Edukimi mediatik synon të pajisë individët me aftësi për të kuptuar, analizuar dhe vlerësuar informacionin e marrë përmes mediave. Në kontekstin e rrjeteve sociale, kjo nënkupton zhvillimin e një qasjeje kritike ndaj përmbajtjeve të publikuara, ndërgjegjësimin për rreziqet që ato paraqesin dhe aftësimin për të përdorur platformat për qëllime pozitive
Xhenur ISENI
Rrjetet sociale, veçanërisht platforma si TikTok, kanë bërë pjesë integrale të jetës së përditshme të të rinjve. Me gjithë përfitimet që ofrojnë, ato janë kthyer edhe në burim shqetësimesh për prindërit, mësuesit dhe politikëbërësit. Në Shqipëri, ndalimi i TikTok-ut në shkolla është miratuar si masë parandaluese kundër dhunës, bullizmit dhe kërcënimeve digjitale. Megjithatë, pyetja që shtrohet është nëse një qasje ndaluese mund të jetë mënyra më efektive për të mbrojtur të rinjtë nga ndikimet negative të këtyre platformave. Në këtë kontekst, promovimi i edukimit mediatik në shkolla paraqitet si alternativa më e qëndrueshme dhe efektive për t’u përballur me sfidat digjitale. Rendesia e edukimit mediatik
Edukimi mediatik synon të pajisë individët me aftësi për të kuptuar, analizuar dhe vlerësuar informacionin e marrë përmes mediave. Në kontekstin e rrjeteve sociale, kjo nënkupton zhvillimin e një qasjeje kritike ndaj përmbajtjeve të publikuara, ndërgjegjësimin për rreziqet që ato paraqesin dhe aftësimin për të përdorur platformat për qëllime pozitive. Për gjeneratat e reja, këto aftësi janë thelbësore, duke qenë se ata janë konsumatorë të mëdhenj të përmbajtjeve digjitale dhe shpesh përballen me presione sociale dhe ndikime negative nga rrjetet sociale.
Sfida “Superman” në TikTok, e cila çoi në lëndime fizike të disa nxënësve në Maqedoni, është një shembull i qartë i ndikimeve të rrezikshme që këto platforma mund të kenë. Një qasje e ndaluese ndaj rrjeteve sociale mund të duket si një zgjidhje e shpejtë, por nuk adreson problemin themelor: mungesën e njohurive dhe aftësive për të menaxhuar përmbajtjet digjitale.
Sipas profesorit universitar Avni Avdiu viktima më të dhimbshme të kësaj situate janë fëmijët, mosha e të cilëve kërkon një trajtim më intenziv nga agjenset e socializimit, në veçanti nga familja dhe shkolla. Ai shprehet se edukimi mediatik është i domosdoshëm në shkolla.
“Për fat të keq, në këtë kontekst familja e ka humbur rolin e mëparshëm që kishte në formimin e personalitetit, gjersa roli socializues dhe edukativ i saj po i kalon internetit. Viktima më të dhimbshme të kësaj situate janë fëmijët, mosha e të cilëve kërkon një trajtim më intenziv nga agjenset e socializimit, në veçanti nga familja dhe shkolla. Në nivel botëror, sot përgjithësisht edukimin e fëmijëve e ka marrë interneti, veçmas platforma e tik-tokut ku jepen përmbajtje të pa censuruara e të pakontrolluara me mesazhe e rrezikshmëri të lartë nëçdo aspekt. Fëmijët duke u bërë të varur tërë ditën nga kjo platformë, janë bërë “homo videns” të prirur vetëm të shikojnë video të shkurtra, pa pasur më të voglën dëshirë për të mësuar e lexuar libra. Fatkeqësisht ata shpesh janë bërë pre e kurtheve dhe manipulimeve me pasoja serioze për sigurinë dhe jetën e tyre.
Së këtejmi duke i pasur parasysh këto, është e domosdoshme të ngjeshen radhët e bashkëpunimit: prind-mësues-psikolog (shkollor), të fillohet me ligjërimin e lëndës ‘Edukimi mediatik’ dhe të motivohen fëmijët më tepër në aktivitete edukativo-arsimore, rekreative e sportive, me qëllim që sa më pak të kalojnë kohën para internetit. Po ashtu prindi duhet të jetë i kujdesshëm për përmbajtjet mediatike që shikon fëmija i tij”, ka deklaruar profesori universitar, Avni Avdiu.
Ndërkohë, zëvendës-ministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu deklaroi që edukimi mediatik është një aspekt shumë i rëndësishëm për të ndihmuar nxënësit të kuptojnë dhe shfrytëzojnë rrjetet sociale në mënyrë pozitive. “Përdorimi i përshtatshëm i platformave, si pjesë e edukimit mediatik i ndihmon nxënësit të kuptojnë se si të përdorin rrjetet sociale për qëllime edukative, si ndarjen e informacionit, mësimin në grup dhe promovimin e fushatave pozitive”, ka deklaruar Aliu duke shtuar se promovimi i edukimit mediatik nuk do të ndihmojë vetëm në zvogëlimin e efekteve negative, por gjithashtu do të inkurajojë një përdorim më të përgjegjshëm dhe të qëllimshëm të mediave sociale.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka synuar të integrojë edukimin mediatik në kurrikulat shkollore (Kultura e mediave). Kjo përfshin mësimdhënie për njohuritë dhe aftësitë që nxënësit kanë nevojë për të vëzhguar në botën mediatike.Po zhvillohen trajnime për mësimdhënësit për t’i ndihmuar ata të kuptojnë rëndësinë e edukimit mediatik dhe si ta inkorporojnë atë në mësimdhënie.Janë disa nga hapat që i ka ndërmarr MASh lidhur me ndërgjegjësimin dhe implementimin e edukimit mediatik në sistemin arsimor të vendit. Këto iniciativa synojnë t’i përgatitin nxënësit për të qenë përdorues të përgjegjshëm të informacionit dhe për të kontribuar në një shoqëri më të informuar dhe kritike”, ka deklaruar zëvendësministri i arsimit, LulzimAliu.
Pse ndalimi i perdorimit te rrjeteve sociale nuk eshte zgjidhja ideale
Ndalimi i rrjeteve sociale si TikTok mund të ketë pasoja të padëshiruara. Fillimisht, kjo masë mund të perceptohet nga të rinjtë si kufizim i lirive të tyre, duke çuar në përpjekje për të anashkaluar ndalimin. Gjithashtu, një ndalim i tillë nuk i mëson ata si të përballen me sfidat dhe rreziqet që mund të hasin në botën digjitale jashtë mjedisit shkollor.
Për më tepër, një qasje ndaluese mund të krijojë një hendek midis brezave, ku të rinjtë ndihen të pakuptuar nga të rriturit. Në vend të kësaj, një dialog i hapur dhe një qasje edukuese mund të krijojnë një mjedis më të mirë për diskutimin e çështjeve të sigurisë digjitale.
Në këtë kontekst, Ministri i Digjitalizimit, Stefan Andonovski javë më parë deklaroi se qeveria nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTokut, edhe përkundër lëndimeve që u shkaktuan te fëmijët në sfidën e ashtuquajtur “Supermen”. Sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë në ndalesën e aplikacioneve, por në edukimin e fëmijëve dhe të prindërve. Ai githashtu paralajmëroi se do të formohet një Qendër për internet të siguri për fëmijët, i cili do të zhvillohet me mbështetje nga sektori joqeveritar dhe universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”dhe “Goce Dellçev”.
Sipas mësimdhënësit Igor Andonovski nga shkollën fillore “Bllazhe Koneski” në Prilep, ndalimi i mediave sociale në shkollat fillore dhe të mesme, megjithëse në pamje të parë mund të duket si një zgjidhje e thjeshtë për sfidat e shumta me të cilat përballen institucionet arsimore, është në fakt një qasje sipërfaqësore dhe potencialisht kundërproduktive ndaj një problemi kompleks. Ai thotë se në vend që të fokusohemi te ndalesat, nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse dhe e nuancuar për të përgatitur studentët për botën dixhitale në të cilën jetojmë.
“Për shembull në SHBA, shumë shkolla po prezantojnë programe të ‘shtetësisë dixhitale’ që u mësojnë studentëve se si të sillen me përgjegjësi në internet, të njohin lajmet e rreme dhe të mbrojnë privatësinë e tyre. Në Kanada, shkrim-leximi mediatik është i integruar në programin mësimor – dhe në Maqedoni me projektin ‘Të rinjtë mendojnë’, duke i mësuar nxënësit të analizojnë në mënyrë kritike përmbajtjen mediatike, përfshirë atë në rrjetet sociale. Në vend të ndalimit të mediave sociale në shkolla, nevojitet një qasje e ekuilibruar që i edukon nxënësit për përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë, zhvillon aftësitë e tyre dixhitale dhe i përgatit ata për sfidat e shekullit të 21-të. Kjo kërkon bashkëpunim ndërmjet mësuesve, prindërve, kompanive të teknologjisë dhe kreatorëve të politikës për të krijuar një mjedis dixhital të sigurt dhe produktiv për mësim dhe zhvillim”, ka deklaruar Igor Andonovski.
Edukimi mediatik në praktikë: Shembulli i projektit të USAID për edukim mediatik
Një iniciativë e rëndësishme në këtë drejtim është projekti i USAID për edukimin mediatik “Të rinjtë mendojnë”, i cili ka për synim të integrojë edukimin mediatik në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Ky projekt ka treguar se edukimi mediatik nuk është thjesht një luks, por një nevojë thelbësore për të përballuar sfidat e epokës digjitale.
Në procesin e përfshirjes së edukimit mediatik në arsimin formal, Instituti Maqedonas per Media dhe IREX në bashkëpunim me institucionet arsimore në vitin 2021, arritën që ta inkorporojnë edukimin mediatik në kurrikulat nga klasa I deri në klasën IX dhe. Përpos kësaj, mbi 8000 mësues nga të gjitha shkollat fillore të vendit u trajnuan se si të organizojnë mësimet duke inkorporuar edukimin mediatik në kurrikulën mësimore.
Në këtë kontekst gjatë konferencës “Edukimi mediatik në arsim”, e organizuar nga MIM dhe IREX në kuadër të projektit të USAID-it për edukim mediatik “Të rinjtë mendojnë”, ministrja e Arsimit dhe Shkences Vesna Janevska theksoi që “Edukimi mediatik u mundëson nxënësve të marrin vendime të pavarura të bazuara në fakte. Sipas saj “Studentët fitojnë aftësi për të analizuar në mënyrë kritike përmbajtjen që marrin nga burime të ndryshme, ta kuptojnë atë sipas kontekstit, ta lidhin atë me informacione të tjera dhe të jenë në gjendje të vlerësojnë cilësinë e saj”.
Janevska gjithashtu theksoi qe është e rëndësishme të inkurajohen aktivitetet për përmirësimin e mëtejmë të sistemit arsimor në fushën e shkrim-leximit mediatik.
Ndryshe, edukimi mediatik paraqet një investim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për t’u përballur me sfidat e epokës digjitale. Përmes tij, të rinjtë nuk mësojnë thjesht si tëshmangin rreziqet, por si të përdorin fuqinë e mediave sociale për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe komunitetin e tyre. Qasja edukuese nuk është vetëm një zgjidhje për problemetaktuale, por edhe një mjet për të ndihmuar të rinjtë të zhvillojnë aftësi kyçe që do t’i shërbejnë gjatë gjithë jetës.
Nismat si ato të USAID janë dëshmi e rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore, organizatave ndërkombëtare dhe komunitetit për të krijuar një ekosistem arsimor që pasuron brezat e rinj me dije dhe vlera të qëndrueshme.
Në vend të qasjeve ndaluese, të cilat krijojnë ndarje dhe pengesa, nevojitet një bashkëpunim i gjithanshëm për të ndërtuar një kulturë digjitale që nxit përgjegjësinë, kreativitetin dhe përdorimin etik të teknologjisë. Ky është një mision që kërkon kohë dhe përpjekje, por rezultatet e tij do të jenë të vlefshme për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.