Donatella Versace njoftoi të enjten se do të largohet nga posti i drejtoreshës kreative të Versace, duke i dhënë fund qëndrimit të saj gati 30-vjeçar në krye të perandorisë italiane të modës luksoze.
Versace (69) mori rolin në krye të shtëpisë luksoze të modës pasi vëllai i saj dhe themeluesi Gianni Versace u vra jashtë rezidencës së tij në Miami në vitin 1997.
“Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të vazhdoj trashëgiminë e vëllait tim Gianni”, shkroi Versace në Instagram.
“Ai ishte një gjeni i vërtetë, por shpresoj të kem pak nga shpirti dhe këmbëngulja e tij”.
Gjithashtu u zbulua se Dario Vitale, ish-drejtor i dizajnit dhe imazhit të markës Miu Miu, do të pasojë Donatellën si drejtor kreativ i shtëpisë së modës.
Pas vdekjes së vëllait të saj në 1997 – dhe pavarësisht se nuk kishte përvojë në dizajn apo modë – Versace u bë shpejt mishërimi i gjallë i markës Versace dhe mbeti një figurë e dashur në industrinë e modës.