundit si amvisëria, fabrikat apo institucionet e ndryshme publike apo shtetërore.

Burokracia dhe problemet me tjetërsimin e tokës ishin problemet kryesore që ngadalësojnë gazifikimin në vend. Dobësi janë evidentuar edhe në monitorimin e realizimit të kontratave të ndërtimit dhe mbikëqyrjen e ndërtimit të tubacioneve kryesore të gazit, si dhe në mënyrën e mirëmbajtjes së rrjetit të gazsjellësit. Me fjalë tjera, amvisëritë në vend akoma po presin përdorimin e gazit si energjens.

Këtë e konstaton raporti i fundit i Entit shtetëror për Auditim apo Revizion.

Sipas tij, pjesa më e madhe e gazsjellësve magjistral në vend edhe pse të ndërtuar akoma nuk janë në funksion. Në periudhën 2014-2023, për ndërtimin e tubacioneve kryesore të gazit LOT 1-61 km (Kleçovci – BS5 i ndërtuar), LOT 1 – 36 km (BS5 – Negotinë me GMRS Shtip dhe GMRS Negotinë), LOT 2 (Negotinë (Kavadar) – Manastir) dhe LOT 5 ( Km Gostivar – Kërçovë, Leje Ndërtimi) janë lidhur kontrata dhe anekse të kontratave, si dhe kontrata për punë të paparashikuara dhe shtesë në vlerë të përgjithshme prej përafërsisht 156.4 milionë euro.

Konsumi i gazit natyror në vendin tonë është rreth 380 milionë m3 në vit. Pjesa më e madhe përdoret për prodhimin e energjisë elektrike dhe termike dhe një pjesë më e vogël në industri dhe amvisëri në Kumanovë dhe Strumicë. Përdorimi masiv i gazit natyror nga familjet do të varet nga zhvillimi i rrjetit të shpërndarjes nëpër komuna. Sipas revizionit, vonesat kanë ardhur si rrjedhojë e dobësive në regjistrimin e të drejtës së pronësisë të objekteve infrastrukturore së linjës, por edhe zgjidhja e ngadaltë e rasteve të shpronësimeve për të cilat janë paguar afërsisht 2 milionë euro në periudhën 2018-2022.

Për më tepër, Revizioni konstaton se edhe pas 13 vitesh, ndërtimi i tubacioneve kryesore të gazit nuk ka përfunduar plotësisht dhe disa prej tyre nuk janë vënë në përdorim, por gjithashtu nuk ka një plan afatgjatë për zhvillimin e një sistemi të shpërndarjes së gazit natyror në vend, vetëfinancim të plotë të aktiviteti – transmetimi i gazit natyror dhe realizimi i aktiviteteve të ardhshme për ndërlidhje me vendet fqinje. Nuk ka një plan afatgjatë për zhvillimin e sistemit të transmetimit të gazit natyror, i çili ka ndikim në aktivitetet e ardhshme për zgjerimin dhe përmirësimin e sistemit të transmetimit të gazit natyror, si dhe ndërlidhjen e tij me vendet e tjera. Aktualisht Republika e Maqedonisë së Veriut importon gaz natyror në Deve Bair në kufirin me Bullgarinë, thuhet në analizën e Revizionit.

Interkonjektori me fqinjin jugor të vendit tonë duhet t’i sigurojë atij furnizim më të besueshëm të gazit natyror si dhe diversifikimin e burimeve nga të cilat Maqedonia siguronte gazin apo nga Gazpromi rus.

Shteti përfundoi ndërtimin financiar për realizimin e projektit për ndërtimin e Interkonektorit të Gazit me Greqinë duke siguruar 98.6 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Dy vite më parë nisi në qytetin grek të Aleksandoupolit ku filloi ndërtimi i terminalit të gazit të lëngshëm natyror (LNG). Terminali do të përfaqësojë një portë të re energjetike, e cila do të ndihmojë Ballkanin dhe Evropën të jenë më pak të varur nga gazi rus. Në të do të ruhet gaz i lëngshëm, i cili do të përpunohet dhe do të dërgohet në vendet përreth. Gjithashtu, në terminalin e gazit në Aleksandropulos, Maqedonia e Veriut do të marrë pjesë me 10 për qind, ndërsa pjesa e pronësisë në termocentralin e gazit prej 800 megavatësh, një investim i vlerësuar mbi 380 milionë euro, natyror është 25 për qind. (koha.mk)

Artikuj të ngjajshëm