Ka qenë deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti që në dy mbledhje të këtij Komisioni, ka kundërshtuar hapur insistimin për zgjedhjen e Vërzivollit dhe Selmanit, ndërsa ka thënë se, nëse shumica parlamentare i kalon këto dy emra, Maqedonia rrezikon të marrë Raport negativ nga Komisioni Evropian
Shkup, 28 janar – Edhe pse janë tejkaluar afatet ligjore, Komisioni parlamentar për emërime ka caktuar për nesër mbledhje, ku në rend dite është pika për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Media, ndërsa bllokimi deri tani, siç merr vesh gazeta KOHA, kanë qenë dy kandidatet që nuk i plotësojnë kushtet për anëtare, por që VLEN insiston të jenë pjesë e Agjencisë për Media. Bëhet fjalë për këshilltaren e Komunës së Çairit nga Alternativa, Nafije Selmani, ish-anëtarë e Kryesisë Qendrore po në këtë parti, si dhe për Afron Vërzivollin, e mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit.
Ka qenë deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti që në dy mbledhje të këtij Komisioni, ka kundërshtuar hapur insistimin për zgjedhjen e Vërzivollit dhe Selmanit, ndërsa ka thënë se, nëse shumica parlamentare i kalon këto dy emra, Maqedonia rrezikon të marrë Raport negativ nga Komisioni Evropian.
“Nuk kam asgjë personale me zonjën Nafije Selmani, meriton mbështetje, meriton respekt. Megjithatë, për temën për të cilën flasim ne, unë dhe zonja Nafije së bashku kemi qenë në aktivitete politike, jo shumë larg, në vitin 2021, jemi takuar unë si përfaqësuese e Aleancës për Shqiptarët, ajo si përfaqësuese e partisë Alternativa”, tha deputetja Ilire Dauti, duke shtuar se pavarësisht respektit që kemi për njëri-tjetrin, duhet ti shërbejmë lirisë së mediave dhe fjalës së lirë.
“Unë assesi nuk pranojë të bëhem pjesë e një politizimi të këtillë mediave, apo tentim për politizim të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale, prandaj po e citoj nenin 16, pika 3, ku thotë se, ‘për anëtarë të Këshillit nuk mund të zgjidhen anëtarë të cilët kanë qenë anëtarë të organeve udhëheqëse të partive politike në dhjetë vitet e fundit llogaritur nga dita e konkursit’, ndërkaq në paragrafin 2 i pikës 2, thotë ‘nuk mund të zgjidhen poashtu persona të cilët kryejnë obligime në organet partiake apo në bashkësitë fetare’. Kështu që, në këtë mes kemi kandidatë të drejtpërdrejtë të kyçur ose vazhdojnë të jenë të kyçur në politikë”, theksoi deputetja Dauti, duke aluduar në kandidaten Nafije Selmani dhe Afrona Vërzivolli.
Ndryshe, përveç Aleancës për Shqiptarët, edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësimin me, siç thuhej në disa reagime, “mendësinë e partizimit të institucioneve të pavarura nga ana e partnerëve koalicionues në qeverinë pa legjitimitet etnik”.
BDI thotë se dy kandidatet për anëtarë në Këshillin e Agjencisë për Media, Nafije Selmani dhe Afrona Verzivolli, kanë gënjyer deputetët, qytetarët dhe mediat gjatë debatit në Komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime.
“Nafije Selmani dhe Afrina Verzivoli janë anëtarë të partive politike në koalicionin VLEN, kanë qenë kandidat për deputetë, këshilltar komunal, kanë marrë pjesë në mbledhje të organeve partiake dhe kanë qenë të propozuar në pozita nga po ato parti. Është e turpshme, e pa skrupulltë, të gënjehet i gjithë opinioni pa ju dridhur qerpiku. Me çfarë kredibiliteti do të ushtroni detyrat e juaja kur gënjeni botërisht dhe thyeni ligjin gjatë zgjedhjes tuaj? Partizimi i këshillit të prokurorëve nga VREDI vijon të zbatohet edhe në Agjencinë për Media”, thuhej në reagimin e BDI-së.
Kundër dy kandidateve kanë reaguar edhe shoqatat e mediave në vend dhe më gjerë, ndërsa kanë kërkuar të mos politizohet Agjencia për Media.