Zgjedhja e prokurorëve dhe gjykatësve të ri, si dhe shqyrtimi i interpelancave për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, janë aktivitetet që duhet të rrumbullakohen deri të martën e javës së ardhshme, kur edhe është caktuar seanca për interpelancën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Parlamenti. Këto zhvillime jo vetëm që po ndjekin një dinamikë të shpejtë, por gjithashtu po ngrenë pikëpyetje mbi ndikimin politik në sistemin gjyqësor dhe të ardhmen e reformave në këtë fushë kyçe
Ersan PAJAZITI
Shkup, 7 mars – Sistemi gjyqësor është shndërruar në një nga fushëbetejat kryesore të zhvillimeve politike dhe institucionale në vend, ku përplasjet mes pushtetit ekzekutiv dhe organeve të drejtësisë po intensifikohen. Se bëhet fjalë për një periudhë të tensionuar dhe dinamike, dëshmon edhe fakti i aktiviteteve të ngjeshura në këtë fushë.
Zgjedhja e prokurorëve të ri, zgjedhja e gjykatësve të ri, shqyrtimi i interpelancave për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, janë aktivitete që duhet të rrumbullakohen deri të martën e javës së ardhshme, kur edhe është caktuar seanca për interpelancën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Parlamenti. Këto zhvillime jo vetëm që po ndjekin një dinamikë të shpejtë, por gjithashtu po ngrenë pikëpyetje mbi ndikimin politik në sistemin gjyqësor dhe të ardhmen e reformave në këtë fushë kyçe. Ndërsa, mes zhvillimeve që po ndiqen me një interes të veçantë në këtë fushë është edhe iniciativa për shkarkimin e kryeprokurorit Koceski.
KOCESKI: NUK KA BAZË PËR SHKARKIMIN TIM
Prokurori i Përgjithshëm Shtetëror, Ljupço Kocevski, informoi se dje e ka marrë nga Këshilli i Prokurorëve Publikë propozimin për shkarkimin e tij, i cili ishte iniciuar nga Qeveria. Kocevski thotë se, nga ajo që fillimisht ka shqyrtuar në propozimin për shkarkimin e tij, nuk ekziston asnjë bazë për konstatimin e një shkeljeje të rëndë disiplinore si arsye për shkarkimin e tij.
“Gjatë ditës së djeshme, më është dorëzuar propozimi për shkarkim nga ana e Këshillit të Prokurorëve Publikë. Brenda një afati të arsyeshëm do të shprehem për të gjitha pikat. Qëndroj në atë që, nga ajo që pata mundësi të shqyrtoj, në propozim nuk ka asnjë bazë për konstatimin e një shkeljeje të rëndë disiplinore”, deklaroi Prokurori i Përgjithshëm Shtetëror duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Në pyetjen se në çfarë konkretisht bazohet Qeveria në propozimin për shkarkimin e tij, Kocevski tha se ajo i referohet afërsisht të njëjtave gjëra që janë përmendur në media gjatë periudhës së fundit.
Deri tani, Qeveria nuk e ka publikuar përmbajtjen e propozimit për shkarkimin e Kocevskit. Nga ajo që është e njohur deri më tani, në propozimin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë thuhet se Prokurori i Përgjithshëm Shtetëror ka vepruar në çështje në të cilat, sipas dispozitave ligjore, kanë ekzistuar rrethana që ngjallin dyshime mbi paanshmërinë e tij, si dhe konflikt interesi, për të cilat ai është dashur të jetë në dijeni dhe është dashur të përjashtohet nga çështjet në fjalë.
Në lidhje me kallëzimin penal të dorëzuar nga Mustafa Hajrulahi, shefi i pezulluar i Prokurorisë së Lartë Publike në Shkup, kundër Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit, Ljupço Kocevski, për shpërdorim të detyrës dhe autorizimeve, sipas nenit 353 të Kodit Penal, si dhe kallëzimin kundër Tatjana Kacarova, prokurore publike në Prokurorinë Themelore Publike në Shtip, Risto Bojaxhiski, Prokuror i Lartë Publik në Prokurorinë e Lartë Publike në Shtip, dhe Ermon Neziri, anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Kocevski deklaroi se është e çuditshme dhe se nuk ka bazë për përgjegjësi penale.
“Nga ajo që kam dëgjuar nga mediat deri tani, bëhet fjalë për një kallëzim penal vërtet të çuditshëm, të paktën nëse kjo është përmbajtja, se gjoja të tre prokurorët ngarkohen me bashkëkryerje, për faktin se prokurori publik në Shtip ka vepruar në një çështje penale sipas nenit 143, për të cilën është paraparë dënim dhe për të cilën është e domosdoshme të zhvillohet hetim. Kjo në asnjë rast nuk mund të jetë ndonjë bazë për përgjegjësi penale”, tha Kocevski. Ndryshe, sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, Kocevski ka të drejtë të deklarojë me shkrim në lidhje me propozimin për shkarkimin e tij, si dhe të marrë pjesë në seancën parlamentare në të cilën do të debatohet dhe vendoset për propozimin. Pëndryshe, Këshilli i Prokurorëve Publikë ka afat prej 15 ditësh për të dhënë mendimin e tij për propozimin për shkarkimin e Kocevskit, dhe në pajtim me Ligjin për Prokurorinë Publike, ky afat mund të vazhdohet edhe për 15 ditë nëse ka arsye të arsyeshme për këtë.
FILIPÇE: POLITIKA TË HEQ DUART NGA GJYQËSORI
Duke komentuar ndodhitë e fundit në gjyqësor kryetari i LSDM-së Venko Filipçe theksoi se kur politikanët të pushojnë së vënë duart mbi gjyqësorin dhe kur të zbatohen reformat e nevojshme në përputhje me agjendën e reformave, përmirësimi i situatës në të do të jetë i dukshëm për të gjithë. “Përderisa merremi me vendime personale, qoftë njëri apo tjetri, të cilët i shohim tani ashtu siç janë, nuk do të kemi një gjyqësor të pavarur. VMRO-DPMNE solli një gjyqtar dhe një prokuror, njëri prej të cilëve është i afërm i kryetarit të Radovishit, tjetri i zëvendëskryeministrit. Kjo është reforma në drejtësi?”, theksoi Filipçe.
Ai përsëriti qëndrimin e LSDM-së për zbatimin e agjendës reformuese që është konfirmuar nga Bashkimi Evropian, të cilën e sheh si mënyrë të duhur për të vendosur një rend në sistemin e drejtësisë. “Në kuadër të kësaj pakoje të ligjeve është edhe Kodi i ri Penal, Ligji i ri për Prokurorin Publik, pakoja e ligjeve për Këshillin Gjyqësor që duhet të miratohet deri në qershor të vitit 2025 dhe disa prej tyre nuk janë vënë fare në procedurë nga Ministria e Drejtësisë”, tha Filipçe, duke përkujtuar se miratimi i ligjeve nga agjenda e reformave është i lidhur me obligimet nga Plani i Rritjes, i cili i sjell vendit një shumë serioze të parave, 80 milionë euro. Nëse ligjet nuk miratohen sipas afateve të parapara, këto mjete në formë të granteve dhe mjeteve nuk do të vihen në dispozicion”, theksoi Filipçe.
VENDI PËPRBALLET ME MUNGESË TË PROKURORËVE DHE GJYKATËSVE
Aktualisht në vend mungojnë rreth 100 prokurorë, ndërsa janë të plotësuara më pak se dy të tretat, ose vetëm 164 nga gjithsej 261 vende të parashikuara sipas sistematizimit për pozitat e prokurorëve publikë në nivel shtetëror. Kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publik, Dushica Dimitrievska, së fundmi theksoi se kjo është një problematikë serioze, e cila reflektohet në disa aspekte. “Vetë mungesa e prokurorëve publikë ndikon jo vetëm në cilësinë e hetimeve, por edhe në efikasitetin e vetë procedurave,” tha Dimitrievska. Ngjashëm me prokurorinë, edhe gjyqësori përballet me mungesë të kuadrit.
“Në asnjë nga gjykatat e kontrolluara nuk është plotësuar numri i sistematizuar i vendeve gjyqësore”, ka konstatuar Komisioni për mbikëqyrje mbi zbatimin e dispozitave të Rregullores Gjyqësore dhe mbi zbatimin e dispozitave të Ligjit për menaxhimin e lëvizjes së lëndëve në gjykata për vitin 2024. Siç njoftoi Ministria e Drejtësisë, ndërsa tek përdorimi i sistemit AKMIS nuk janë gjetur parregullsi, mbikëqyrja ka konstatuar një numër dobësish të tjera për të cilat Ministria ka dorëzuar rekomandime. Mbikëqyrja ka përcaktuar se gjykatat përballen me mungesë të gjyqtarëve dhe të punonjësve administrativë dhe se Këshilli Gjyqësor duhet të bëjë një përzgjedhje urgjente të gjyqtarëve me qëllim që të sigurohet plotësimi i vendeve në gjykata. Megjithatë, ka pasur edhe probleme të tjera. (koha.mk)