Në vend, situata po vazhdon të përkeqësohet vit pas viti, duke pasur ndikime tragjike në shëndetin e qytetarëve, përfshirë foshnjat. Qeveria ka ndërmarrë disa hapa për të trajtuar këtë problem, si subvencionet për inverterët, ndalimin e përdorimit të druve të zjarrit, dhe promovimin e automjeteve elektrike dhe transportit publik. Megjithatë, masat e ndërmarra deri tani kanë treguar efektivitet të kufizuar, dhe ndotja e ajrit mbetet një shqetësim i madh për shëndetin e popullsisë
Anëmsha SHABANI
Shkup, 2 janar – Edhe një vit tjetër e vendi po mbytet në ajër të ndotur, e megjithatë përpjekjet e Qeverisë kanë mbetur të pamjaftueshme për të adresuar këtë problem serioz. Në vend, situata po vazhdon të përkeqësohet vit pas viti, duke pasur ndikime tragjike në shëndetin e qytetarëve, përfshirë foshnjat. Qeveria ka ndërmarrë disa hapa për të trajtuar këtë problem, si subvencionet për inverterët, ndalimin e përdorimit të druve të zjarrit, dhe promovimin e automjeteve elektrike dhe transportit publik. Megjithatë, masat e ndërmarra deri tani kanë treguar efektivitet të kufizuar, dhe ndotja e ajrit mbetet një shqetësim i madh për shëndetin e popullsisë.
Në këtë kontekst, kryetari i organizatës “GoGreen”, Blazhe Josifovski, për gazetën KOHA deklaroi se ndotësit industrialë shpesh nuk monitorohen në mënyrë të mjaftueshme, dhe sektori i transportit, me flotën e tij të vjetruar, vazhdon të kontribuoni ndjeshëm në ndotje.
“Masat e mëparshme të qeverisë për trajtimin e ndotjes së ajrit kanë treguar efektivitet të kufizuar. Megjithëse këto hapa janë të rëndësishëm, zbatimi i tyre mbetet i pamjaftueshëm. Për shembull, ndotësit industrialë shpesh nuk monitorohen në mënyrë adekuate dhe shumë familje ende mbështeten te karburanti. Përveç kësaj, sektori i transportit, me flotën e tij të vjetruar, kontribuon ndjeshëm në ndotjen”, theksoi Josifovski.
Ai apeloi për një qasje më gjithëpërfshirëse dhe të integruar për të përmirësuar situatën, duke theksuar nevojën për mbikëqyrje më të fortë të ndotësve industrialë, investime në transportin publik dhe mbështetje për energjinë e rinovueshme. Ndërkaq, siç e konfirmojnë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ajri i ndotur është shkaktar i sëmundjeve të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare, si dhe i vdekjeve të parakohshme. Ndër viktimat më të rënda janë foshnjat. Kjo është një tragjedi që tregon urgjencën e veprimit dhe nevojën për masa më konkrete dhe efektive. Siç thekson Josifovski, qeveria duhet të trajtojë këto raste si një alarm për t’u marrë menjëherë me zgjidhjen e këtij problemi të madh shëndetësor.
“Për vitin e ardhshëm, është e domosdoshme që qeveria të mbajë prioritet disa masa të reja dhe të rëndësishme. Ajo duhet të rrisë mbikëqyrjen e ndotësve industrialë dhe të bëjë kontroll të rregullt dhe transparencë për publikun. Reformimi i sektorit të transportit dhe mbështetje për energjinë e rinovueshme duhet të jenë gjithashtu prioritet i domosdoshëm. Edukimi i qytetarëve për pasojat e ndotjes dhe angazhimi i autoriteteve lokale dhe sektorit joqeveritar janë gjithashtu elementë të rëndësishëm të këtij procesi. Si një shembull pozitiv, bashkëpunimi i Ministrisë së Transporteve me GoGreen ka ndihmuar në promovimin e transportit me biçikleta dhe në ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme”, shtoi ai.
Në shtator të këtij viti, ministri i vetëqeverisjes lokale, Zlatko Perinski, tha se ndotja e ajrit është shkaku kryesor i vdekjes së foshnjave dhe ka njoftuar se qeveria do të diskutojë masat për përmirësimin e situatës në një nga seancat e ardhshme. Mirëpo, deri në fund të dhjetorit, siç duket asnjë përpjekje nuk ka pasur efektivitet. Në anën tjetër, qytetarët janë të gatshëm të reagojnë. “Qyteti i Gjelbër Human” përsëri ka planifikuar protesta, duke kërkuar të drejtat e tyre për ajër të pastër dhe një jetë më të shëndetshme. Protesta do të mbahet këtë të shtunë, më 28 dhjetor, në orën 12:30. Aktiviteti do të nisë para Ministrisë së Mjedisit dhe Çështjeve Publike, ku pjesëmarrësit do të kërkojnë të drejtën për ajër të pastër. Pas kësaj, ata do të marshojnë drejt Kuvendit, pastaj në Qeveri dhe përfundimisht para kazermës së Qytetit të Shkupit. (koha.mk)