E diel, 20 Prill, 2025
5.8 C
Skopje

Dora e fshehtë pas shpine!

Hiqet Balanseri dhe në Entin e Statistikës, nga 14 administratorë, nuk pranohet asnjë shqiptar, zgjidhet në krye të një institucioni një antishqiptar i përbetuar, e qeveria nuk paska gisht, votohet kundër mëvetësisë së palestinezëve në OKB, s’dihet kush ka votuar në emër të Maqedonisë…

Nga Daut DAUTI

  1. Tha Mickovski, nuk vijnë shqiptarët te ai, edhe pse ai dashka t’i punësojë, por nuk dojkan të punojnë për 22.000 denarë! Së pari, nuk e dimë nëse dikush në administrate që ka kryer fakultet starton më me 22 mijë, kjo duhet të jetë ndonjë rreng i kryeministrit, ama pusto “mediat opozitare” kishin hulumtuar dhe nuk kishin gjetur në rrethinën e tij kabinetike të ketë ndonjë që merr aq, por gjithë ishin 50-60 mijë e fju-fju! Fatura e heqjes së balanserit, ndërkohë që ende nuk dimë se kur do të sillet ai ligji i paralajmëruar nga VLEN-i që do ta zëvendësojë atë, e as se si do të funksionojë në praktikë, ja po vjen me kamatë. Sepse, ndërkohë, shumë më mirë dhe më bukur po funksionon premtimi i Mickovskit se gjer sa të jetë ai nuk do të ketë punësime etnike….

Që të na i bëjnë gjërat më të qarta, dikujt ndoshta më të mjegulluara seç janë, kujdestaron opozita e Frontit Evropian, e cila këtë javë na e bëri të ditur se në Entin Shtetëror të Statistikës, janë pranuar 14 administratorë të rinj, prej të cilëve asnjë shqiptar!

Kur e kishte lexuar në rrjetet sociale një fqinj imi, i cili shpesh mundohet të blejë ndonjë mendim nga unë saherë që më takon, ishte kapur për koke. Edhe kjo ndodhi a? I gjori, është gjithnjë e më i dëshpëruar nga jo që më shpreh, edhe pse thotë se kishte votuar pikërisht “për ndryshime”. I ishte boktisë BDI-ja për 20 vitet në pushtet, se thoshte, edhe uji më i pastër nëse rri në një vend, bëhet moçal. Por, duket se këta “të vetët” shumë më shpejtë po i dalin hujit me këto bëmat e Qeverisë, prej të cilave përherë dalin si të befasuar.

Vërtet, gjithnjë e më shumë po bëhet problem mënyra se si i koncepton partneri i koalicionit politikën shtetërore, i cili kadadalë-kadalë po ua lëshon ujin nën këmbë, gjersa ata merren se si do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale(me se do të shkojnë vallë në to me gjithë këto obstruksione brenda koalicionit!?), ose se çfarë ka bërë në të kaluarën BDI-ja.

Kthjelluni, hapni sytë.

Nuk e thotë vetëm opozita “dashakeqe” se keni probleme në oborr, por edhe analistë maqedonas, si Pero Arsovski, që mendon se rënia në temat etnike, do të thotë humbje për VLEN-in. E VMRO-ja pikërisht aty po arrin të godasë.

Ka një anegdotë që e tregojnë se si disa shokë kishin shkuar dikur në një aheng për të bërë “kërdinë” sa të fiken dritat, por njëri ishte gjetur në befasi dhe kur ishin fikur dritat i thotë shokut: Ore, kur do të vijnë ato, se unë veç më i hëngra dy shkopinj prapa!

(Versionin më të saktë të anegdotës mund t’ua tregojnë ata që e dinë më mirë…)

  1. E mira vjen fije-fije, e keqja, lëmshe – lëmshe, thotë një fjalë e urtë. Ne jemi të prirë t’i shikojmë gjërat e mira në shoqëri, duke u nisur nga vetvetja, e ne si shqiptarë, nuk shohim shenja inkurajuese. E për ato tjerat, sikur vijnë me shumicë. Ja, çka të thuash e mendosh për qëndrimin e Maqedonisë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut në OKB, ku janë votuar dy rezoluta për Palestinën, e që të dyjat Maqedonia është gjetur në pakicë, me Çekinë dhe Etiopinë, duke votuar kundër mëvetësisë së Palestinës, në kohën e gjenocidit të paparë Gazë. Siç është e njohur, Maqedonia deri tash përherë ka qenë pro mëvetësisë së popullit palestinez dhe kjo kthesë e papritur në qëndrime, le shumë dilema, të cilat çojnë nga mosgjeturia ose konfuzioni në politikën e jashtme, gjer te ndikimet e ngjarjeve ndërkombëtare, ku poashtu nuk ka logjikë edhe sikur të ketë ndonjë taktizim se nga do të fryjë era.

Ajo që e bën edhe më të çuditshëm, e që si kuriozitet u dha bashkë me lajmin, është se ka dilema se kush ka votuar në emër të vendit tonë, pasi shefja e misionit aktual të OKB-së në Maqedoni, Teuta Agai Demjaha, siç shkroi një portal, është tërhequr si ambasadore nga presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkovka.

Edhe më enigmatik, në dukje, por jo dhe në thelb, është emërimi i Petar Boegoevskit në krye të Agjencisë Nacionale për Programe Evropiane dhe Mobilitet të Maqedonisë së Veriut. Ai njihet për paraqitjet antishqiptare (mohon historinë, origjinën, emancipimin, virtytet e popullit shqiptar…) dhe me një gjuhë shumë fyese gjer në vulgaritet, ka zhvlerësuar gjithçka shqiptare… (Vulgriteti i skajshëm i tij nuk na lejon t’ia citojmë në këtë tekst, por ndjekësit e rrjeteve sociale kanë pasur mundësi të lexojnë diçka nga “arsenali” i tij fyes).

Çështja është interesante, njësoj si ajo e votimit në OKB kundër rezolutës për Palestinezët, sepse edhe këtu, qeveria ngre duart nga përgjegjësia për zgjedhjen e Bogoevskit, duke ia adresuar këtë Bordit të Agjencisë, edhe pse mediat citojnë një nen të ligjit, ku adresa e vërtetë është pikërisht qeveria. Nuk e dimë nëse presionet opozitare mund të bëjnë gjë për ta tërhequr zgjedhjen, e sidomos a do ta tërheqë Mickovski për hatër të VLEN-it. Këta të fundit, edhe pse u përpoqën që t’ia adresojnë BDI-së që e ka toleruar Bogoevskin kur ka qenë në pushtet koalicioni VMRO-BDI(para vitit 2017), u gjetën vërtet të papërgatitur. Harruan se paraqitjet antishqiptare datojnë pasi ky doli nga VMRO-ja gjoja si reformist, pra, 4-5 vitet e fundit, në një farë mënyre dhe se pikërisht për shkak të tyre, në gusht të vitit të kaluar këtë person pikërisht VLEN-i e kishte paditur në gjyq për përhapje të urrejtjes ndëretnike.

  1. Përskaj gjithë kaosit të marrëdhënieve brenda koalicionit qeveritar (Taravari me një këmbë jashtë, 3 partitë tjera të VLEN-it para shkrirjes në një parti, e as midis partnerëve maqedonas nuk ka shumë idilë), habisin deklaratat e të gjithëve se marrëdhëniet me Mickovskin I kanë të mire… E po mirë, shumë mirë…

(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm