A është çështje mode e trendi, a çështje “vetëdijesimi” se emrat me kuptim shqip nuk janë sa duhet të denjë për vetëidentifikim, ndaj më të përshtatshëm janë ata të huaj?!
Nga Daut DAUTI
Një politikan i njohur shqiptar, i shtyrë nga halli (konflikti me liderin e partisë së tij), një kohë iku në Amerikë. Njërit djalë që i lindi atje, ia kishte vënë emrin Xhon! Paramendoni një Xhon me mbiemër mysliman! Nuk po flas nga paragjykimet, por nga këndvështrimi logjik i përshtatjes. Nëse logjika thotë se dy emra që i përkasin dy feve të ndryshme janë “inkompatibile”, atëherë Xhoni kishte një mbiemër të panatyrshëm(Selami) që nuk i shkonte me atë mbiemër, ndonëse shumë bukur përshtatej me mjedisin ku kish lindur. Prindërit e tij sigurisht kanë menduar që me atë emër do të integrohet më lehtë në shoqërinë amerikane. Tjetër çështje është nëse ky është qëllim i duhur nëse një politikan me vetëdije të lartë politike më tepër ka menduar ta bëjë djalin sa më parë amerikan, se sa shqiptar! Një shqiptar i vetëdijesuar, një personalitet si ky, logjikshëm në vend të Xhonit do t’ia kishte vënë djalit emrin Gjon, apo jo? Emri i babait të Skëndebeut.
Nëse Xhoni disi i shkon dikujt që lind në Amerikë, po në Shqipëri a nuk duket si egjër brenda grurit?
Xhona tash kemi më tepër se kurrë, edhe pse edhe më herët, disa emra që s’përputheshin kulturalisht, i kemi përvetësuar përmes ndikimeve nga historia, filmi, muzika, letërsia, arti: Alberta, Eduarda, Anita,…edhe atë në shoqërinë shqiptare të ish-Jugosllavisë, me dominim emrash myslimanë. E vërteta është se ata ishin të paktë në përqindje. Në anën tjetër, edhe emrat myslimanë që kanë depërtuar nga ndikimi kulturologjik i Perandorisë Osmane, janë një fenomen në vete, sepse më parë njerëzit me njohuri të mangëta linguistike, nuk e kanë ditur nëse janë emra arabë(“kuranorë”), apo fjalë kuptimore që dalin nga gjuha turke. Duke mos ua ditur mirë kuptimin, ndonjë emër me origjinë nga gjuha turke ka mundur ta ketë variantin e vet shqip: p.sh. në vend të Demirit,kemi mundur t’i pagëzojmë fëmijët me Hekuran. Por të veje ndonjë emër me kuptim shqip në një fazë të ulët të arsimimit, ka mundur të jetë herezi, se ke mundur “të dalësh” prej feje! Kështu kanë predikuar hoxhallarët me arsim të mangët fetar. E kam treguar një herë një rast,kur hoxha nuk e përmendi emrin e një të vdekuri duke ia kënduar tallkiningjatë varrimit, sepse ai kishte emrin “jomysliman”, Agim!!! Këtë e bëri në kundërshtim me shpjegimit e hoxhallarëve të ditur që thonë se emrat mund të vihen në çfarëdo gjuhe, nëse kanë kuptim të bukur.
Si rezultat i emancipimit të hovshëm(shkolla shqipe në të gjitha nivelet), intelegjencia e re shqiptare në ish-Jugosllavi arriti të ndryshojë vetëdijen e prindërve, të cilët gjithnjë e më shumë përqafonin emra kuptimorë dhe të bukur shqip. Hasanat e Hysenat ose Osmanat apo Shabanat, Gjylyshahet Gjylfidanet, e Silvishahet…, u zëvendësuan me Agima, Shpenda, Arsima, Manushaqe, Vjollca… Diçka më se e natyrshme.
Me rënien e komunizmit, në Shqipëri kemi disa tendenca më komplekse, sepse ateizmi i skajshëm si rezultat i ndalimit të feve, tash ka shpërthyer në shumë krahë. Njerëzit i janë kthyer fesë, por këtu sigurisht luajnë rol edhe martesat e përziera myslimane-krishtere, kështu që për të mos krijuar ndasi familjare, bashkëshortët e feve të ndryshme ndodh ta përqafojnë jo fenë e origjinës, por të bashkëshortit/es. I krishteri bëhet mysliman, myslimani bëhet i krishterë. Kjo ka ndikuar edhe në mënyrë të skajshme edhe te relativizimi i vetëidentifikimit përmes “politikës” familjare të pagëzimit të fëmijëve. Shembull interesant është Kristijan Asllani, futbollisti shqiptar që ka mbiemër “mysliman” që e ka trashëguar sigurisht nga babai, por që në fakt është mbiemër turk(kuptimi Luan) dhe habit publikun kur bën kryqin kur shënon gol për kombëtaren shqiptare të futbollit! Kristijani, Asllani dhe Kryqi, “tri në një”.
Trendi më i ri megjithatë e ka vërshuar më shumë Shqipërinë se Kosovën e Maqedoninë. Në një emision të ”Kurthit të Piter Panit” te Alketa Vejsiu, nga dhjetë fëmijë, 8 prej tyre nuk kishin emra shqip! Fëmijë shqiptarësh me emra italianë, gjermanë, anglezë, grekë, rusë…Nuk ka gjë të keqe, nëse gjuha dhe emri të mos jenë shenja vetidentifikimi, sikur të mos ishte shprehje e ndonjë inferioriteti, sikur emrat e huaj të ishin përjashtim nga rregulla.
Këtë praktikë “trendi”, më së miri e shohim te kjo listë emrash të futbollistëve të kombëtare shqiptare për mosha deri 17 vjeç: Alain Taho, Darius Zadeja, Ronaldo Nela, Samuele Sina, Davide Avdullari, Renato Halili, Fabiano Nuhaj, Eraldo Karaj, Mattias Huqi, Sanxhio Vogli, Gabrion Cani, Brayan Gjyla, Xheto Joi Nuredini, Kris Gecaj…etj. Në listën e kësaj kombëtareje, vetëm njëri kishte emër kuptimor shqip, Jetmir Laze, i cili kushedi sa ndihet inferior që s’e ka emrin të huaj si shokët e tij!!! Për hir të së vërtetës, kishte edhe disa emra shqiptarë të krishterë që natyrshëm iu shkojnë atyre që i përkasin kësaj feje, e të cilët nuk i përmenda.
Ndikimi i huaj, nuk shihet vetëm te vetë pagëzimi, por, siç shihet nga të përmendurit më sipër, ata janë shkruar në gjuhën origjinale të origjinës(Alain në vend Alan, Mattias, në vend se Matias…), me çka vijmë te problemi i trajtuar nga gjuhëtarët, që cenon rregullat drejtshkrimore. Sepse rregulla thotë se emrat e huaj duhet të shkruhen ashtu si shqiptohen shqip, ndërkaq me shkrimin e tyre në origjinal, e shkel këtë rregull dhe i fut emrat e këtyre shqiptarëve në rregullin (poashtu të gabuar) të mos shquarjes dhe mos lakimit të emrave të huaj! Nëse mund të shprehemi ashtu, kemi fenomenin e dyfishtë, atë të relativizimit të tipareve vetidentifikuese kombëtare, edhe atë shkeljes së rregullave drejtshkrimore. Për përdorimin e fjalëve të huaja, as të mos flasim.
Edhe shoqëria e hapur, edhe mendja e hapur, duken normale derisa gjërat nuk dalin jashtë binarëve normalë. Vërtet, kjo dilema nga titulli nuk është aq e kotë. Mos vallë shqiptarët kanë turp nga emrat me kuptim të bukur shqip?! Një fenomen sociokulturor që kërkon hulumtim të veçantë edhe shkencor multidisiplinar!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)