Ora 23:00
Pendarovski dyfish më pak se Siljanovska Davkova, Osmani bindshëm para Taravarit
Rezultatet e para që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i publikon në ueb faqen e saj tregojnë se nga 80 për qind e votave të përpunuara, gjegjësisht 2806 nga gjithsej 3508 vendvotime, prin kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova me 282.075 vota (39.82%), para Stevo Pendarovskit nga LSDM-ja me 137 450 vota (19.42%). Bujar Osmani i Frontit Evropian ka marrë 104.143 vota 14.14%, derisa Arben Taravari i koalicionit VLEN ka marrë 73.486 ose 9.98% të votave.
Ora 22:57
Procesi zgjedhor kaloi në atmosferë të qetë, të sigurt dhe demokratike
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, zëvendësministri plotësues, Mitko Bojmacaliev, në një konferencë të përbashkët për media, në prani të drejtorit të Byrosë për siguri publike, Sasho Tasevski dhe ndihmës-ministrit për marrëdhënie me publikun, Toni Angellovski, vlerësuan se dita e sotme e zgjedhjeve, në të cilën qytetarët votuan për zgjedhjen e Presidentit të vendit kaloi në një atmosferë të qetë, të sigurt dhe demokratike, siç i ka hije një vendi demokratik që aspiron të jetë pjesë e botës moderne perëndimore.
“Dita e sotme e zgjedhjeve, ku qytetarët votuan për zgjedhjen e Presidentit të shtetit, u zhvillua në një atmosferë të sigurt, të qetë dhe demokratike, siç i ka hije një vendi demokratik që aspiron të jetë pjesë e botës moderne perëndimore. Pa dyshim që zgjedhjet e qeta dhe të sigurta janë rezultat i bashkëpunimit të mirë të policisë, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe të gjithë aktorëve të tjerë që u përfshinë në realizimin e këtij procesi zgjedhor, i cili kaloi pa pengesa dhe incidente të mëdha. Në këtë kontekst, dua të shpreh mirënjohjen time për punonjësit e policisë që me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre kontribuan në ruajtjen e sigurisë së qendrave të votimit dhe vepruan në mënyrë adekuate aty ku u konstatuan parregullsi zgjedhore”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Sipas tij këto zgjedhje ishin një test tjetër për demokracinë dhe në këtë drejtim, dua të përgëzoj qytetarët që dolën në qendrat e votimit dhe përmbushën detyrën e tyre qytetare, duke theksuar edhe një herë kapacitetin demokratik të shtetit dhe rëndësinë e rolit të tyre aktiv në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
Duke marrë parasysh informacionet që kam marrë nga shërbimet kompetente analitike në MPB, gjatë ditës së sotme janë regjistruar disa ngjarje që kanë të bëjnë me fotografimin e fletës së votimit, raportime për agjitim në qendrën e votimit dhe parregullsi të tjera të vogla, por jo incidente më të rënda që synojnë prishjen e rregullsisë së procesit zgjedhor. MPB-ja në bazë të kallëzimeve të parashtruara ka konstatuar 6 shkelje të nenit 190 të Kodit Zgjedhor dhe do të bëhen 2 kallëzime penale, një për veprën penale “Shkelje e fshehtësisë së votimit” nga neni 163 i KP dhe një për “Shkelje të së drejtës së votës” të parashikuar dhe të dënueshme sipas nenit 159 të KP.
Ora 22:45
Siljanovska Davkova feston me VMRO-në: Erdhi koha jonë
Kandidatja për presidente e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova tha se po posaçërisht është krenare me gratë në Maqedoninë e Veriut. Davkova tha se edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të vazhdojë të sillet njëjtë me kundërkandidatin e saj.
“Posaçërisht jam krenare me gratë në Maqedoni, pa dallim përkatësie, mendoj se është koha për identifikim të gruas me gruan pa dallim se cilës kategori të shoqërisë, ideologjisë, partisë politike i përket. Gratë kanë qenë inspirimi im . Mendoj se edhe unë e tyre. Jam e lumtur që ditëve takoj edhe gra të partive tjera politike që më thonë se vjen koha jonë. Nuk do të sillemi ne si burrat në histori, nuk do të ndërtojmë matriarhat, por do të tregojmë se pa dallim se ku jemi, kemi me vete dituri, mençuri, energji, kreacion dhe se është e radhës që kjo shoqëri ta shfrytëzojë të gjithë këtë”, tha Davkova.
Ora 22:30
Fronti Evropian festë në Tetovë dhe Shkup
Mbështetësit e BDI-së, në selinë e BDI-së në Tetovë, por edhe sheshin “Skënderbeu” në Shkup, kanë festuar pas shpalljes së rezultateve të para nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale ku kandidati i tyre për president Bujar Osmani është në vendin e tretë para kandidatit të opozitës së bashkuar shqiptare nga VLEN, Arben Taravari.
Zëvendëskryeministri dhe ministri për Sistem politik nga radhët e BDI-së Artan Grubi sonte në sheshin Skënderbeu në Shkup ku është locuar edhe Shtabi zgjedhor i kundërkandidatit Taravari, deklaroi se kjo është një fitore spektakolare për koalicionin e Frontit evropian të udhëhequr nga BDI.
“Festojmë fitoren e Frontit evropian. Festojmë sepse do të marrim mbi 20 deputetë më 8 maj në zgjedhjet parlamentare. Festojmë çlirimin e Çairit, Tetovës, Gostivarit, Zhelinës dhe të gjitha komunave të tjera të okupuara me ndihmën e VMRO-DPMNE-së, Të Majtës, Dodikut, Putinit dhe Vuçiqit. Sot është dita e çlirimit, siç do të jetë edhe 8 maji, një ditë para Ditës së Evropës”, ka thënë Grubi.
Ora 22:05
Osmani shpall fitoren, ka porosi për Taravarin: Me dinjitet të pranohet humbja, por edhe fitorja
Bujar Osmani përmes një preskonference shpalli fitoren e Frontit Europian, që siç tha, fitore të thellë me 40 mijë vota diferencë. Osmani tha se që kanë shënuar fitore pothuajse në çdo komunë, ndërsa ka dërguar porosi kundërshtarit të tij Arben Taravarit nga VLEN.
“Arben pavarësisht goditjeve të ulëta patëm një fushatë të ndershme dhe fer që me dinjitet sot të pranohet humbja dhe poashtu dhe fitorja. Vullneti i popullit është ai që përcakton karierat tona. Duhet të pranojmë këtë vullnet por edhe mesazhin që e dërguan sot shqiptarët dhe gjitha komunitetet tjera”, u shpreh Osmani.
Ora 21:40
Ky është rezultati i 70% të kutive të numëruara
Nga 2490 vendvotime të numëruara tashmë, nga gjithsej 3508 që ekzistojnë gjithsej, kryeson bindshëm dyfish më shumë Gordana Siljanovska Davkova kundrejt Stevo Pendarovskit dhe Bujar Osmani prej 30 mijë vota para Arben Taravarit. Siljanovska Davkova ka 247.366 vota ose 39.15%, Pendarovski 121.228 ose 19.19%, Bujar Osmani 92.135 ose 14.58%, ndërsa 66.262 vota ose 10.49%.
Ora 21:12
Osmani gjithandej para Taravarit, ky është rezultati përfundimtar në disa komuna
Në Butel, Bogovinë, Haraçinë, Likovë, Çair… Bujar Osmani kryeson me vota para kandidatit të koalicionit VLEN, Arben Taravari. Informatat jozyrtare, por që konfirmohen nga shtabet zgjedhore të partive politike, tregojnë se Bujar Osmani me gjasë do të dalë deri 30.000 vota para Arben Taravarit. Rezultatet përfundimtare në disa komuna me shumicë shqiptarë:
ÇAIR
- Osmani 11.425
- Taravari 9736
BOGOVINË
- Osmani 5208
- Taravari 3781
LIKOVË
- Osmani 5250
- Taravari 3901
HARAÇINË
- Osmani 1845
- Taravari 1089
ZHELINA:
- Osmani 3515
- Taravari 3213
BUTEL
- Osmani 3136
- Taravari 2386
Ora 21:00
Siljanovska Davkova dyfish më shumë se Pendarovski, Osmani më shumë se 20.000 para Taravarit
Numërohen gjysma e kutive të vendvotimeve. Rezultatet e KSHZ-së tregojnë se në 1998 kuti votimi tashmë të numëruara (nga gjithsej 3508), ose 57% vota të numëruara, del që Gordana Siljanovska Davkova ka marrë 185.489 vota, Stevo Pendarovski 91.459, Bujar Osmani 78.312, Arben Taravari 57.722, Maksim Dimitrievski 39.624, Biljana Vankovska 21.830, ndërsa I fundit renditet Stevço Jakimovski me 4710 vota.
Ora 20:47
Osmani kryeson në Çair dhe Likovë, ky është rezultati përfundimtar
Kandidati për President i Frontit Evropian, Bujar Osmani ka dalë para me vota në vendvotimet e Komunës së Çairit, pak më shumë se 1500 vota para kandidatit të koalicionit VLEN, Arben Taravari. Në Çair, informatat e para nga Shtabet zgjedhore thonë se për Bujar Osmanin kanë votuar 11.425 qytetarë, ndërsa për Taravarin 9736.
Osmani para taravarit është edhe në Komunën e Likovës. Rezultati përfundimtar në vendvotimet e Likovës është – 5250 vota për Bujar Osmanin dhe 3901 për Arben Taravarin. (koha.mk)
Ora 20:24
Votuan 801.074 qytetarë, 48.46% e votuesve
Nga KSHZ njoftuan se deri në orën 18:30 jehona e votuesve në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ka qenë 48.46 për qind. Sipas nënkryetares së KSHZ-së, Ditmire Shehu, kanë votuar 801.074 votues.
“Në të gjitha vendvotimet që ka pasur ndërprerje më tepër se 1 orë, votimi do të vazhdojë në ato vendvotime, në ata komuna dhe ata janë: Në komunën e Demir Hisarit një vendvotim, në komunën e Likovës një vendvotim, në komunën e Dellçevës një vendvotim dhe në komunën e Mogillës një vendvotim”, tha Shehu.
Ora 20:14
Taravari: Jehona më e madhe në këto zgjedhje tregon se ndryshimet po vijnë
Arben Taravari, kandidat për president i koalicionit opozitar shqiptar “Vlen” në konferencën e parë pas mbylljes së vendvotimeve njoftoi se në këto zgjedhje ka jehonë më të madhe se sa në zgjedhjet e kaluara, që, sipas tij, tregon se ndryshimet po vijnë.
“Si ‘Vlen’ jemi shumë të lumtur që fituam vota kryesisht nga shqiptarët. Tani ndryshimet tashmë janë në kutitë të cilat tashmë po hapen. Shpresoj se komisionerët tanë, vëzhguesit tanë do t’i kontrollojnë dhe nuk do të lejojnë të ketë keqpërdorime dhe të garantohet se çdo votë që është dhënë në mënyrë demokratike do të dalë në pah. Zëri i qytetarit asesi nuk duhet të keqpërdoret”, tha Taravari.
Më 8 maj pret fitore të koalicionit “Vlen” dhe ardhjen e ndryshimit me shkuarjen e BDI-së në opozitë.
Ora 19:58
Ankohet Mucunski: Në Saraj u bë presion votuesve
Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE mbajti konferencë për media ku iu drejtua qytetarëve menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Mucunski tha se kryesisht procesi zgjedhor u zhvillua në një atmosferë të drejtë dhe demokratike, me disa parregullsi.
“Më lejoni të përgëzoj popullin maqedonas, qytetarët, për vetëdijen e lartë demokratike për pjesëmarrjen e madhe. Nga pikëpamja e procesit zgjedhor, ai u zhvillua në një atmosferë të drejtë dhe demokratike me parregullsi të vogla nga ana e partisë në pushtet. Vërehet presion mbi votuesit në një vendvotim në Saraj, një seli e improvizuar afër shkollës Goce Dellçev në Gostivar. Janë raportuar raste të votimit familjar dhe janë paralajmëruar nga zyrtarët. Në Kumanovë janë vërejtur parregullsi si mosfunksionimi i aparateve për gjurmë gishtash apo mungesë vule. Në një qendër votimi, pavarësisht mungesës së vulës, këshilli zgjedhor vendosi të vazhdojë votimin”, tha Mucunski.
Ora 19:45
Ademi: Presim fitore të madhe, fitore historike
Arbër Ademi nga BDI ka theksuar se Fronti Europian për kandidatine e tyre Bujar Osmanin presin fitore të madhe, fitore historike.
“Votim të qetë, proces të lirë dhe të ndershëm, i përgëzoj të gjitha partitë për procesin. Vullneti juaj është regjistruar dhe kjo është e rëndësishme dhe thelbi i demokracisë. Kishim një fushatë aktive dhe pozitive dhe ishte fushatë europiane, faleminderit partitë e Frontit dhe pjesëmarrësit e Frontit”, tha Ademi.
Ora 19:40
Kovaçevski: Kemi dy opsione, të zgjedhim progres ose regres!
Ne gjatë shtatë viteve të kaluara, e kthyem bashkë me qytetarët, demokracinë në shtet. Për këtë besoj se qytetarët kanë besim në procesin zgjedhor dhe këtë do ta tregojnë me numrin e votave të tyre. Këtë sot e theksoi lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në deklaratë për mediat, pasi votoi për president të shtetit.
“Sot është ditë e madhe – rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Pres që qytetarët ta shfrytëzojnë në numër të madh të drejtën e tyre të votës. Sot është hapi i parë drejt vendimit të madh, hapi i parë në rrethin e parë, në zgjedhjet presidenciale, në të cilin do të përcaktojmë se në çfarë drejtimi do të ecë shteti. Hapi i dytë i madh na pret më 8 maj, kur do të jetë rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, edhe në zgjedhjet parlamentare, në të cilat qytetarët do të vendosin për drejtimin në të cilin do të lëvizë shteti”, deklaroi Kovaçevski.
Sipas kryetarit të LSDM-së, opsionet janë nëse do të zgjedhim të kthehemi në të kaluarën, të cilën duam ta harrojmë ose do të zgjedhim progres dhe të ardhme më të ndritur.
Ora 19:42
Mickoski: Bashkërisht ta caktojmë trajektoren nëpër të cilën do të lëvizim
Sa më i madh numri i atyre të cilët votojnë, aq më të fuqishme do të jenë ndryshimet. Me dalje masive në zgjedhje, bashkërisht e përcaktojmë trajektoren nëpër të cilën do të lëvizim, porositi sot kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Pas votimit në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në vendvotimin në SHF “Dimo Haxhi Dimov” në Komunën e Karposhit, Mickoski theksoi se e tërë fuqia është në duar të qytetarëve, ndërsa qindra të cilët gjatë periudhës së kaluar kanë vendosur, janë të pazëshëm.
Sipas tij, sa më i madh numri i atyre të cilët votojnë, siç tha, ndryshimet do të jenë më të fuqishme. “Prandaj bëj thirrje për dalje masive, qytetarët të dalin dhe të votojnë dhe bashkërisht ta caktojmë trajektoren nëpër të cilën do të lëvizim”, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së Mickoski.
Ora 19:40
Mexhiti: Ndryshimi është numri 6
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti e realizoi të drejtën e votës për Zgjedhjet presidenciale 2024. Ai me këtë rast përçoi porosinë se demokraci do të thotë NDRYSHIM përmes VOTËS, e ndryshimi është te numri 6.
“Sot kohë e bukur dhe me diell. Kjo kohë e mirë na fton të votojmë njeriun pozitiv, doktorin e pakorruptuar, Arben Taravarin. Demokraci do të thotë NDRYSHIM përmes VOTËS. E ndryshimi është te numri 6”, ka thënë Mexhiti.
LAST UPDATE Ora 19:35
Osmani: Besoj në një fitore të madhe
Kandidati për President nga radhët e Frontit Evropian, Bujar Osmani, pas votimit tha se beson në një fitore të madhe. Osmani bëri thirrje për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. “Unë mendoj se këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, janë vendimtare për të ardhmen e vendit tonë, sepse vendi është në udhëkryq, janë dy opsione para nesh dhe qytetarët duhet të vendosin për njërin nga këto, integrimin apo izolimin. Besoj në fitoren e madhe evropiane në këto zgjedhje vendimtare për të ardhmen e vendit”, tha Osmani.
LAST UPDATE Ora 19:30
Taravari: Do të pranojmë verdiktin e popullit
Kandidati për President nga koalicioni VLEN, Arben Taravari, i shoqëruar nga familja e tij më të afërt, e ka realizuar të drejtën e votës në vendvotimin në SHFK “Vëllazërim-Bashkimi” në Gostivar. Ai tha se është nder dhe kënaqësi të votoj me familjen dhe ta shfrytëzoj këtë detyrë qytetare.
“Është një kënaqësi e veçantë që djali i vogël voton për herë të parë këtë vit. Mesazhi im për të gjithë është që këto zgjedhje të jenë të ndershme dhe demokratike dhe të fitojë njeriu më i mirë. Ne do të pranojmë çdo rezultat. Atmosfera është e mirë, ka entuziazëm dhe shoh që qytetarët dolën masivisht, që është një shenjë e mirë për opozitën, tha Taravari.
Ora 19:25
Siljanovska-Davkova: Koha që të shkojë ky pushtet
Bëni zgjedhjen e duhur, krahasoni jo vetëm programet, krahasoni se çka ka ndodhur. Unë isha në Kuvend, ndërsa presidenti i tanishëm, ishte president dhe mendoj se shumë lehtë mund të merrni vendim, i porositi votuesit Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate për presidente të shtetit e mbështetur nga Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja, pas shfrytëzimit të të drejtës së votës për zgjedhjet presidenciale në vendvotimin 2866 në SHF “Kole Nedellkovski” në Shkup.
“Nëse dita shihet nga mëngjesi, ndërsa mendoj në mëngjesin e djeshëm, atëherë erdhi diçka që unë në ditën e fundit të mitingut e quajta – erdhi koha, erdhi ora të shkojë ky pushtet. Unë asnjëherë nuk agjitoj për vete, qytetarët e dinë se për kë të votojnë dhe e dinë që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës”, deklaroi Siljanovska Davkova.
Ora 19:20
Një shtet që negocion me BE-në, nuk guxon t’i lejojë vetes proces të keq zgjedhor
Një shtet që negocion me Bashkimin Evropian nuk guxon t’i lejojë vetes proces të keq zgjedhor, porositi sot paradite kandidati presidencial, Stevo Pendarovski. Pasi që votoi në vendvotimin e tij, Pendarovski deklaroi se pret ditë të qetë zgjedhore.
“Sot pres ditë të qetë zgjedhore, rreth të qetë, të parë zgjedhor. Kuptohet, ashtu pres të jetë edhe më 8 maj, kur do të kemi zgjedhje parlamentare dhe rreth të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Kjo është jashtëzakonisht me rëndësi, jo aq për karrierat individuale të secilit prej nesh, kandidatëve në këto zgjedhje presidenciale, por është jashtëzakonisht me rëndësi për tërë shtetin sepse një shtet i cili negocion me BE-në nuk guxon t’i lejojë vetes proces të keq zgjedhor”, theksoi Pendarovski. Sipas tij, shteti si i pavarur tashmë mbi 30 vite, ka kaluar shumë cikle zgjedhore. “Shpresoj, si herën e kaluar, ashtu edhe tani, se votimi do të jetë me ruajtje të standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare”, tha Pendarovski.
Ora 19:10
Edhe pesë raste të fotografimit të fletës së votimit
Gjatë votimit të sotëm, përveç ngjarjeve për të cilat u informua në konferencën për shtyp të ndihmësministrit për Marrëdhënie me Publikun, Toni Angellovski, nga ana e MPB-së, nga ana e MPB-së janë regjistruar edhe ngjarjet në vijim:
-Në ora 11:10 minita u raportua se në fshatin Kodalia, komuna e Radovishit në vendvotimin nr. 1602, S.A. nga fshati Koxhali ka fotografuar fletën e votimit. Po merren masa për zbardhjen e rastit, pas së cilës do të parashtrohet kallëzim përkatës.
-Rreth orës12.15 minita u raportua se në vendvotimin nr. 2683/1 në Shkup A.S. (40) nga Shkupi ka fotografuar fletën e votimit. Po ndërmerren masa për të zbardhjen e rastit, pas së cilës do të parashtrohet kallëzim përkatës.
-Rreth orës 12.15 minuta u raportua se A.I. (48) nga Ohri në vendvotimin nr. 1271 në Ohër ka fotografuar fletën e viotimit. Ai u arrestua në stacion policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit kundër tij do të prashtrohet kallëzim përkatës.
-Në ora 12:35 minuta u raportua se në vendvotimin nr.0006 në Berovë, D.T. (42) ka fotografuar fletën e votimit. D.T. u arrestua në stacion policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit kundër tij do të pçarashtrohet kallëzim përkatës.
-Në ora13:57 u raportua se në vendvotimin nr. 2555 në Shkup, S.S. Ajo ka fotografuar fletën e votimit. Po merren masa për zbardhjen e rastit, pas së cilës do të parashtrohet kallëzim përkatës.
Ora 19:00
Rezultatet e para jozyrtare KSHZ-ja do t’i komunikojë rreth mesnatës
Rezultatet fillestare jozyrtare nga rrethi i parë në Zgjedhjet presidenciale, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) do t’i publikojë rreth mesnatës.
“Ne në ora 19:30 kemi edhe një konferencë për shtyp, në të cilën do të komunikohet jehona e përgjithshme e rrethit të parë të Zgjedhjeve presidenciale. Duke pasur parasysh se të dhënat i kemi marrë nga Komisionet komunale zgjedhore me ndihmën e personave të IT shpresojmë se para mesnatës do t’i kemi rezulattet në mbi 50 për qind dhe do të mund t’i publikojmë”, tha kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski pasdite në konferencën për shtyp.
I pyetur nëse ka të dhëna për ndërprerje të votimit në vendvotime të caktuara theksoi se ankesa dhe të dhëna zyrtare ka vetëm për tre vendvotime në Kumanovë, një ku është humbur vula, ndërsa në dy për shkak se nuk ka punuar pajisja për verifikim biometrik. Ditmire Shehu sqaroi se konform Kodit zgjedhor në vende ku votimi nuk ka filluar më shumë se tre orë, kjo ndërpritet, ndërsa të tilla kanë qenë tre vende në Kumanovë.
“Në vendvotimet tjera votimi zhvillohet normalisht. Atje ku ka ndërprerje më pak se tre orë, si gjysmë ore ose një orë, në ato vende do të vazhdojë votimi për për aq kohë sa ka qenë ndërprerja. Nga vendvotimet tjera si KSHZ nuk kemi kurrfarë ankesa zyrtare të dërguara deri te ne as deri te komisionet komunale zgjedhore, as deri te këshillat zgjedhorë sepse jemi në koordinim me të gjithë ata”, tha nënkryetarja Shehu.
Në pyetjen e gazetarëve për atë nëse KSHZ-ja ka të dhëna se në Listat zgjedhore ka pasur edhe persona të vdekur, ajo theksoi se Komisioni i merr të dhënat nga MPB-ja dhe Drejtoria për udhëheqje të librave amë. Shtoi se katër herë në vit KSHZ-ja e pastron Listën zgjedhore me të dhëna, që i merr nga institucione tjera me të cilët, siç tha është në koordinim të përhershëm.
Gjithashtu, ka pasur edhe raste, në të cilat numër i caktuar i zgjedhësve nuk janë gjetur në listat e votimit dhe atyre, siç sqaroi Dashtevski u është mundësuar të parashtrojnë ankesë, i cili përmes KKZ-së vjen në KSHZ.
“E kërkojmë këtu në listë, sepse nuk figuron, nëse çdo gjë është në rregull dhe shihni mjaft kundërshtime, i miratojmë me zgjidhje, i lejohet të votojë”, tha Dashtevski, duke shtuar se bëhet fjalë për njëqind persona të tillë.
Më herët ai ka bërë të ditur se jehona në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale deri në orën 17:00 ka qenë 44,18 për qind, sipas të dhënave të KSHZ-së nga 1788 vendvotime. Nga gjithsej 899.977 votues të regjistruar, në këto qendra votimi kanë votuar 397.612 votues. Deri në orën 17:00 në KSHZ janë dorëzuar 308 ankesa për mbrojtjen e të drejtave personale të votimit, nga të cilat 75 janë pranuar dhe votuesve iu është mundësuar të ushtrojnë të drejtën e votës, 25 janë shpallur si të parregullta, 38 janë refuzuar dhe pjesa tjetër janë duke u përpunuar.
Ora 18:55
Dhjetëra ankesa te Avokati i Popullit, kryesisht për shkelje të të drejtës së votës
Në linjën telefonike falas në zyrën e Avokatit të Popullit deri më tani kanë telefonuar dhjetëra qytetarë, të cilët janë ankuar se u është shkelur e drejta e votës. Avokati i Popullit do të marrë masa të menjëhershme për veprim efektiv, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të votës së qytetarëve.
Përveç linjës telefonike falas, shkeljet e të drejtës së votës, qytetarët mund t’i raportojnë edhe personalisht në zyrën qendrore në Shkup.
Shkeljet e të drejtës së votës mund të lajmërohen edhe në zyrat rajonale në Strumicë në tel. Nr.(045).228-586, Tetovë në tel. Nr (044) 344-082, Manastir në tel. Nr (047) 242-310, Shtip në tel. nr. (032) 389-701 dhe në Kumanovë në tel. nr (031) 431-488.
Ndryshe, qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot votojnë për presidentin e vendit. Kutitë e votimit janë hapur që në orën 7:00, ndërsa do të mbyllen në orën 19:00. Të drejtë vote kanë 1.814.317 persona ndërsa 1.713.758 votues janë të regjistruar për votim në 3.480 vendvotime në tërë vendin. Në garë janë 7 kandidatë, kurse këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale.
Ora 18:24
Ndërpritet votimi në një vendvotim në Likovë, dyshohet për keqpërdorime
Ndërpritet votimi në vendvotimi 1112/1 në Likovë, shkruan Alsat. Aty dyshohet për keqpërdorime, për të ashtuquajturin ‘tren bullgar’. Anëtar të KSHZ nuk lejojnë që ky keqpërdorim të evidentohet në raportin e vëzhguesve derisa policia tashmë është e pranishme.
Ora 17:44
Deri në ora 17:00, jehona e votuesve është 44.18%
Nënkryetarja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ditmire Shehu njoftoi se deri në ora 17:00, jehona e votuesve në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale është 44.18%.
“Kanë votuar 397.612 votues, respektivisht 44.18 për qind”, tha Shehu.
Ora 17:17
Dalja në Strugë deri në orën 15:00, 23 për qind
Deri në orën 15 në Strugë 23 për qind nga gjithsej 60.894 votues e kanë realizuar të drejtën e tyre të votës në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ndërsa në Vevçan kanë votuar 45 për qind prej 2.072 votuesve të regjistruar. Kryetarët e komisioneve komunale zgjedhore, Minir Zhuta dhe Menka Kukoska informojnë se votimi zhvillohet pa kurrfarë dëmtimesh në procesin e zgjedhjeve.
Kutitë e votimit në dy komunat ishin hapur në mëngjes në orën 7. Në Komunën e Strugës votohet në 101 vendvotime, përderisa në Vevçan qytetarët të drejtën e tyre të votës mund ta realizojnë në tre vendvotime.
Ora 17:14
Në Gostivar kanë votuar mbi 20 mijë qytetarë
Deri në orën 15 në komunën e Gostivarit në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale kanë votuar 20.687 qytetarë, gjegjësisht 25,41 për qind. Nga KKZ Gostivar informojnë se nuk ka pasur probleme të mëdha në procesin e zgjedhjeve, përveç disa vështirësive me aparatet për leximin e shenjave të gishtërinjve.
Në komunën e Gostivarit të drejtë vote kanë 81.517 votues të regjistruar në listën zgjedhore të cilët sot votojnë në 121 vende të votimit.
Ora 17:13
Procesi në Likovë po zhvillohet pa pengesa
Procesi zgjedhor në Likovë po zhvillohet qetë, pa pengesa dhe pa ndonjë parregullsi. Ndodhemi në shkollën Anton Zako Çajupi në fshatin Hotël ku të drejtë vote kanë rreth 2500 qytetarë, ndërsa vlerësohet se deri më tani këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 700 prej tyre, raporton gazetarja Lirije Dibrani nga TV21.
“Procesi zgjedhor është në rregull. Po rritet fluksi i daljes deri më tani kishim 700 por tani për një kohë shumë të shkurtë janë 760, ku numrin total është mbi 2600 votues. Duke marrë parasysh edhe ciklet e kaluara zgjedhore zakonisht në vendet rurale për shkak të angazhimeve që i kanë banorët fluksi më i madh është pas orës 15 deri në orën 19”, tha Rijad Fetai koordinato i zgjedhjeve në fshatin Hotël.
Ora 16:39
Në Kumanovë në tre vendvotime është ndërprerë votimi
Në dy vendvotime në Kumanovë për shkak të mosfunksionimit të aparateve UBIG nuk janë hapur me kohë vendvotimet, në një vend 1090 është humbur vula, informuan sot nga KKZ Kumanovë. “Sot në mëngjes në Kumanovë ishin hapur 164 nga gjithsej 167 vendvotimet. Tre nuk ishin hapur. 1075 për shkak se nuk ishte në funksion aparati UBIG më shumë se tri orë, edhe krahas të gjitha përpjekjeve që të sillen të reja. Gjithashtu edhe për vendvotimin 1100, përderisa në vendvotimin 1090, ka humbur vula. Në këto vende sipas informacioneve të mia nuk është vazhduar votimi gjatë ditës. U prit vendimi i KSHZ-së për ndërprerje të votimit dhe votimi do të përsëritet”, deklaroi kryetarja e KKZ Kumanovë, Elizabeta Stojkovska.
Lidhur me vendvotimet e tjera nuk ka ndonjë vërejtje të veçantë për aparatet UBIG në disa vende. “Në vendvotimet nuk ka vërejtje zakonisht aparati UBIG kur nuk e regjistron shenjën e gishtit, por ekziston mënyra që të votohet me letërnjoftim nëse votuesi është regjistruar në listën zgjedhore, e realizon të drejtën e votës”, deklaroi Stojkovska.
Ora 16:19
Deri në orën 15:00 dalja në zgjedhje është 35.89 për qind
Deri në orën 15:00 dalja në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale është 35,89 për qind, sipas të dhënave të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve (KSHZ) nga 2110 vendvotime. “Votimi deri më tani është zhvilluar qetë në të gjitha vendvotimet”, informojnë nga KSHZ. Nga gjithsej 1.092 341 votues të regjistruar në këto vendvotime, kanë votuar 392 066, respektivisht 35.89 për qind.
Sipas të dhënave të deritanishme lidhur me daljen, dalje më e madhe është shënuar në Novaci me 57,69 për qind, ndërsa dalje më e ulët në Qendër Zhupë, 13,11 për qind. Deri në këtë moment në KSHZ janë dorëzuar gjithsej 233 ankesa për mbrojtjen e të drejtës personale të votimit. Prej tyre, 38 ankesa janë pranuar dhe zgjedhësve iu është mundësuar realizimi i të drejtës së votës, 21 ankesa janë hedhur poshtë si të parregullta dhe 22 ankesa janë refuzuar. Ankesat e mbetura janë duke u përpunuar.
Në faqen rezultati.sec.mk mund të ndiqni drejtpërdrejt daljen e votuesve, në total dhe sipas komunave.
Ora 15:36
Fotografoi fletën e votimit, arrestohet një person
Policia në Ohër sot në orën 12:15 ka ndaluar personin A.I (48) nga Ohri sepse ka fotografuar fletën e votimit në vendvotimin 1271 në Ohër.Siç njoftojnë nga SPB Ohër, pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të bëhet kallëzim përkatës.
Ora 14:49
Mediat greke për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale
“Zgjedhje presidenciale në Maqedoninë e Veriut”; “Maqedonia e Veriut: Zgjedhje kyçe për president të shtetit”;”Vijojnë zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut: shtatë parti, dy favoritë”; “Zgjedhje në Maqedoninë e Veriut: shtatë kandidatë, autsajderët dhe rrethi i dytë” “Sot rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut”, janë disa nga titujt në edicionet onllajn të mediave greke për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Pjesa më e madhe e mediave në Greqi e transmetojnë tekstin e agjencisë shtetërore ANA-MPA me titull “Vijojnë zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, të cilat do të reflektohen në zgjedhjet parlamentare për dy javë”, në të cilin në detaje analizohet procesi zgjedhor, por edhe parashikimet.
ANA-MPA publikon se gati është e sigurt se në rrethin e parë të sotëm kandidatja e VMRO-DPMNE-së Siljanovska do të jetë e para, ndërsa i dyti do të jetë kandidati i LSDM-së Pendarovski.
“Të dy, sipas vlerësimeve, do të përballen në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, me çka mundësi më të mëdha të fitojë dhe të bëhet presidente e re e Maqedonisë së Veriut ka 70-vjeçarja Gordana Siljanovska. Megjithatë, në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale rol të rëndësishëm do të ketë qëndrimi i votuesve shqiptarë, të cilët përfaqësojnë 25 për qind të trupit votues në Maqedoninë e Veriut. Stevo Pendarovski 60-vjeçar ka ndikim te votuesit shqiptar dhe mund të shpresojë në rizgjedhjen e tij nëse votojnë masivisht për të në rrethin e dytë”, shkruan ANA-MPA.
Paralelisht përkujton se mandati i Pendarovskit, përfundon më 12 maj, por edhe se presidenti i vendit ka autorizime të kufizuara.
Lidhur me zgjedhjet parlementare më 8 maj, agjencia shtetërore greke shkruan se sipas anketave, VMRO-DPMNE me dallim të madh është në epërsi para LSDM-së në pushtet, “por pa pasur pikëpamje për formimin e qeverisë njëpartiake”. “Juronjuz” në gjuhën greke në tekstin për zgjedhjet njoftoi se “tema kryesore në agjendën parazgjedhore në zgjedhjet presidenciale ishin rrjedha evropiane e vendit, sundimi i drejtësisë, korrupsioni dhe ekonomia”. “Integrimi në Bashkimin Evropian është çështja e mprehtë, sepse pas zgjidhjes së problemit të emrit me Greqinë, Bullgaria vendosi veton ndaj saj, duke kërkuar njohjen e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut të në Kushtetutë. 61-vjeçari Pendarovski kërkoi ndryshimin e nevojshëm të Kushtetutës, ndërsa Davkova 70-vjeçare kërkon kornizë të re në negociatat për anëtarësim dhe nuk angazhohet publikisht për ndryshime kushtetuese”, shkruan “Juronjuz” në gjuhën greke.
Shkroi edhe për korrupsionin dhe komentoi se “njërit nga kandidatët për president, kryetarit të Karposhit, Stevço Jakimovski, i ndalohet hyrja në SHBA për shkak të përfshirjes në rastet e korrupsionit, por, kundër tij nuk është ngritur kurrfarë padie dhe prandaj kandidatura e tij ishte pranuar pa kurrfarë problemi”.
Ora 14:30
Bajrami: Dita zgjedhore po zhvillohet pa shkelje dhe parregullsi më të mëdha
Dita e sotme zgjedhore po zhvillohet pa shkelje dhe parregullsi më të mëdha, deklaroi prokurori publik Xhelal Bajrami, kryetar i Komisionit të përkohshëm të Prokurorirë publike për ndjeken e veprave eventuale penale kundër zgjedhjeve dhe votimit. Siç informoi Bajrami, sot në PTHP Radovish është denoncuar se në fshatin Buçim një nga votuesit gjoja e ka treguar fletvotimin në drejtim të njërit prej vëzhguesve të një partie politike, ndërsa dje PTHP Dellçevë ka regjistruar një lëndë me kërkesë të MPB-së për kryerjen e kontrollit të dokumentacionit zyrtar të NP “Komunalec”, që të verifikohen informatat për vepër të kryer penale “rryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit”.
Në dy rastet, tha prokurori, do të veprohet në mënyrë adekuate nëse konfirmohet se ka elemente për vepra të kryera penale. “Në PTHP Radovish sot u denoncua se në fshatin Buçim një nga votuesit gjoja e ka treguar fletvotimin në drejtim të njërit prej vëzhguesve të njërës parti politike. Janë dhënë orientime për kontroll të informatave dhe nëse ekzistojnë elemente për vepër të kryer penale, lënda do të procesuohet”, tha mes tjerash Bajrami. Ai thekosi se Komisioni i përkohshëm i Prokurorisë publike për ndjekje të veprave eventualisht penale kundër zgjedhjeve dhe votimit deri nga fundi i ditës do t’i ndjek zgjedhjet, e në të njëjtë kohë me kujdes e ndjek edhe procesin zgjedhor më 8 maj, gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. “Ne do t’i ndjekim aktivitetet deri në përfundimin e procesit zgjedhor dhe nëse ka ngjarje ku do të vlerësojmë se duhet të veproijmë, do të ndahen orientime adekuate”, tha Bajrami.
Në Komisionin, krahas Bajramit, i cili është kryetar, anëtarë janë edhe nga një prokuror publik nga katër prokuroritë e larta, si dhe një prokuror nga PTHP Shkup, si PP më e madhe në shtet.
Ora 14:07
Deri ora 13:00 dalja në zgjedhjet presidenciale është 26.35%
Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski njofton se dalja në zgjedhjet presidenciale deri ora 13:00 është 26.35%. Ai tha se në përgjithësi procesi zgjedhor në përgjithësi është duke u zhvilluar pa pengesa. Jehona më të madhe ka në Komunën e Novaci me 42,87%, ndërsa më pak ka në Komunën e Vrapçishtit 10.18%. Ai tha se në KSHZ kanë arritur 140 kundërshtime prej të cilëve 16 janë pranuar, 8 janë refuzuar si të parregullta dhe 9 refuzuar, ndërsa pjesa tjetër është në përpunim.
Ora 13:17
Bojmacaliev: Nuk ka shkelje ose incidente më të mëdha
Zëvendës ministri plotësues i Punëve të Brendshme, Mitko Bojmacaliev sot në Kumanovë informoi se nuk janë vërejtur shkelje ose incidente më të mëdha deri tani në zgjedhje.
Ai theksoi se MPB-ja i ndërmerr të gjitha veprimet dhe qytetarët lirisht e shfrytëzojnë të drejtën e votës. Në deklaratë për mediumet, ai ka shfaqur shpresë se deri nga fundi i ditës do të mbahet tendenca e zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe theksoi se nëse paraqiten incidente ose shkelje të caktuara, policia do të veprojë, do të mënjanohen djhe votuesit lirisht do të votojnë. “Nga rastet e paraqitura deri tani, kemi një ngjarje të paraqitur për fotografim të fletvotimit, flasim për territorin e Republikës së Maqeodnisë së Veriut, ku tashmë është informuar prokurori kujdestar publik dhe vepron sipas këtij rasti. Në Kumanovë kemi paraqitje për mbajtje të organizuar të njerëzve në vendvotim dhe aty policia e jonë vepron së bashku me prokurorin publik. Sigurisht jeni të informuar nga ana e KSHZ-së se të gjitha vendte nuk janë hapur me kohë, kanë probleme me aparatet fingerprint, të cilat i zgjidhin dhe votimi vazhdon më tej. Shpresoj se siç filloi dita bukur, qytetarët votojnë lirisht dhe në mënyrë demokratike, ashtu edhe do të përfundojë dita”, tha Bojmacaliev.
Ai e ka realizuar të drejtën e vet demokratike dhe votoi në zgjedhjet presidenciale dhe përkujtoi se periudhën e kaluar i ka vizituartë gjithë sektorët dhe repartet e punëve të brendshme. “Biseduam me kolegët nëse ka pasur disa probleme, t’i largojnë që soit të kemi ditë të qetë dhe të sigurtë zgjedhore. Në fakt këtë e bëjmë në mënyrë të vazhdueshme nga viti 2017 e deri sot”, tha Bojmacaliev.
Ora 13:00
Deri ora 11:00 dalja në zgjedhjet presidenciale është 12.78 për qind
Këto janë të dhëna nga 3416 qendra votimi të përpunuara nga gjithsej 3508 në komunat e të gjithë vendit. Sipas të dhënave në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), dalja në vendvotime në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale deri në orën 11:00 është 12,78 për qind, pra kanë votuar 229.417 votues. Këto përqindje dhe shifra, sipas të dhënave të KSHZ-së, bazohen në 3.416 vendvotime të përpunuara nga gjithsej 3.508 në komunat e gjithë vendit.
Ora 12:35
Misioni i ODIHR ka më shumë se 200 vëzhgues, rezultatet fillestare do t’i prezantojë nesër
Pas vizitës së dy vendvotimeve paraditen e sotme, përfaqësuesja e misionit ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve ODIHR, vlerësoi se fillimi është i mirë por një vlerësim të plotë se si po shkon procesi zgjedhor do të kenë pasi t’i mbledhin në fund të ditës të dhënat nga vendvotimet në të gjithë vendin.
“Deri më tani kam vizituar vetëm dy vendvotime dhe që nga mëngjesi aty gjithçka ka shkuar pa ndërprerë. Për, këto janë vetëm dy na vendvotimet e shumta, kështu që nuk mund të nxjerrim përfundime deri në fund të ditës”, deklaroi Xhilian Stirk, e cila e kryeson misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve të ODIHR në vend.
Kumtoi se sot kanë më shumë se 200 vëzhgues të vendosur në të gjitha rajonet në vend, si dhe vëzhgues afatgjatë që janë këtu që nga hapja e misionit në fund të marsit. Ai theksoi se janë duke i vëzhguar zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut duke i vlerësuar sipas obligimeve ndërkombëtare dhe legjislacionit vendor.
“Po e vlerësojmë kolektivisht të gjithë procesin zgjedhor, nga korniza legjislative e deri te zbatimi aktual i zgjedhjeve, duke përfshirë edhe financimin e fushatës dhe sigurisht rolin e medias. Nesër do të prezantojmë rezultatet tona fillestare, do të mbajmë konferencë për shtyp, të gjithë janë të mirëpritur të na bashkoheni atje dhe do të ketë një mundësi për pyetje të gazetarëve pas deklaratës të shkurtër që do të jap unë si dhe partnerët tanë nga Këshilli i Evropës”, tha Stirk.
Ora 12:26
Deri në orën 11 në Prilep kanë votuar 17,26 për qind e votuesve
Pa ndërprerë, pa probleme zhvillohet procesi i votimit në Prilep, Dollnen dhe Krushevë, informojnë nga Komisionet Zgjedhore Komunale.
Deri në orën 11 në Prilep të drejtën e votimit e kanë realizuar 17,26 për qind e 62.082 e votuesve të përgjithshëm të regjistruar, në Dollnen nga 11.730 votues deri në orën 11 kanë votuar 7,6 për qind, ndërsa në komunën e Krivogishtanit në votim kanë dalë 14,43 për qind e 4428 qytetarëve me të drejtë vote.
Ora 11:39
Prokurori Bajrami në orën 13:00 do t’i kumtojë informacionet fillestare për zgjedhjet nga PP në mbarë vendin
Komisioni i përkohshëm i Prokurorisë Publike për monitorimin e veprave të mundshme penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, si dhe parregullsive të tjera zgjedhore, sot në vazhdimësi po monitoron rrjedhën e procesit zgjedhor në rrethin e parë të zgjedhjeve për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Siç paralajmëron Komisioni, kryetari i tij, prokurori publik Xhelal Bajrami, në ora 13:00 do t’i kumtojë informacionet fillestare të përmbledhura nga prokuroritë publike në mbarë vendin.
Ora 11:25
Në rajonin juglindor janë hapur të gjithë vendvotimet, identifikohen probleme teknike
Të 273 vendvotimet në dhjetë komunat në juglindje të RMV-së janë hapur sot në orën 07:00 dhe të drejtë vote në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale kanë 141.167 votues.
Sipas informacioneve nga komisionet komunale zgjedhore, votimi tashmë është duke u zhvilluar dhe përveç disa problemeve të vogla teknike me aparatet e gishtave dhe ultravjollcës, nuk janë vërejtur ndonjë problem tjetër. Sipas komisioneve zgjedhore, problemet teknike janë tejkaluar dhe nuk ndikojnë në procesin zgjedhor.
Ndryshe, në rajonin juglindor të vendit votohet në komunat Strumicë, Radovish, Vasilevë, Bosilovë, Novo Sellë, Konçe, Bogdanci, Gjevgjeli, Dojran dhe Vallandovë. Dje kanë votuar të sëmurët, të paaftit dhe të burgosurit nga burgjet në Strumicë dhe Gjevgjeli.
Ora 11:17
Ja cila nga 6 njësitë zgjedhore kryeson me numër vendvotimesh
Zgjedhjet parlamentare më 8 maj do të organizohen në nivelin e 6 njësive zgjedhore (NJZ) në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me Ligjin për njësitë zgjedhore, në Maqedoni ka 6 Njësi zgjedhore me numër të përafërt të votuesve të regjistruar. Sipas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, numri i votuesve në një NJZ mund të ndryshojë nga minus 5 në plus 5 për qind në krahasim me numrin mesatar të votuesve, që është rreth 292.000 për një njësi zgjedhore
NJËSIA ZGJEDHORE 1 mbulon një pjesë të kryeqytetit Shkupit dhe një pjesë të pjesëve qendrore të vendit, përkatësisht komunat e Shkupit të Aerodromit, Karposhit, Kisela Voda, Qendër, pjesë e Komunës së Çairit, Sarajin, Sopishte, Makedonski Brod dhe Studeniçan. Sipas përkatësisë etnike të popullsisë, shumica e votuesve janë maqedonas etnikë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në këtë zonë zgjedhore u regjistruan 295.858 votues, të shpërndarë në gjithsej 522 vendvotime. 217.823 votues ose 73.62% ushtruan të drejtën e tyre të votës, shkruan gazeta KOHA.
NJËSIA ZGJEDHORE 2 gjithashtu mbulon një pjesë të Shkupit dhe një pjesë të pjesës veriore të vendit me një përbërje të ekuilibruar të popullatës, maqedonas etnikë, shqiptarë, serbët dhe romët janë gjithashtu të përfaqësuar. Kjo njësi zgjedhore përfshin komunat e Shkupit Butel, Gazi Baba, Gjorçe Petrov, pjesë e Komunës së Çairit, Shuto Orizarë, Haraçinçë, Kumanovë, Likovë, një pjesë të Staro Nagoriçane dhe Çuçer Sandevë. Në NJZ 2 në 2020, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kishte 306.471 votues, nga të cilët 203.923 (66.54%) votuan në një total prej 504 vendvotimesh.
NJËSIA ZGJEDHORE 3 përfshin pjesë të pjesëve qendrore, lindore dhe verilindore të vendit. Kjo njësi zgjedhore mbulon komunat e Berovës, Velesit, Vinicës, Gradskos, Delçevës, Zelenikovës, Zrnovcit, Ilindenit, Karbincit, Koçanit, Kratovës, Kriva Palanka, pjesë e Kumanovës, Lozovës, Makedonska Kamenica, Petrovec, Pehchevo, Probishtipit, Rankovcës, pjesë të Staro Nagorichane, Çaska, Cheshinovo – Obleshevo dhe Shtipit. Popullata e etnisë maqedonase është mbizotëruese. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, 280.727 votues janë regjistruar në këtë zonë zgjedhore, duke ushtruar të drejtën e tyre të votës në 682 vendvotime. Pjesëmarrja në Njësinë Zgjedhore 3, në zgjedhjet e fundit ishte 72.74%, ose 204.119 votues.
NJËSIA ZGJEDHORE 4 mbulon territorin e rajonit juglindor të vendit. Kjo NJZ përfshin një pjesë të qytetit të Manastirit, Bogdanci, Bosilevë, Vallandovë, Vasilevë, Gjevgjeli, Demir Kapi, Dojran, Kavadarci, Konçe, pjesë e Krivogashtanit, Mogila, Negotinë, Novaci, Novo Selë, Prilep, Radovish, Rosoman dhe Strumicë. Në këtë pjesë, popullsia e përkatësisë etnike maqedonase është mbizotëruese. NJZ 4 ka 599 vendvotime, ndërsa në zgjedhjet e fundit gjithsej 211.897 njerëz ose 75% ushtruan të drejtën e tyre të votimit, raporton KOHA.
NJËSIA ZGJEDHORE 5 mbulon territorin e pjesës jugperëndimore të vendit. Përfshinë një pjesë të qytetit të Manastirit, Vevçanit, një pjesë të Dibrës, Debarcës, Demir Hisarit, Dolnenit, një pjesë të Kërçovës, një pjesë të Krivogashtanit, Krushevës, Ohrit, Plasnicës, Resenit, Strugës dhe Centar Zhupës. Shumica e popullsisë është e përkatësisë etnike maqedonase, por një pjesë e konsiderueshme janë edhe votuesit nga bashkësia etnike shqiptare. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në NJZ 5, 290.433 votues u regjistruan për të votuar në 655 vendvotime. Pjesëmarrja ishte 64.67%.
NJËSIA ZGJEDHORE 6 mbulon territorin e pjesës veriperëndimore të vendit. Këto përfshijnë Bogovinën, Brvenicën, Vrapçishtin, Gostivarin, Zhelinë, Jegunovcë, një pjesë të Kërçovës, Mavrovës dhe Rostushës, Tearca dhe Tetova. Nga kjo pjesë, mbizotëron popullsia e përkatësisë etnike shqiptare. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, 307.817 votues u regjistruan për të votuar në 516 vendvotime, dhe pjesëmarrja ishte 51.32%.
Ora 11:05
Çfarë ndodhë nëse ndërpritet procesi i zgjedhjeve në një vendvotim? Mësoni rregullat në dhe procedurën e votimit
Votimi për zgjedhjet presidenciale filloi në orën 7:00 dhe zgjat pa ndërprerje deri në orën 19:00. Nëse votimi ndërpritet për më shumë se një orë, ai do të vazhdojë për aq kohë sa ka zgjatur ndërprerja, por jo më shumë se tre orë.
Në orën 19:00 mbyllen vendvotimet. Votuesit e gjetur në objektin ku votohet u mundësohet të votojnë. Vendvotimi ku kanë votuar të gjithë qytetarët e regjistruar në ekstraktin nga Lista zgjedhore mund të mbyllet para orës 19:00, me pëlqimin paraprak nga KKZ-ja kompetente, por nuk fillon numërimin e votave para orës 19:00.
Procesverbalet dhe materialin tjetër zgjedhor, KZ i dorëzon në KKZ në afat prej 5 orëve pas përfundimit të votimit. Materiali zgjedhor i dorëzohet KKZ-së nga kryetari i KZ-së i shoqëruar nga anëtarët e interesuar të KZ-së ose përfaqësues të parashtruesve të listave dhe përfaqësues të policisë, nëse është e nevojshme.
Pas zgjedhjeve të zbatuara për President të Republikës, KKZ i mbledh rezultatet e votimit për listën e kandidatëve, përpilon procesverbal dhe së bashku me të gjithë materialin zgjedhor ia dorëzon KSHZ-së menjëherë dhe jo më vonë se 12 orë pas përfundimit të votimit. KSHZ-ja i publikon rezultatet fillestare të zgjedhjeve të marra në mënyrë elektronike në mënyrë të njëpasnjëshme, ndërsa rezultatet në bazë të të dhënave nga procesverbali i KKZ-së në afat prej 12 orëve pas përfundimit të zgjedhjeve.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve KSHZ-ja i shpall menjëherë dhe jo më vonë se 24 orë nga dita e përfundimit të tyre. Për Presidentin e Republikës, në raundin e parë zgjedhor zgjidhet ai kandidati që ka marrë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i zgjedhësve të regjistruar në Listën zgjedhore.
Nëse në raundin e parë asnjë kandidat për president nuk ka marrë shumicën e nevojshme të votave, në raundin e dytë votohet për dy kandidatë që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Raundi i dytë i votimit zhvillohet në afat prej 14 ditëve nga dita e përfundimit të raundit të parë të votimit.
Ora 10:45
Toshkovski: Për momentin nuk ka shkelje të procesit zgjedhor
Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha se deri më tani nuk ka pasur shkelje të procesit të votimit, ndërsa MPB-ja tashmë i ka dislokuar të gjithë policët në mbarë vendin të cilët duhet të kujdesen për realizimin e procesit zgjedhor në mënyrë demokratike.
“Nuk kemi vërejtur shkelje të rënda të procesit zgjedhor. Dita është e bukur, shpresoj që qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje demokratike.
Të gjitha departamentet e punëve të brendshme janë përfshirë me kushte teknike. Ne veprojmë sipas udhëzimeve të përcaktuara nga shtabi zgjedhor”, shtoi Toshkovski. Në zgjedhjet presidenciale marrin pjesë shtatë kandidatë.
Ora 10:40
KSHZ: Procesi zgjedhor zhvillohet pa probleme, të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë
Komisioni Shtetërore i Zgjedhje (KShZ) njoftoi se procesi zgjedhor në mbarë po zhvillohet kryesisht i qetë. Lreu i këtij institucioni Aleksandar Dashtevski tha se ka pasur disa probleme të vogla, por ato kanë qenë të natyrës teknike. Sipas tij të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë.
“Që dy orë e gjysmë që kur ka filluar votimi, në të gjitha vendvotimet procesi zgjedhor po rrjedh pa parregullsi. Deri në orën 09:00 kanë arritur të dhëna nga 832 vendvotime nga gjithsejtë 402 748 votues të regjistruar në këto vendvotime kanë votuar 15487apo 3.85 për qind e votuesve. Deri në këtë moment në KSHZ janë dorëzuar 12 parashtresa që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtës zgjedhore të cilat janë lëndë e përpunimit”, deklaroi Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së, i cili njëherit paralajmëroi konferencën e radhës për në orë 13:00.
Kemi të paraqitura disa probleme teknike, të cilat do ti zgjidhim, në rast se do të ketë ndërprerje më të gjata, sipas ligjit në ato vendvotime do të zgjatet votimi”, tha Dashtevski.