Kryetari i Tetovës më tej është shprehur se procesi i emërtimit të rrugëve nuk do të bëhet me imponim, duke shtuar se deklarata e Qeverisë është keqinterpretuar. Sipas tij, ky është një proces gjithpërfshirës, demokratik dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 28 janar – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë një takimi me gazetarë ka thënë se as Tetovën apo Maqedoninë e Veriut nuk e lidh asgjë me Kaukazin, duke ju referuar emrit të një rruge në Tetovë. Ai është shprehur se në Komision, krahas shqiptarëve dhe maqedonasve, është lënë hapësirë edhe për komunitetet tjera më të vogla që të propozojnë emra. Kasami është shprehur se ky proces duhet të reflektojë realitetin momental të Tetovës dhe orientimin për të ardhmen. Më tej, ai është shprehur se gjatë procesit, do të merren parasysh edhe kërkesa e banorëve të cilët do të propozojnë emra për rrugën e tyre.
“Unë e dhashë një emër konkret, nuk e di çka ka të përbashkët Tetova në Maqedoninë e Veriut me Kaukazin, nuk e di duam të jemi – në Çeçeni apo çfarë shteti tjetër. Prandaj, Maqedonia e Veriut është një shtet evropian dhe nëse duhet të kemi emërtim të ndonjë rajoni, ai rajon duhet të jetë evropian me të cilin duam ne të identifikohemi. Janë shumë përcaktime ideologjike të kohës, të cilët pa marrë parasysh se mund të jetë një emërtim maqedonas, por nuk ka të bëjë edhe me përcaktimin e komunitetit maqedonas në Tetovë me atë emërtim. Dhe unë besoj se vet anëtarët e Komisionit që janë maqedonas, do të kërkojnë t’i ndryshojnë”, deklaroi Kasami.
Kryetari i Tetovës më tej është shprehur se procesi i emërtimit të rrugëve nuk do të bëhet me imponim, duke shtuar se deklarata e Qeverisë është keqinterpretuar. Sipas tij, ky është një proces gjithpërfshirës, demokratik dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Tetovës.
“Është deformim i deklaratës së Qeverisë. Qeveria thotë se nuk do të ketë me imponim ndryshim të emrave të rrugëve. Në asnjë moment, Komuna e Tetovës nuk ka një imponim të ndryshimit të emrave të rrugëve. Prej fillimit flasim për një proces të emërimit të rrugëve duke i shfrytëzuar të gjitha mekanizmat demokratike dhe ligjore. Tetova nuk ka ndonjë vendim që është në kundërshtim me kërkesën e qytetarëve. Aty ku ka numra do të vihen emra, kurse për emrat ekzistues, vet Komisioni që është në përbërje prej partive politike që janë pjesë e Këshillit, do të vendos se a do të duhet të ndryshohet apo do të duhet të vazhdojnë të njëjtat emra ekzistues”, deklaroi Kasami.
Së fundmi, pothuajse të gjitha partitë maqedonase, qoftë pozitë dhe opozitë kanë reaguar me procesin e ndryshimit të emrave të rrugëve në Tetovë. Madje, ata haptazi kundërshtojnë që edhe rrugët që janë me numra – të mos mund të marrin emra që kanë të bëjnë me realitetin etnik në Tetovë. Madje, ata kërkojnë që edhe ndryshimet në Këshill të bëhet me Badenter, një kërkesë joreale pasi në Tetovë, maqedonasit sipas regjistrimit të fundit, janë rreth 17 për qind, kurse për Badenter duhet të jenë mbi 20 për qind. (koha.mk)