“Parlamenti së bashku me shërbimet, me Komisionin janë të gatshëm në çdo kohë kur ka propozim për ndryshime kushtetuese për t’i futur ato në rend dite, për të nisur procedurën dhe për ta përfunduar siç parashikon Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës. Pjesa e dytë, sa i përket vullnetit politik, është pyetje për aktorët politikë, liderët e partive politike, për shumicën apo dy të tretat e deputetëve që duhet t’i miratojnë ato ndryshime dhe për këtë nuk duhet të përgjigjem”, tha Gashi
Shkup, 10 nëntor – Edhe mund edhe nuk mund të themi. Nëse diçka nuk varet nga ne, nuk mund të pretendojmë se do të ketë apo jo. Kur të ketë, shpresoj se do të njoftohem dhe menjëherë do të fillojmë procedurën. Kështu thotë kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, në një intervistë për MIA-n, duke iu përgjigjur pyetjes se a mund të thuhet se procesi i ndryshimeve kushtetuese nuk do të fillojë deri në fund të dhjetorit, në kuadër të hapjes së negociatave me BE-në. “Kjo pyetje ka dy komponentë. Njëri prej komponentëve është procedural dhe tjetri është vullnet politik. Sa i përket të parit, Parlamenti së bashku me shërbimet, me Komisionin janë të gatshëm në çdo kohë kur ka propozim për ndryshime kushtetuese për t’i futur ato në rend dite, për të nisur procedurën dhe për ta përfunduar siç parashikon Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës. Pjesa e dytë, sa i përket vullnetit politik, është pyetje për aktorët politikë, liderët e partive politike, për shumicën apo dy të tretat e deputetëve që duhet t’i miratojnë ato ndryshime dhe për këtë nuk duhet të përgjigjem”, tha Gashi.
Një nga vërejtjet më të mëdha që është përsëritur me vite në Raportin e KE-së është numri i ligjeve që kalojnë në Parlament pas procedurës së shkurtuar. Kryetari i Parlamentit thotë se ata çdo ditë u tregojnë propozuesve të ligjeve, gjegjësisht ministrave dhe Qeverisë, që ligjet të miratohen në procedurë të rregullt dhe të ketë debate publike për to, megjithëse thotë se Parlamenti nuk përcakton procedurën se si do të miratohet një ligj.
“Së pari, dua t’u sqaroj më shumë qytetarëve se Parlamenti nuk mund të përcaktojë ligjin e propozuar dhe se cilën procedurë propozon propozuesi. Qoftë Qeveria, ministra, deputetë, ai që propozon ligjin, ai e përshkruan dhe kërkon që të kontrollohet apo të bëhet procedura sipas procedurës së shkurtuar apo të rregullt – pra, propozuesi e përshkruan dhe e kërkon. Jemi të detyruar nga Rregullorja e Punës që të respektojmë kërkesën e propozuesit. Por çfarë duhet të kërkojmë? Pikërisht këtë që thatë ju, ne po mundohemi t’u theksojmë deputetëve dhe qeverisë dhe ministrave se nuk është mirë që për një milion e ca arsye të ketë procedura të shkurtuara. Një nga arsyet është transparenca, siguria juridike, ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe nga ana tjetër për mua është shumë e rëndësishme ajo që duam si përbërje e re në Kuvend dhe lidership i ri që të kemi më shumë dëgjime publike. Ato mund të ndodhin vetëm nëse kemi kohë në Kuvend të shqyrtojmë ligjet, të përfshijmë opinionin, ekspertët, palët e interesuara për të debatuar për çdo ligj që do të miratohet”, thotë Gashi.
Nga ana tjetër, thotë ai, theksojmë se me shkurtimin nuk fitohen shumë ditë sepse seancat caktohen shumë shpesh dhe ka një parashikueshmëri të qartë. “Ndodh ndonjëherë që procedura e shkurtuar të zgjasë më shumë se e ajo zakonshmja, imagjinoni. Prandaj po u sqarojmë ministrave dhe Qeverisë se nuk është mirë që ligjet të dërgohen me procedurë të shkurtuar”, thotë Gashi.
Si kryeparlamentar, komunikimin me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska Davkova e konsideron të shkëlqyer, ndërsa për raportet në koalicionin qeverisës pas marrjes së pozitës së të parit të legjislativit, ai vihet në dijeni nga anëtarët e partisë së tij dhe thotë se janë shumë stabile.
“Marrëdhëniet janë korrekte, kanë marrëdhënie të mira në koalicion nga sa shoh dhe mendoj se edhe pse aktorë të tjerë politikë apo ndonjëherë publiku apo gazetarët përpiqen ta portretizojnë ndryshe, mendoj se numri i deputetëve, shumica prej 78 deputetësh në vetvete thotë se shumica është e qëndrueshme. Mendoj se është shumë e rëndësishme t’u japim qytetarëve një siguri juridike dhe politike që nuk e kishim më parë. Qytetarët presin që ne të përmirësojmë kushtet e tyre të jetesës, standardin e jetesës, ekonominë dhe kjo bëhet vetëm në një situatë stabile edhe të sigurisë edhe politike. Mendoj se kjo qeveri dhe ky koalicion këtë e shprehin me veprimet e tyre dhe mendoj se me kalimin e kohës qytetarët do të shohin se jemi të përkushtuar në zbatimin e programit tonë dhe synimi kryesor është përmirësimi i standardit të jetesës dhe jetës së të gjithë qytetarëve”, thekson Gashi.
Lidhur me sulmet e vazhdueshme nga rivali i tyre politik – BDI, thotë se nuk duhet të kemi iluzione se partitë që janë në opozitë do të pushojnë së foluri apo nuk do ta kritikojnë qeverinë. “Kështu do të ndodhë gjithmonë. Qytetarët janë ata që në fund do të vlerësojnë atë që po bën Qeveria dhe çfarë po bën opozita dhe nëse kritikat janë të justifikuara. Mendoj se kemi një edukim të lartë politik të qytetarëve. Pra, qytetarët tanë janë shumë të politizuar, mbase më shumë seç duhet dhe prandaj çfarëdo që të thoni si qeveri, si opozitë, si deputet, çdo kritikë nëse ka argument apo jo, qytetarët e vlerësojnë këtë”, tha Gashi. Sipas mënyrës sesi ai e sheh politikën, qeveria nuk duhet të humbasë shumë kohë për opozitën.
“Në momentin kur merr besimin e qytetarëve për të udhëhequr vendin, në atë moment je i detyruar t’i shohësh të gjithë qytetarët njësoj, t’u shërbesh të gjithë qytetarëve njësoj dhe të zbatosh programin për të cilin ke kërkuar vota. Ju duhet të merreni me zbatimin e programit dhe ata merren me ju. Nuk duhet të merremi me opozitën. Duhet të merremi me punën tonë, të sjellim ligje cilësore, t’u sjellim investime të huaja, të rrisim pagat, pensionet, të sjellim një koncept të ri në arsim, të përmirësojmë shëndetësinë, spitale të reja, qendre të re klinike, rrugë të reja, autostrada”, kjo është puna jonë”, tha Gashi, ndërsa shton se kryesorja që qytetarët presin, është përgjegjësia “sepse në 34 vitet e fundit kjo është ajo ku ne kemi dështuar më tepër. Duhet t’i japim fund papërgjegjshmërisë”.