E hënë, 16 Qershor, 2025
28.8 C
Skopje

EFEKTI I PADUKSHËM I KAFESË! Truri mbetet zgjuar edhe kur flemë

Kafeja është një pjesë e pandashme e rutinës ditore për miliona njerëz në mbarë botën. Prej vitesh, shkenca është përqendruar në efektet që kafeina, përbërësi kryesor i kafesë, ka në trupin dhe trurin e njeriut. Por një studim i fundit sugjeron se ndikimi i saj shkon përtej orëve të zgjimit. Sipas një kërkimi të realizuar nga Universiteti i Montrealit dhe publikuar në revistën Communications Biology, kafeina ndikon në aktivitetin e trurit edhe gjatë gjumit. Studiuesit përdorën inteligjencën artificiale dhe elektroencefalografinë (EEG) për të analizuar efektet e saj në një grup prej 40 vullnetarësh, të cilët u monitoruan për dy net: njëri grup konsumoi një kapsulë me kafeinë, ndërsa tjetri mori placebo.

Rezultatet treguan se kafeina ndryshon ndjeshëm ritmin e trurit gjatë gjumit. Më konkretisht, valët e ngadalta që lidhen me gjumin e thellë dhe rigjenerues u dobësuan, ndërsa valët më të shpejta si tipike të gjendjes së zgjimit, u rritën.

“Këto ndryshime sugjerojnë se truri, edhe kur jemi në gjumë, qëndron në një gjendje më të aktivizuar dhe më pak rigjeneruese nën ndikimin e kafeinës. Kjo mund të ndikojë në efikasitetin e rikuperimit të trurit gjatë natës, dhe rrjedhimisht, në përpunimin e kujtesës,” shpjegon Karim Jerbi, profesor i psikologjisë dhe anëtar i Institutit të Inteligjencës Artificiale të Kebekut. Studimi vë në dukje gjithashtu se këto efekte janë më të theksuara tek të rriturit e rinj (mosha 20–27 vjeç), krahasuar me të rriturit e moshës së mesme (41–58 vjeç). Kjo vihet re veçanërisht gjatë fazës REM të gjumit faza e ëndërrimit. Sipas studiuesve, kjo ndjeshmëri më e lartë te të rinjtë mund të lidhet me një dendësi më të madhe të receptorëve të adenozinës në tru, molekula që ndikojnë në ndjesinë e përgjumjes dhe që bllokohen nga kafeina.

“Ndërsa plakemi, numri i këtyre receptorëve bie. Kjo shpjegon pse shumë të rritur më të moshuar mund të pinë kafe në mbrëmje dhe të mos kenë vështirësi me gjumin”, shpjegon Julie Carrier, specialiste e gjumit dhe bashkautore e studimit. Megjithëse zbulimet janë domethënëse, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar plotësisht ndikimin e këtyre ndryshimeve në funksionin njohës dhe shëndetin afatgjatë të trurit.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm