Partia “E Majta” ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kreut të Kuvendit Afrim Gashi, për shkak të siç thonë, mosveprim në lidhje me Ligjin për branitellat.
Sipas tyre, Rregullorja e detyron Gashin si kryetar i Kuvendit ta thirrë seancën në rast se këtë nuk e bën kryetarja e Komisionit për çështje sociale.
“Partia politike “E Majta” ka ngritur kallëzim penal kundër kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi për shkak të bllokimit të Ligjit për branitellat. Siç e dini ligji i branitellave ka ngecur në procedurë parlamentare që kur kryetari i komisionit amë vendosi të mos thërrasë seancë, në situatë të këtillë detyrë e kryetarit të Kuvendit është ta zhbllokojë procedurën ligjore, respektivisht sipas nenit 126 paragrafit 3 të Rregullores kryetari i Kuvendit është ai që duhet ta thërrasë komisionin dhe të emërojë anëtar i cili do e udhëheqë seancën e atij komisioni”.
“Por, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi që para një muaji më 16 shtator deklaroi për mediat se ai nuk e ka ndërmend ta zhbllokojë ligjin e branitellave dhe se nuk ka ndërmend të thërrasë seancë”, tha Sashko Jançev nga “E Majta”.
Propozim-ligji për “branitellat” në Kuvend është propozuar nga LSDM, ndërsa partitë shqiptare thonë se nuk do ta përkrahin.