Vendi duhet të përballet me problemin në rrugën e tij eurointegruese dhe jo ta shmangë atë, sugjeron profesori i studimeve politike Nenad Markoviq. Ai shton se vendimi për të ndarë Maqedoninë dhe Shqipërinë në këtë rrugë, ku vetëm kjo e fundit do të ecë përpara, e vendos vendin në status quo
“E para, duhet të ketë një periudhë qetësimi dhe përkohësisht ta ndërpresim komunikimin, të lejojmë që të dy palët të qetësohen dhe të ulemi të bisedojmë më racionalisht. Edhe nga ana jonë janë bërë kualifikime mjaft të rënda. Mendoj se këtë duhet ta lëmë kryekëput në dorë të ministrit të Punëve të Jashtme i cili është i aftë ta drejtojë atë. Nuk ka nevojë për deklarata nga persona të tjerë. Kryeministri, ministri i jashtëm dhe kuptohet edhe Presidentja janë përgjegjës kryesor”, tha Nenad Markoviq, profesor për studime politike.
Markoviq shton se askush nuk mund të garantojë se nuk do të ketë kërkesa të tjera nga Bullgaria në këtë proces.
Ndarja e të dy vendeve ishte e pritur për njohësen e politikës së jashtme të eurointegrimeve Ana Kërstinovska. Një zgjidhje e shpejtë, sipas saj, do të mund të kompensonte ngecjen.
“Sinqerisht mendoj se këtë nuk duhet ta shohim si fundin e botës dhe të lejojmë që të ndikojë në rritjen e euroskepticizmit sepse Shqipëria tek tani i fillon negociatat. E shohim se shtete të tjera që i kanë filluar negociatat shumë kohë më parë si Mali i Zi dhe Serbia, janë akoma larg për t’u bërë vende anëtare të BE-së. Kjo d.m.th. se nëse ekziston vullnet edhe në Sofje edhe në Shkup që të bëhen disa hapa urgjente për zgjidhje, të rivendosen marrëdhëniet e mira, të tejkalohen çështjet që pengojnë, ne mund ta kompensojmë këtë ngecje”, deklaroi Ana Kërstinovska, Estima.
Qëndrimet e dy ekspertëve u dhanë në eventin me temë “E ardhmja evropiane e rajonit dhe aktorët shtetëror të jashtëm” të organizuar nga “Konrad Adenauer”. Përfaqësuesi i kësaj organizate po ashtu nuk beson se BE-ja mund t’i japë ndonjë garanci vendit se s’do të ketë kërkesa të tjera në integrimin e tij.
“Procedurat evropiane janë mjaft të vështira prandaj në këtë moment unë nuk besoj se i gjithë procesi do të mund të përshtatet ose të ndryshohet aspak. Ajo që mund të arrihet, sipas meje, është që Maqedonia e Veriut të propozojë argumente në mënyrë bindëse që të gjithë vendet anëtare, duke lënë anash Bullgarinë, të kuptojnë këndvështrimin maqedonas dhe të mbështesin vendin në iniciativat e tij që të rregullohen disa aspekte në raport me historinë dhe gjuhën por nuk besoj që BE-ja do të mund të japë ndonjë dokument që të garantojë se nuk do të ketë kërkesa të tjera”, u shpreh Daniell Braun, Fondacioni “Konrad Adenauer”.
Një ditë pas vendimit të BE-së, deputetët bullgarë njëzëri me 178 vota “për” dhe pa diskutim miratuan një “Deklaratë në lidhje me rrënimin sistematik dhe metodik të dialogut ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe ndalimin e deklaratave provokuese dhe fyese ndaj Bullgarisë nga faktorët politikë në pushtet në RSM”. Në deklaratë, parlamenti bullgar konfirmon synimin dhe aspiratën politike për të përfunduar ndërtimin e Korridorit 8 nga pala bullgare dhe i bën thirrje qeverisë së Maqedonisë së Veriut t’u qaset me përgjegjësi dhe mirëbesim të gjitha angazhimeve të ndërmarra me synim ndërtimin në kohë të seksioneve nga traseja e korridorit në territorin e tij. Parlamenti bullgar insiston në kthimin e dialogut pozitiv, të ndërprerë nga Maqedonia, dhe ndalimin e fushatës antibullgare dhe deklaratave provokuese ndaj Sofjes. (Alsatm)