Bosnja së bashku me Shqipërinë janë në fund të listës, me vetëm 0.1% të sipërfaqes për prodhimin organik. Më pas renditet Maqedonia dhe Serbia me 0.7%, Mali i Zi me 1.5% dhe Bullgaria me 2.2%. Kroacia renditet më mirë me 8.6%, si dhe Sllovenia me 10.7%, ndërsa Greqia është në vendin e parë me 17.6% dhe është e vetmja që mund të përmbushë objektivin e agjendës evropiane të ashtuquajtur tashmë “Marrëveshja e Gjelbër Evropian”
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 mars- Përderisa disa vende evropiane po i afrohen objektivit për 25 për qind tokë organike deri në vitin 2030, duket se ky është një mision i paarritshëm për shumicën e vendeve të Ballkanit. Bosnja dhe Hercegovina së bashku me Shqipërinë janë në fund të listës, me vetëm 0.1% të sipërfaqes për prodhimin organik. Më pas renditet Maqedonia dhe Serbia me 0.7%, Mali i Zi me 1.5% dhe Bullgaria me 2.2%. Kroacia renditet më mirë me 8.6%, si dhe Sllovenia me 10.7%, ndërsa Greqia është në vendin e parë me 17.6% dhe është e vetmja që mund të përmbushë objektivin e agjendës evropiane të ashtuquajtur tashmë “Marrëveshja e Gjelbër Evropian”. Përveç objektivit prej 25% të sipërfaqes me prodhim organik, “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane” parashikon gjithashtu një reduktim të përdorimit të pesticideve me të paktën 50% deri në të njëjtin vit, si dhe një reduktim 50% të përdorimit të antibiotikëve në prodhimin e kafshëve.
Dy synimet e fundit janë rikthimi i 10% të tokës që është shkatërruar në mënyra të ndryshme, ose më saktë, rivendosja e biodiversitetit të atyre zonave dhe qëllimi i fundit është optimizimi i përdorimit të plehrave minerale, d.m.th. një ulje prej 20%. Sipas të dhënave të FIBL – Instituti i Kërkimeve për Bujqësinë Organike, Austria është në masën prej 27%, dhe Italia është në 20%. Numri më i madh i hektarëve, në miliona, është në Spanjë, tre milionë, i ndjekur nga Franca me 2.8 dhe Italia me 2.5 milionë.
Zhvillimi i prodhimtarisë organik bujqësore në Ballkanin perëndimor ka më shumë probleme, thotë ekspertja Biljana Kuzmanovska. “Dobësi të zbuluara në sektorin organik në rajon janë se shumica e prodhimit organik synohet për eksport, tregu i brendshëm është i pazhvilluar, i paqëndrueshëm, përderisa kemi disponueshmëri të pabarabartë të produkteve organike. Njëherësh kemi edhe ndërgjegjësim të pamjaftueshëm të konsumatorëve për përfitimet e përdorimit të produkteve organike”, përmend Kuzmanovska. Për më tepër, problem më vete është edhe niveli i ulët i besimit në prodhimin organik, por edhe fuqia e dobët blerëse e konsumatorëve. Për përmirësimin e situatës ndër të tjerash sugjerohet edhe stimulimi i kërkesës dhe sigurimi i besimit të konsumatorëve në produkte organike nëpërmjet financimit të fushatave publike.
Sugjerohet edhe lehtësimi i tregtisë së produkteve organike në rajonet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet futjes së parimit të ekuivalencës në marrëveshjet tregtare përkatëse, promovimi i aktiviteteve edukative dhe informuese për prodhuesit organik….
Të dhënat e fundit statistikore tregojnë se në Maqedoninë së Veriut në vitin 2023, 888 prodhues janë marrë me prodhimtari bujqësore organike. Sipërfaqja e përgjithshme me prodhim bimor organik ishte 4215 hektarë, nga të cilat 1475 hektarë janë sipërfaqe të prodhimit organik në tranzicion. Peshën më të madhe e zënë kulturat e drithërave, me 51% (2158 hektarë) në sipërfaqen bujqësore të shfrytëzuar me prodhimtari organike. Krahasuar me vitin 2022, prodhimi organik i drithërave u ul me 5.6%, prodhimi bimor industrial u ul me 17.0%, prodhimi i bimëve foragjere u ul me 8.4%, prodhimi i perimeve u ul me 42.8%, prodhimi i frutave u rrit me 16.4%, dhe prodhimi organik i vreshtave u ul me 4.6%. Numri i përgjithshëm i gjedheve organike është 7528 krerë dhe përbën 5.1% të numrit të përgjithshëm të gjedheve. Pjesëmarrja e deleve organike në numrin e përgjithshëm të deleve është 20.5%, dhe dhitë organike në numrin e përgjithshëm të dhive janë 5.8%.
Prodhimi organik i mjaltit në vitin 2023 u rrit me 53.9% krahasuar me vitin 2022, dhe numri i kolonive të bletëve në të njëjtën periudhë u rrit me 16.5%.
Ekspertët besojnë se për prodhim të suksesshëm organik, ajo që na mungon më së shumti është koordinimi dhe edukimi i të rinjve, sepse fermerët duhet të kenë shumë njohuri dhe aftësi të mira, të cilat nuk mund t’i sigurojnë gjithmonë vetë. “Nuk është e lehtë të marrësh një produkt organik përfundimtar pa arsim paraprak dhe fermerët e rinj këtu nuk i kanë të gjitha informacionet. Procesi i konvertimit dhe certifikimit është i gjatë dhe frikësues për prodhuesit e ardhshëm organikë, prandaj ata duhet të kenë vazhdimisht akses në të dhënat më të fundit mbi teknologjitë e disponueshme, si dhe për biopreparatet që lejohen në këtë lloj prodhimi”, thonë ekspertët. Nga ana tjetër, analizat tregojnë edhe mangësitë dhe përparësitë e bujqësisë organike. “Anët e fuqishme të prodhimtarisë organike në Maqedoni janë rentabiliteti, biodiversiteti, pllenimi dhe rregullim i dëmtuesve, planet i shëndetshëm, njerëz të shëndetshëm, mbrojtja e tokës , zbutja dhe përshtatja ndaj ndryshimit të i klimës si dhe cilësia dhe siguria e produktit ushqimor. Anët e dobëta janë rendimenti, ekonomia ndëshkon diversitetin, deficite në standarde dhe rregullore, financimi i pamjaftueshëm dhe konkurrenca”, tregon analiza e ekspertes Daniela Dimovska nga Universiteti i Shtipit.
Sipas saj, disavantazhet e prodhimit organik janë rritja e angazhimit të fuqisë punëtore, mungesa e informacionit dhe njohurive profesionale. Bile në disa situata, shfaqet edhe rendiment i reduktuar së bashku me mungesën e materialeve hyrëse dhe pajisjeve mbrojtëse, farave dhe materiali fidanor, plehrave etj. Njëherësh problem është edhe infrastruktura e dobët dhe largësia nga tregjet kryesore të qytetit si dhe çmimi më i lartë i produkteve organike së bashku me fuqinë më të ulët blerëse të konsumatorëve. Si avantazhe të prodhimit organik, ajo thekson një bujqësi të qëndrueshme, përfitime për prodhuesit, zhvillimi i zonave rurale dhe reduktimi i tendencave negative demografike, dhe siguri më e madhe se produktet organike janë më cilësore dhe më të shëndetshme.
Ndryshe, në vitin 2023, tregu evropian i produkteve organike arriti në 54.7 miliardë euro, një rritje prej 3% krahasuar me vitin 2022 ose 66 euro për frymë. Rritja më e madhe për sa i përket zhvillimit të tregut organik është shënuar në Estoni, Holandë dhe Belgjikë, ndërsa produktet më organike janë blerë në Gjermani, 16.1 miliardë euro, e ndjekur nga Franca dhe Zvicra. (koha.mk)