Bozhidar Spasiç, Andrija Drashkoviç dhe Veselin Vukotiç janë dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale në Bruksel për vrasjen e Enver Hadrit, kryetarit të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, në vitin 1990 në Saint-Gilles.
Veselin Vukotiç dhe Andrija Drashkoviç janë shpallur fajtorë për “vrasje”, ndërsa Bozhidar Spasiq për urdhërimin e vrasjes.
Enver Hadri, asokohe kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, u vra në makinën e tij teksa po qëndronte në semafor në Saint-Gilles më 25 shkurt 1990.
Gjyqtarët ekspertë dhe dymbëdhjetë juristët nuk kanë miratuar asnjë rrethanë lehtësuese dhe kanë sjellë vendim për dënim maksimal, pra me burgim të përjetshëm.
Enver Hadri, më 25 shkurt 1990, rreth orës 16:00, derisa ishte në timonin e makinës së tij, ndaloi në semafor të kuq në Saint-Gilles. Në atë moment pranë tij ka “ngecur” një makinë tjetër dhe është dëgjuar një e shtënë. Enveri u qëllua me një plumb në kokë.
Hetimi konstatoi se bëhej fjalë për një vrasje politike të porositur nga shërbimet inteligjente të ish-Jugosllavisë dhe me logjistikën merrej “nëntoka” e Beogradit.