Prej orës 8:30 është hequr ndalesa për automjete të rënda transportuese në aksin rrugor Mavrovë – Hanet e Mavrovës, njoftoi Lidhja Automote e Maqedonisë.
Mbetet ndalesa për lëvizje të automjeteve të rënda transportuese në aksin rrugor Berovë Strumicë e cila vlen prej mbrëmë për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe druve të rënë në rrugë. Ekipi i ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë” gjatë ditës së djeshme punoi edhe në largimin e drurëve.
Në rrugët e tjera në shtet, sipas informacioneve të mëngjesit të Lidhjes Automote të Maqedonisë, komunikacioni zhvillohet në kushte dimërore nëpër rrugë kryesisht të lagështa.
Intensiteti i komunikacionit jashtë mjediseve urbane është mesatar, ndërsa në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.