Shkalla e mortalitetit nga neoplazmat malinje ka kaluar nga 180.3 vdekje për 100.000 banorë në vitin 2010 në 205.0 për 100.000 banorë në vitin 2023. Mortaliteti është më i lartë tek grupmosha mbi 65 vjeç, kryesisht tek meshkujt. Tek grupmoshat më të reja (0-64 vjeç), mortaliteti është dukshëm më i ulët, por përsëri më i lartë tek meshkujt se sa tek gratë
Anëmsha SHABANI
Shkup, 4 shkurt – Në Maqedoninë e Veriut, kanceri është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjes, duke zënë vendin e dytë pas sëmundjeve të sistemit të qarkullimit të gjakut. Në periudhën nga 2010 deri në 2023, shkalla e mortalitetit nga neoplazmat malinje ka pasur një rritje të dukshme. Kjo rritje vjen si pasojë e shumë faktorëve, ku ndër të parët janë faktori gjenetik dhe mungesa e trajtimeve të hershme. Kjo situatë është një sfidë e madhe për sistemin shëndetësor të vendit dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm për parandalimin dhe trajtimin e kancerit. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), shkalla e mortalitetit nga neoplazmat malinje ka kaluar nga 180.3 vdekje për 100.000 banorë në vitin 2010 në 205.0 për 100.000 banorë në vitin 2023. Mortaliteti është më i lartë tek grupmosha mbi 65 vjeç, kryesisht tek meshkujt. Tek grupmoshat më të reja (0-64 vjeç), mortaliteti është dukshëm më i ulët, por përsëri më i lartë tek meshkujt se sa tek gratë.
Në Ditën Botërore të Kancerit, ISHP njoftoi se lokalizimet më të shpeshta të neoplazmave malinje tek meshkujt janë neoplazmat malinje të bronkeve dhe mushkërive, ndërsa tek gratë janë neoplazmat malinje të gjirit. Shkalla e mortalitetit nga kanceri i mushkërive tek meshkujt ka shkuar nga 64.8 vdekje për 100.000 banorë në vitin 2010, deri në 68.3 për 100.000 banorë në vitin 2023. Tek gratë, mortaliteti nga kanceri i gjirit ka pasur një rritje nga 30.0 vdekje për 100,000 banorë në vitin 2010 në 37.5 për 100.000 banorë në vitin 2023.
Këto të dhëna tregojnë se nevoja për ndërhyrje në fushën e parandalimit dhe trajtimit të hershëm të kancerit është urgjente, dhe është një sfidë e vazhdueshme për sistemin shëndetësor të vendit. Shpëtim Asani, një nga mjekët më të ri të kësaj fushe, për gazetën KOHA theksoi se përballë sfidave të kancerit, është e qartë se çdo vit shumë jetë mund të shpëtohen nëse zbatojmë strategji të forta për parandalim, zbulim të hershëm dhe trajtim adekuat.
“Statistikat tregojnë një rritje të vdekshmërisë nga kanceri, dhe ky është një sinjal urgjent për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm. Mbi 40 për qind e rasteve të vdekjes si pasojë e kancerit lidhen me faktorë të rrezikut që mund të ndryshohen, si pirja e duhanit, ushqimi i pa shëndetshëm dhe pasiviteti fizik, prandaj është e rëndësishme që të investojmë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës për këto faktorë të rrezikut”, tha Asani.
Ai shtoi se rreth 1/3 e të gjitha rasteve të kancerit mund të parandalohen përmes skriningut rutinor dhe zbulimit të hershëm.
“Skriningu është një mundësi e artë për të parandaluar një pjesë të madhe të rasteve dhe për të shpëtuar shumë jetë njerëzish. Kanceri nuk është një dënim, por një sëmundje që mund të luftohet me zbulim të hershëm dhe trajtim të duhur. Çdo vit, mund të shpëtojmë miliona jetë, dhe kjo është përgjegjësia jonë kolektive”, shtoi ai. Nga ana tjetër, Shoqata për Emancipimin, Solidaritetin dhe Barazinë e Grave kërkon që Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë të rrisin urgjentisht mbështetjen për programet parandaluese të zbulimit të hershëm dhe parandalimit të kancerit pasi që siç njoftojnë ata mjetet për parandalim kanë rënë pavarësisht se numri i pacientëve të prekur nga kanceri është rritur, ku në vitin 2024 janë parashikuar vetëm 590 milionë denarë, ndërsa për 2025 gjithsej 651 milionë denarë.
Ndër të tjera, depistimi për kancerin e qafës së mitrës ka dështuar të mbulojë të paktën 75 për qind të grave, duke arritur vetëm 11 për qind në vitin 2023. Ndaj, Shoqata kërkon që financimi për skriningun e kancerit të qafës së mitrës të rritet në 35 milionë denarë në vit, dhe të rritet mbulimi me vaksinën HPV. (koha.mk)