Pjesëmarrja e shtetasve jorezidentë në zgjedhje ka nxitur debat mes vëzhguesve, posaçërisht për shkak të rolit të tyre në formësimin e rezultatit elektoral. Por, përderisa disa kërkojnë ndryshime në sistemin aktual të votimit, disa të tjerë e cilësojnë të panevojshme sepse numri i votuesve nga diaspora vazhdon të mbetet i ulët. Agon Maliqi, aktivist i shoqërisë civile, konsideron se është e nevojshme që Kosova të bëjë njëfarë riekuilibrimi midis të drejtave të shtetasve jorezidentë dhe të drejtave të shtetasve rezidentë, të cilët, në bazë të vështrimit të tij, duhet të kenë “peshë më të madhe” votuese për shkak se i përjetojnë drejtpërdrejt pasojat e vendimmarrjes. “Duhet të ketë njëlloj ribalancimi midis të drejtës së diasporës për përfaqësim dhe të drejtës së rezidentëve për të vendosur rreth shpenzimit të taksave të tyre dhe orientimit të shtetit apo të ardhmes së fëmijëve të tyre që kanë vendosur t’i rrisin në Kosovë. Prandaj, pesha votuese e këtyre të fundit duhet të jetë më e madhe”, deklaron ai.
Maliqi propozon një “model të përzier” që përfshin një “zonë të veçantë zgjedhore” me një numër të caktuar ulësesh në Kuvendin e Kosovës – pesë ulëse të garantuara u janë premtuar përfaqësuesve të diasporës para më shumë se një dekade, por duke qenë se kjo kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës, nuk është iniciuar asnjëherë.
Megjithatë, ai thekson nevojën që të ketë kritere në përcaktimin e kësaj njësie zgjedhore, veçanërisht për qytetarët me shtetësi të dyfishtë që nuk kanë banuar në Kosovë për mbi pesë vjet. “Kjo nuk nënkupton humbjen e të drejtës për të votuar; kushdo që kthehet në Kosovë si rezident, automatikisht rikthehet në listën e votuesve”. Në kuadër të rutinës përgatitore për betejën e radhës zgjedhore në Kosovë, krerët e partive politike kanë shkuar përtej kufijve kombëtarë për të kërkuar mbështetje, duke qenë se rreth 600 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në vende të ndryshme të botës, në bazë të rezultateve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në korrik të këtij viti. Por, pavarësisht diasporës së gjerë kosovare, numri i votuesve nga ky grupacion shoqëror vazhdon të mbetet i ulët, vëren hulumtuesi në organizatën “Germin” që merret me çështjet e diasporës, Lirim Krasniqi, i cili potencon se votimi i diasporës është rregulluar tashmë me ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. “Ai kufizohet në shtetasit e Kosovës, pavarësisht ku jetojnë. Votimi i qytetarëve nga jashtë nuk duhet parë me frikë. Përkundrazi, siguron gjithëpërfshirje dhe është mjet për angazhim të mëtejmë të diasporës në Kosovë”, kujton Krasniqi, ndërsa analizon pjesëmarrjen e votuesve nga diaspora në zgjedhjet e fundit parlamentare. “Nëse i analizojmë rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, niveli më i lartë i pjesëmarrjes në votime nga diaspora nuk e kalon 7 për qind të totalit të votave të përgjithshme. Në të gjitha vitet tjera kjo shifër është nën 5 për qind. Nga ky fakt mund te konkludojmë se nuk bëhet fjalë për ndikim të lartë të votave nga diaspora në rezultatin zgjedhor”.