Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë ndaj dy të akuzuarve, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit
Përmes dy vendimeve të ndara, më 13 nëntor 2024, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ua ka vazhduar këtë masë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në arsyetimin e këtyre vendimeve, thuhet se nuk ka informacione të mjaftueshme që mund të konkludohet që dy të akuzuarit të ikin nga drejtësia. Megjithatë, Paneli i gjyqtarëve ka konstatuar se ekziston rreziku që ata të pengojnë procedurat e DhSK-së dhe të kryejnë krime të tjera ndaj atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë edhe ndikimin tek dëshmitarët.
Ndërsa, sa i takon masave alternative, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte argumentuar se asnjë masë nuk i zbut mjaftueshëm rreziqet përkatëse dhe se ato mund të menaxhohen më së miri vetëm në objektin e paraburgimit.
Kurse, mbrojtja e Selimit dhe e Krasniqit, nuk i është përgjigjur parashtrimeve të ZPS-së.
Si rrjedhojë, pasi janë shqyrtuar të gjitha rrethanat përkatëse, Paneli i gjyqtarëve ka vazhduar masën e paraburgimit për dy të akuzuarit.
Në dritën e sa më sipër, si dhe faktit që ekzistojnë rreziqe të vazhdueshme të pengimit të procedurave dhe të kryerjes së krimeve të tjera, të cilat nuk mund të zbuten në mënyrë të mjaftueshme nga masat alternative të arsyeshme, Paneli konstaton se paraburgimi i z. Selimi për një periudhë të mëtejshme prej dy muajsh është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të këtij rasti”, thuhet në vendimin për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Selimit, e po ashtu ngjashëm edhe në atë ndaj Krasniqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.