Pushtetarët qendrorë e lokalë premtuan shumë, dhe s’përmbushën pothuajse asgjë!- -Keqardhje që Irene Papas ishte e sëmurë para vdekjes dhe nuk mund të fliste për partnerin e saj nga “Odiseu”- Paragjykimet fshehin të vërtetën se Bekimi ka qenë ai që në shenjë proteste ndaj nacionalizmit serb në moshën 51-vjeçare u tërhoq nga skena e këtushme dhe xhironte vetëm jashtë! Refuzoi pensionin kombëtar të Ministrisë së Kulturës së Serbisë! – Ishte më i madh se mjedisi prej nga lindi, por gjithkund ku luajti, e afirmoi popullin që i përkiste
Intervistoi: Daut DAUTI
Nga Tirana (Tiranë), Prizreni (tetor) e Prishtina (nëntor), ka nisur dhe ka vazhduar rrugëtimi i gjatë i Bekim Fehmiut përmes shiritit të filmit dokumentar të skenaristit Fahri Musliu dhe regjisorit Valmir Tertini, i cili në mënyrë të sublimuar na e kthen jetën dhe karrierën artistike të aktorit më të njohur dhe me famë botërore në ish-Jugosllavi. Duatrokitjet që po merr gjatë projeksioneve dhe fjalët në superlativë për filmin dhe për vetë Bekimin, janë njëra pjesë e medaljes, ajo e ndritshmja, sepse ka edhe anën tjetër, atë më të errët, atë të pengesave dhe peripecive në realizimin e filmit, për të cilat gjerë e gjatë ka rrëfyer gazetari i njohur i gazetës “Rilindja”, Fahri Musiu në këtë intervistë.
Fahri Musliu, si thotë vetë, e ka pasur ëndërr të kahershme këtë film dokumentar. Si bashkëvendas me Bekimin (të dytë nga Prizreni), është përpjekur që t’ia lajë një borxh moral që jo ai, po që ka Kosova ndaj tij, dhe me dy monografi na e ka sjellë portretin e aktorit dhe ka vazhduar përpjekjet për t’i bërë një shtëpi muze në Prizren. Ndonjëherë duket tejet kritik dhe i dëshpëruar që idetë e tij nuk hasin në mirëkuptim institucional, por dhe nga njëfarë anatemomi të figurës së Bekim Fehmiut. Në monografitë, filmin dhe në këtë intervistë, ai mëton të tregojë të kundërtën.
NGA NGAZËLLIMI AUTORIAL GJER TE INJORIMI I INSTITUCIONEVE!
KOHA: Filmi dokumentar për jetën dhe veprën e Bekim Fehmiut tashmë po promovohet gjithandej trojeve shqiptare. E dimë se keni pasur shumë peripeci, për çka dhe u zgjat shumë realizimi. Na flisni pak për këtë rrugë të vështirë për ta finalizuar?
MUSLIU: Ideja për realizimin e filmit dokumentar të metrazhit të gjatë kushtuar jetës dhe veprës së aktorit më të madh shqiptar të filmit, deri më tash, me famë botërore, ka lindur qysh më 2016 nga regjisori i ri Valmir Tertini, një bashkëvendës imi i lindur në Gjakovë, regjisor i shkolluar në Prishtinë e Tiranë ku edhe punon si profesor dhe xhiron filma kryesisht dokumentarë. Ai qysh atëherë gjatë disa takimeve në Prizren, më propozoi që të bëjmë një film për Bekimin. Dorën në zemër u habita se si, ky regjisor i ri, e preku nervin tim dhe e zgjoi dëshirën time të heshtur për realizimin e filmit kushtuar Bekimit, e cila zihej në shpirtin tim disa vite gjatë punës në monografinë “BEKIM FEHMIU- Odiseu i Kosovës”, botimi i parë botuar më 2015. Që në fillim e refuzova idenë për dy arsye, ndonëse brenda bëja një luftë me vetveten: e para – nuk kisha njohuri për punën në realizimin e filmit, e isha skeptik edhe sepse e dija se të bësh film për Bekimin është përgjegjësi e madhe, ngase filmi duhet të jetë i cilësisë së lartë profesionale se kemi të bëjmë me një figurë kolosale ndërkombëtare me karakter e kode të ashpra profesionale e njerëzore; e dyta – nga përvoja me disa nisma për Bekimin, e dija se problem tjetër do të jetë përkrahja financiare institucionale në Kosovë e Shqipëri pa të cilën nuk mund të realizohet një projekt i tillë me karakter kosovar, gjithëkombëtar e ndërkombëtar.
Mirëpo, insistimi dhe këmbëngulja e regjisorit Tertini ndikoi që, më në fund, në mars të vitit 2019, të pranoj ta shkruaj skenarin e filmit, kuptohet me disa sugjerime të regjisorit meqë ishte skenari i parë për mua dhe atë për film dokumentar i cili nuk ka narracion, sepse nuk kishin asnjë deklaratë apo intervistë të Bekimit nëpër televizione, përpos një interviste të vitit 2001 në TV B-92 të Beogradit.
I hyra punës për përgatitjen e skenarit të cilin e kreva brenda 20 dite dhe me një dozë droje për herë të parë në jetën time, ia dërgova regjisorit. Atij i kishte pëlqyer dhe përkthimin në anglisht ia dërguam edhe bashkëshortes së Bekimit, aktores Branka Petriq, e cila gjithashtu u shpreh pozitivisht. Atëherë, producenti nga Kosova konkurroi në konkursin e qershorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës për subvencionimin e filmave të këtij zhanri por, për habi, komisioni para të cilit edhe unë e arsyetova skenarin, na kish refuzuar edhe pse kishte subvencionuar katër filma të huaj me shuma nga 60.000 euro. Regjisori kërkon një producent tjetër nga Shqipëria, i cili ia doli të sigurojë një shumë modeste të financave nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë, dhe më 24 janar të vitit 2020 i nisëm xhirimet e para në Beograd me bashkëshorten e Bekimit, regjisorë, aktorë, kritikë filmi.
Vazhduam xhirimet në Sarajevë aty ku ka lindur dhe ka jetuar 3 vjet Bekimi me prindërit dhe ato pamje filmike të shtëpisë së tyre janë të parat që i prezantohen publikut. Tempin e xhirimeve e vazhduam në Zagreb, Prishtinë, Prizren dhe gati realizuam 2/3 e skenarit. Për shkak të pandemisë “Covid 19”, i ndërpremë xhirimet në Shqipëri, Itali, Francë dhe SHBA, siç parashikohej me skenarë. Njëkohësisht në qershor të vitit 2020, KQK sërish e refuzoi subvencionimin e filmit dhe na u desh të kërkojmë mjete nga burime tjera, por nuk hasnim në mirëkuptim, pos komunës së Prishtinës, Prizrenit dhe të Dragashit, që akorduan shuma modeste të tyre si dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Prishtinë dhe Beograd e disa persona privatë.
Xhirimet në Tiranë e Shkodër vazhduan më 2022 kurse në Itali në gjatë këtij viti dhe pas montazhit të materialit voluminoz të xhiruar, filmi prej 66 minutash u bë gati për premierën e madhe në Tiranë më 21 shtator, dhe e vazhdoI rrugëtimin e premierave në Prizren më 23 tetor dhe Prishtinë 16 nëntor. Fatkeqësisht nuk patëm fat që në film t’i kemi partneret e Bekimit në disa filma kult, si aktoren Irena Papas meqë ishte plotë 5 vjet e sëmurë dhe ndërroi jetë më 2022 dhe Klaudia Kardinalen dhe Kendis Bergenin. Menaxheri i kësaj të dytës na kërkoi një shumë të madhe të honorarit. Po të ishin këta emra të parashikuar me skenar, filmi do të fitonte një peshë më të madhe, veçmas me Irena Papasin.
Pra problemi kryesor ishin financat respektivisht injorimi apo bojkotimi që projektit ia bënë institucionet qendrore e lokale të pushtetit të Kosovës. Pas refuzimit nga QKK kam dërguar tri kërkesa në qeverinë e Kosovës dhe në Ministrinë e Kulturës, madje edhe kam pas po aq herë takime me kryeministrin dhe ministrin e kulturës, por nuk hasa në mirëkuptim. Kryeministri më thoshte se qeveria nuk ka të drejtë të marrë vendime të tilla por do të bisedojë me ministrin e kulturës. Mirëpo pikërisht qeveria, në mars të këtij viti, mori vendim (pa konkurse ftesë) që t’ia ndajë 70.000 Euro diplomatit amerikan Uiliam Uoker për përgatitjen dhe botimin e librit “Masakra e Reçakut”. Në rregull, është i nevojshëm ky botim, anise po pas 24 vitesh nga masakra në fjalë, por paksa i vonuar, sepse se pala serbe para shumë vitesh e ka botuar librin voluminoz dhe me shumë dokumente “Masakra e Reçakut” si dhe filmin dokumentar në dy vazhdime.
Kurse ministri më përgjigjej se duhet të konkurrojë në ftesën për subvencione edhe pse e dinte se jemi refuzuar dy herë. E që është më keq, kryeministri i Qeverisë Kurti 2, më 1 qershor të vitit 2021, në 85 vjetorin e lindjes Bekimin, tha se shteti do të kujdeset për ruajtjen dhe afirmimin e Bekimit si vlerë kombëtare. Nisur nga kjo, ministri i Kulturës kishte formuar një Grup të punës i cili kishte detyrë të përgatisë propozimet konkrete për projektet që kanë të bëjnë me ruajtjen, kultivimin dhe afirmimin e figurës dhe veprës së aktorit. Mirëpo propozimet konkrete të këtij Grupi, ku përfshihej edhe ribotimi i monografisë dhe botimi i saj në anglisht, si dhe financimi i filmit, mbetën vetëm në letër, sepse ministri as pas dy vitesh nuk i ka miratuar.
Ngjashëm ndodhi edhe me pushtetin lokal në Prizren ku me ndërhyrje të kryetarit të atëhershëm Mytaher Haskuka komisioni i shqyrtimit të aplikacioneve e refuzon kërkesën tonë në qershor të vitit 2020. Mirëpo në vjeshtën e atij viti, në ftesën e dytë, dhe me angazhim të drejtoreshës së atëhershme të kulturës, Emilija Rexhepi, akordohet një shumë modeste për filmin edhe përkundër kërkesës së kryetarit që të mos ndihmohet filmi me arsyetimin se “Fahriu shumë po e kritikon pushtetin”, edhe pse në shkurt të atij viti në takimin në zyrën e tij më siguroi se komuna do ta subvencionojë filmin. Hipokrizi.
Ngjashëm veproi edhe pushteti i ri në krye me kryetarin Shaqir Totaj edhe përkundër premtimeve të tij dhënë mua direkt dhe në fushatë elektorale se komuna do të kujdeset dhe do t’i ndihmojë projektet kushtuar Bekimit. Madje në takimin me kryetarin në mars të vitit 2022 ai kërkoi që me shkrim t’ia dërgoj propozimet për projektet por edhe për kulturën në përgjithësi në qytet. Por ndodhi njëjtë, se në qershor të vitit 2022 u refuzua kërkesa jonë me një arsyetim banal. Madje edhe më keq. Zoti Totaj, si anëtar i Bordit të Asociacionit të komunave të Kosovës e ka bllokuar kërkesën dërguar këtij forumi që komunat ta ndihmojnë filmin, duke nënvizuar “filmin do ta ndihmojë komuna e Prizrenit” për çka më njoftoj sekretari i Asociacionit dhe m’u lut të bisedoj me te. Shkova në takim ndonëse e dija se nga ky premtim i tij nuk ka asgjë dhe aty mora përgjigjen se “komuna nuk ka mundësi të ndihmojë, duhet konkurruar në ftesën për subvencione të drejtorisë së kulturës dhe unë mund të ndihmojë vetëm me 500 euro sa më takojnë me ligj…”!
NUK MUND T’I DALIM HAKUT BEKIMIT
KOHA: Ju i jeni përkushtuar shumë jetës dhe karrierës së Bekim Fehmiut, aktorit tonë të madh që i theu perden e hekurt të bllokut komunist dhe bëri një karrierë të shkëlqyeshme në botë. Para filmit dokumentar, keni shkruar edhe monografinë, e cila përjetoi dy botime(i dyti me plotësime). A mendoni se me monografitë dhe këtë dokumentar ia lajmë borxhin Bekimit?
MUSLIU: I jam përkushtuar Bekimit për disa arsye: së pari se fjala është për një vlerë të veçantë kombëtare e veçmas ndërkombëtare; aspekti profesional, ta njohësh një figurë të tillë e të mos shkruani për te do të ishte jo mëkat por krim; aspekti njerëzor, intelektual, miqësor e moral. Në fakt gjatë shoqërimit me Bekimin, gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, kur nuk kishte shumë angazhime, i pata propozuar të bëjmë një libër për jetën e tij në formë intervistash, por ai më tha “i kam përfunduar kujtimet e mia në dy vëllime qysh në gusht të vitit 1989 dhe s’kam tjetër çka të them”. Më tha se ishte në kërkim të titullit të librit edhe në serbisht edhe në shqip. Më tregoi se dorëshkrimin e librit të parë e ka shkruar në serbisht por njëkohësisht vetë edhe e ka bërë përkthimin në shqip dhe atë në të folurit të Prizrenit, sepse bën fjalë për fëmijërinë dhe rininë e tij, të cilën e ka kaluar në Prizren nga mosha 5 deri 20 vjet. Titullin e librit “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, e ka shkëputur nga një fjali e romanit të Albert Kamysë ku thotë “Jeta e çdo fëmije është e shkëlqyeshme dhe e tmerrshme.
Dhe, ja, ndodhi që megjithatë të shkruaj libër dhe atë monografi për Bekimin shumë shpejtë pas vdekjes së tij, të cilën e përjetova shumë rëndë. Qysh në ditët e para nisa të grumbulloj reagimet dhe shkrimet e ndryshme të mediave pas shuarjes së tij, dhe vendosa që ta përgatis monografinë. Diku në fund të gushtit u takova me bashkëshorten e Bekimit dhe ia kumtova vendimin dhe kërkova pëlqimin e saj, duke e lutur që të më ndihmojë e të më mundësojë shfrytëzimin e arkivit të aktorit. Por duket se ajo këtë vendim nuk e kishte marrë si punë serioze. Në fakt kjo ishte një punë që do të duhej ta bënin ekipet e institucioneve shtetërore, meqë edhe duheshin mjete materiale. Për fat, më 2011 kërkova takim me ministrin e atëhershëm të Kulturës Memli Krasniqin, i cili pati mirëkuptim dhe pa hezitim ma akordoi një shumë të hollash për ta grumbulluar materialin nëpër arkivat e mediave të shkruara dhe radiofonike të Beogradit, Zagrebit, Sarajevës, Prishtinës, Shkupit, Tiranës, Podgoricës dhe njëkohësisht të gjurmoj në internet dhe me ndihmën e miqve, arrita të shkrimet për Bekimin para dhe pas vdekjes në Itali, Francë, Gjermani, SHBA…
Pasi grumbullova material të mjaftueshëm në disa gjuhë, por më së shumti në serbokroatisht e shqip por edhe në italisht, anglisht e frëngjisht fillova sistemimin, përkthimin dhe përgatitjen e dorëshkrimit, për çka m’u deshën plot 4 vjet. Prapë lindi problemi me botimin, por falë biznismenit nga Tetova, Lazim Destanit, që akordoi një shumë të konsiderueshme, si dhe të disa ministrive dhe personalisht të kryeministrit Hashim Thaçi dhe të disa komunave të Kosovës, e rrumbullakova dhe e botova monografinë me emrin “BEKIM FEHMIU- Odiseu i Kosovës”. Me këtë rast nuk i respektova rregullat e punimit të monografisë për personalitete ku fillohet nga lindja, sepse unë shkova me piramidën mbrapsht dhe e nisa me vdekjen e Bekimit dhe reagimet pas saj. Kjo për shkakun se vdekja e tij ishte jo lajm i thjeshtë, por bombë shpërthyese, që u dëgjua në mbarë botën dhe ishte top-lajm i të gjitha mediave elektronike e të shkruara në mbarë rruzullin tokësor.
Mirëpo, e dija se me këtë monografi nuk mund t’ia lajm borxhin Bekimit veçmas Prizreni, të cilin e ka dashur aq shumë dhe për të cilin shkruan odë në librin e tij biografik të cilin gati në tërësi ai kushton qytetit me të gjitha të mirat e këqijat e tij. Bekimi meriton më shumë nga të gjithë ne, e veçmas nga Prizreni e Kosova, por edhe Maqedonia e Shqipëria, mirëpo pushtetet por as afaristët e shumtë, nuk po shfaqin interesim dhe kujdes, madje edhe po e injorojnë.
KOHA: Ata që e kanë lexuar monografinë, sigurisht kanë një pasqyrë për jetën dhe karrierën artistike të Bekimit dhe prej filmit dokumentar presin edhe diçka më tepër. Duke hulumtuar gjithandej, a na keni sjellë gjëra të reja të pathëna deri tash?
MUSLIU: Biografia paraqet një pasqyrë më të gjerë të figurës dhe veprës së Bekimit kurse filmi dokumentar brenda një kohe më të shkurtër e paraqet Bekimin në gjysmë total që nga fëmijëria deri në amshim dhe për te flasin bashkëshortja, i vëllai, shokët nga fëmijëria e rinia, studimet pastaj shumë aktorë, regjisorë, kritikë filmi, miq…nga Kosova, Serbia, Shqipëria, Kroacia. Italia, dhe të gjitha bisedat mbulohen me skena filmike të cilat nuk mund t’i shihni në libër. Kjo edhe është përparësia e filmave të cilët për disa minuta ta prezantojnë një jetë të tërë. Sigurisht se as ky film, që zgjat 66 minuta dhe është i përkthyer në katër gjuhë (shqip, serbisht, italisht e anglisht), nuk e paraqet në total jetën e Bekimit.
Mirëpo, duke qenë se kemi bukur shumë material të xhiruar planifikojmë, siç edhe e kemi paralajmëruar kur kemi filluar xhirimin e filmit, që të përgatitet një serial televiziv me 5, 6 episode dhe atëherë publiku do të njihet në hollësi me jetën e tije dhe si aktor i madh, njeri, intelektual, atdhetar meqë ky epitet është gati kryesori tek shqiptarët. Pra, në film gati nuk ka ose ka shumë pak të re e që nuk është përfshirë në monografi. Duhet të them se në panairin e sivjetshëm të librit në Tiranë është ekspozuar përmbledhja e shkurtër e biografisë së Bekimit në libërthin me mbi 60 faqe me ilustrime, të edicionit “MË QUAJNË – BEKIM FEHMIU”, që kryesisht u dedikohet filloristëve që të njihen me jetën e këtij aktori, i cili mund të jetë shembull dhe motivim për ta se si me punë, përkushtim, sakrificë, ndërgjegje e përgjegjësi mund të arrihet qëllimi i caktuar madje edhe në kushte shumë të vështira dhe konkurrencë të ashpër. Por libri do t’u shërbejë edhe më të moshuarve për t’u njohur shkurt me jetën e aktorit.
ASGJË NGA PARAGJYKIMET NUK ËSHTË E VËRTETË
KOHA: T’i kthehemi pak qasjes tuaj kritike ndaj qasjes institucionale ndaj figurës së Bekimi Fehmiut? Në çka bazohet kjo sipas jush? Në paragjykimet e tipit “ai ka qenë aktor jugosllav”, “ai ka qenë i martuar me serbe”, “ka jetuar në Beograd” etj., apo në një moskujdes dhe moskokëçarje që kaplon një shoqëri që nuk di t’i çmojë vlerat e veta?
MUSLIU: Për këtë qasje apo mosinteresim dhe injorim që ia bëjnë pushtetet qendrore e lokale Bekimit, mund të flas gjerë e gjatë e me shumë argumente, dhe për fat të keq, këto kritikat e mia po keqkuptohen e keqinterpretohen. Madje për shkak të tyre pushtetet edhe po më hakmerren jo vetëm mua, por edhe fëmijëve të mi, thua se Bekimi është baba, vëllai apo biri im. Nuk po e kuptoj se unë po e afirmoj një vlerë dhe pasuri të artë kombëtare të përmasave ndërkombëtare. Por problem është se ata nuk e dinë ose nuk duan ta dinë çka janë vlerat veçmas në film, teatër, art, letërsi, muzikë dhe në kulturë në përgjithësi. Nuk e kanë mësuar se kultura është identitet i një kombi, shteti, qyteti, mjedisi. E Bekimi është identitet shqiptar dhe i shtetit të Kosovës, identitet i qytetit të Prizrenit… Një mik imi thotë në një shkrim mbi Bekimin se “ka persona që i japin kulturës kombëtare, por ka të atillë që si pjesëtarë të një kombi i japin kulturës botërore që është me domethënie dhe vlerë shumë të madhe, se nëpërmjet të tij në botë e njohin edhe kulturën tonë kombëtare, e ky është Bekimi ynë”.
Po, rreth këtyre konstatimeve që i përmend në pyetje ka mosnjohuri e veçmas paragjykime që rezultojnë nga raportet aktuale shqiptaro- serbe, por të pranishme edhe më herët nga të ashtuquajturit “patriot kujdestar” të cilët me qëndrime e etiketime të tilla mundohen ta mbulojnë kompleksin e mungesës së identitetit personal dhe të paaftësive apo dështimeve të veta në jetë. Njerëzit kanë të drejtë të kritikojnë e mos-pajtohen, por jo të shpifin, etiketojnë, dezinformojnë e merren me thashetheme.
Bekimi ka qenë aktor shqiptar nga Kosova që është shkolluar në Beograd dhe ka luajtur në filmat e produksioneve të ndryshme serbe e jugosllave, por edhe botërore dhe këtë përkatësi gjithmonë e ka cekur. Ata që flasin ashtu as që i dinë qëndrimet, sjelljet e veprimet e Bekimit dhe këtu po ua rikujtoj disa nga ato që deri më sot nuk i ka thënë as bërë ndonjë shqiptar: “Atje ku shkel këmba ime atje është Shqipëri”; “Luis (Gilbert, regjizor), e din se të jam thellësisht falënderues. Ama, emrin që ma ka dhënë babai ka domethënie, jo vetëm për familjen tonë, veç edhe për historinë e popullit shqiptar. Nuk mund t’i tradhtoj prindërit e mi”.
Ose: “Kur për herë të parë erdha në Beograd nga Prizreni, njëra nga detyrat e mia ka qenë ta luftoj famën e cila akoma kishte mbetur nga e kaluara tek disa njerëz, se shqiptari mund të jetë vetëm ‘shqiptar’ hamall i qymyrit, pastrues, se as që mund të jetë edhe aktor akademik. Qëllimi im ka qenë që t’i tregoj botës se edhe një shqiptar i vogël mund të jetë njeri i mirë dhe punëtor i mirë. Pra kam pas qëllim ta bind dikë se mund të ecim ne përpara, të zhvillohemi dhe t’i japim kontribut shoqërisë, prandaj dihet se kontributin tim edhe po të dojë dikush nuk mund ta mohojë… Unë kam dëshirë që ashtu siç është krenuar me mua rinia kosovare, tash e tutje përgjithmonë të krenohem unë me rininë tonë, me punët e tyre”. Apo paraqitja e Bekimit me veshje të stilizuar kombëtare shqiptare në premierën e filmit “Aventuristët” në hotelin Pjerr dhe Plaza në Nju Jork, në mars të vitit 1970.
Bekimi, më 1987, pas reprizës së parë e braktisi shfaqjen “Madam Kollontajn” në Teatrin Jugosllav të Dramës në Beograd, ku luajti dy role në të njëjtën kohë – Leninin dhe Stalinin, në shenjë të protestës kundër veprimeve kriminale të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Me këtë vendim ai, në moshën 51 vjeçare, edhe e braktisi përfundimisht profesionin e aktrimit në hapësirën jugosllave, por vazhdojë të luaj në disa projekte italiane e tjera, dhe u tërhoq në heshtje me të cilën jetoj deri në amshim më 15 qershor 2010. Shtrohet pyetja, cili aktor shqiptar i kalibrit të tij do ta bënte një akt të tillë në këtë moshë?
Pak kush e dinë se Bekimi, më 2007, ka refuzuar pensionin kombëtar që e ndanë Ministria e Kulturës e Serbisë për personalitetet e njohura të kulturës, shkencës dhe sportit me një shumë bukur të lartë, krahas pensionit të rregullt. A më tregoni cili shqiptar do ta refuzonte një gjë të tillë?
Bekimi ka qenë i martuar me Branka Petriqin, dhe çfarë rëndësie ka kush me kë martohet, por edhe këtu ka një konfuzion, ajo nuk është serbe por prej babës kroat e nënës malazeze. Kurse Branka është mbështetja kryesore e afirmimit të Bekimit në botë. Ajo ishte si Penelopa e vërtetë e cila e priti Uliksin e vet plotë 20 vjet pas aventurave filmike nëpër botë që, krahas punës së vet prej aktoreje ia lindi, rriti dhe edukoi dy djem dhe u dëshmua si bashkëshorte, nënë dhe familjare shumë e përkushtuar, e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme.
NUK ËSHTË KREJTËSISHT E VËRTETË SE NUK KA LUAJTUR ROLE SHQIP
KOHA: Me gjithë mbrojtjen ose kujdesin personal ndaj figurës së Bekimit nga ana juaj, që ka sigurisht dhe motive personale për shkak miqësisë me të dhe origjinës nga Prizreni, ka një çështje që ka mbetur dilemë, të cilën edhe unë si autor u përpoqa të zbërthej dhe nuk di nëse në librin tim “Ai çast frymëzimi” ia kam dalë: si ndodhi që Bekimi të mos luante asnjë rol në gjuhën shqipe, përveç një replike te filmi “të arrish para agimit” ku luan rolin e një ilegali shqiptar, Esat Lumi? Sikur ka një ndjenjë faji që ai vetë e shpreh te Pallati i Kongreseve në Tiranë, kur e fton Vera Grabocka kur i drejtohet publikut me pyetjen “Pse më duartrokitni… Çka ka bërë Bekimi në gjuhën shqipe?” Ishte ndonjë kompleks, frikë, ishte mendjemadhësi nga ana e tij…Si ju duket juve ngaqë e keni njohur nga afër, cilat kanë qenë shkaqet që ai nuk luajti në gjuhën amtare asnjë rol dhe të gjithë përpjekjet mbetën në gjysmë rruge?
MUSLIU: Unë nuk e mbroj figurën e Bekimit se atë e mbron vepra e tij dhe këtu nuk ka kurrfarë dileme, pos për ata që nuk besojnë në fakte se janë mësuar me thashetheme e shpifje. Po jap një shpjegim më të gjatë jo për të arsyetuar mosangazhimin e Bekimit në filmat shqip, por për ta thënë të vërtetën e hidhur për ne dhe për aktorin. Së pari, Bekimi ka luajtur role shqiptare në film dhe në teatër. Në rini, si nxënës i gjimnazit luan në seksionin e dramës të SHKA “Agimi” në Prizren, kurse më 1955/56, kur u pranua si aktor profesional në Teatrit Krahinor të Prishtinës, Bekimi ka realizuar disa role në shqip me shumë sukses. Si student i akademisë, më 1959 ka luajtur rolin në shqip, në filmin dokumentar “Kosovski rudari” (“Minatorët e Kosovës”), pastaj rolin e shqiptarit në filmin “Nën qiellin e njëjtë” 1961 në produksion të Vardar-Filmit të Shkupit, dhe në atë “La Voce” (Zëri) 1982, rolin e Kolë Bojaxhiut (babai i Nënë Terezës) në produksionin italian – kroat.
Përballë kësaj, qëndron edhe e vërteta tjetër; të gjitha rolet e ofruara nga kineastët shqiptarë, ai i ka refuzuar ose ndërprerë, por jo pa arsye. Atij i është ofruar jo vetëm roli kryesor por edhe regjia në filmin ‘Kur pranvera vonohet’ në produksionin e Kosova Filmit më 1978. Ai i fillon përgatitjet për realizimin e filmit dhe pas shtatë muajve pune intensive i ndërpret për arsye profesionale. Sepse anëtarët e ekipit nuk kanë mundur ta përballojnë tempin e punës, perfeksionizmin, profesionalizmin dhe përgjegjësinë e tij.
Ngjashëm ka ndodhur edhe më rolin kryesor në damën “Hamleti” të Shekspirit, kur e pranon kërkesën e drejtorit të Teatrit Krahinor të Kosovës dhe pas disa provave, kur e zbulon se regjisori anglez i kësaj drame nuk është profesionist i vërtetë, Bekimi demonstrativisht e braktis shfaqjen. Kështu ndodh edhe me rolin në filmin “Njeriu prej dheut” të dy regjisorëve të rinj kosovarë, të cilin e pranon, por pas ndryshimit të përmbajtjes së skenarit rolin e refuzon. Fat të ngjashëm ka pasur edhe me një projekt të ngjashëm në Francë nga një regjisore shqiptare, e gjithashtu edhe me filmin “Kolonel bunker” të regjisorit Kujtim Çashku. Për të gjitha këto përpjekje Bekimi shkruan hollësisht në librin e tij të kujtimeve “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”.
Pra Bekimi e ka pas ëndërr të luaj të paktën një film artistik në shqip dhe kjo e ka mundur tërë jetën. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur pse ai ka pasur ndonjë kompleks, frikë apo mendjemadhësi. Në kohën kur Bekimi ishte në zenit të karrierës, kinematografia shqiptare ishte në fillim, ndaj, ofertat mund të mos kenë qenë nxitëse për te. Ai ka qenë krijues shumë sensitiv, me një natyrë prej uragani dhe perfeksionist në punë e me kërkesa të larta e rigoroze profesionale. Bekimi ka pranuar vetëm projektet në të cilat ka besuar, dhe për ato ka punuar më fanatizëm e përkushtim dhe prandaj edhe u bë yll pa emrin e të cilit nuk mund të shkruhet as historia e filmit shqiptar, serb jugosllav, ballkanik, evropian, botëror. Prandaj kritikat për këtë nuk qëndrojnë.
Prandaj, kritikët e tillë duhet ta dinë se mos luajtja i roleve në projektet shqiptare, Bekimin nuk e bën aktor joshqiptar, as nuk e ndan atë nga kultura jonë. Ai ishte shqiptar, më emër e mbiemër, më identitetin e tij publik, e artistik. Shumë aktorë të njohur botëror, të mos ua përmendi emrat, që luajnë në filmat amerikanë konsiderohen pjesë e kulturës dhe identitetit të tyre kombëtar. Pra, as Bekimi nuk mund të jetë përjashtim.
Pra, nëse arti do të vlerësohej vetëm sipas kritereve etnike, atëherë një Homer do të ishte më i pavlefshëm për botën kulturore shqiptare se sa një shqiptar mediokër. E dihet se një sistem kulturor pasurohet kur përthith vlerat e përbotshme kulturore, pavarësisht kush dhe ku i ka krijuar.
Dhe koha që po kalon po e dëshmon madhështinë e tij, sepse akoma asnjë aktor shqiptar as ballkanik, nuk ka arritur të realizoi në periudhën kohore të jetës së Bekimit, në numër as cilësi, opusin artistik të Bekimit. E duhet cekur se Bekimi ishte i pari dhe i vetmi aktor nga një vend komunist që e shpërtheu perden e hekurt të sistemit komunist dhe luajti për produksionet perëndimore duke filluar me Italinë e deri në Holivud. Pra, në kohën kur çdo aktor nga vendet lindor as që kishte guximin të bëjë një hap të tillë, sepse shikoheshin me skepticizëm dhe si bashkëpunëtor të sistemit komunist, nën këtë mjegull politike, Bekimi arriti të radhitët në ekran, përkrahë ikonave holivudiane të viteve 70- ta.
Siç dihet Bekimi u shkollua dhe u ngrit profesionalisht jashtë Prishtinës dhe Tiranës, të cilat atëherë nuk kishin fakultet të tillë, në Beograd, në kryeqytetin e “vuajtjeve shqiptare”. Aty ku shqiptarët i quajtën “sharrëxhinj”, “hamall të qymyrit”, “njerëz me bisht”, ku shqiptarët përherë ishin të përbuzur e nënçmuar. Por Bekimi dëshmoi se ne nuk ishim njerëz me bisht, por njerëz me njëqind shpirtra; as sharrëxhinj, por vetë sharra: ajo që hapë udhë edhe aty ku nuk ka. Ai u ngrit mbi urrejtjen e përbuzjen në një yll hollivudian dhe atëherë shqiptarët i bëri të ndihen krenarë dhe pjesë e botës së civilizuar edhe atje ku as njihnin shqiptarët e as Kosovën. U tregoi edhe armiqve të kulturës sonë se shqiptarët kanë talent dhe mund të ngrihen edhe mbi kulturën e tyre, madje se ne kemi kulturë edhe për kulturën e tyre. Dhe u bë idhull i tyre dhe yni. Pra ai, edhe në Beograd dhe kudo që jetoi, ndihej krenar si shqiptar, përkundër atyre që e ndërrojnë identitetin sapo të largohen nga katundet apo qytetet e tyre.
SI ISHTE TË JESH SHQIPTAR NË BEOGRAD?
KOHA: Na flisni pak edhe për relacionet private me të, dy shqiptarë nga Prizreni në Beograd, në vite të mira, e në vite më pak të bukura…? Një kohë ishit një “kallaballëk” më i madh atje, me Farukun e Enver Petrovcin, emra të shquar të filmit dhe teatrit, shumë politikanë shqiptarë nga Kosova…
MUSLIU: Me Bekimin jam takuar diku sefte në fund të viteve të 70-ta, disa herë gjatë të 80-tave përfshirë edhe takimin pas dramës “Madam Kollantajn” kur edhe e braktisi aktrimin në hapësirën jugosllave, por ato kanë qenë takime të shkurta. Atëherë më shpesh e kam takuar Farukun por edhe Enverin kur edhe i kam përcjellë shfaqjet në Teatrin “Atelje 212”, veçmas në shfaqjen hit të asaj kohe, “Prijatelji” (Miqtë) sipas romanit të Sllobodan Seleniqit, ku Enveri e luante rolin e Istrefit, një punëtori shqiptar dhe miqësisë së tij me pronarin e shtëpisë ku banonte ai.
Takimi tjerët me Bekimin që edhe ishte kthesë në takimet tona të ardhshme, ndodhi në mbledhjen e Këshillit nismëtar për themelimin e Shoqatës Kulturore Shqiptare në Beograd, më 21 prill 1990, në zyrën e korrespondenturës “Rilindja”, ku e ftuam për ta zgjedhur kryetar të shoqatës. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm: Unë, Bekim Fehmiu, Murat e Hadije Morina, Gani Morina, Bejtullah Destani, Jashar Ramadani, Mustafë Mustafa, Alida Berisha, Hysni Bytyçi. Pas një debati ku u miratuan parimet programore të veprimtarisë së shoqatës, Bekimi e përshëndeti këtë nismë dhe propozoi që ajo të quhet “Nëna Tereze”, por nuk pranoi detyrën e kryetarit për shkak të angazhimeve që kishte jashtë vendin në një projekt të madh filmik. Mirëpo, gjatë viteve të 90-ta, jemi takuar disa herë në restorantin “Stupica” në kuadër të Teatrit Jugosllav të Dramës dhe në Teatrin Zvezdara, ku ai kryesisht e kalonte kohën e lirë dhe ishte i rrethuar me kolegë, miq e studentë të aktrimit e të rinj të tjerë. Bisedonim për gjendjen e krijuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe veçmas për situatën në Kosovë pasi që Bekimi ishte shumë i informuar. Pati edhe disa takime me dr. Ibrahim Rugovën dhe figurat tjera politike kosovare, të cilëve ua shprehi gatishmërinë për t’i shfrytëzuar lidhjet e veta në SHBA për ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës dhe çështjes shqiptare, për çka edhe disa herë ka udhëtuar në SHBA.
Takimet më të shpeshta i kam pasur pas luftës në Kosovë, kur bisedonim për zhvillimet në Kosovë dhe pakënaqësitë tona, duke shprehur brengën se gjërat po shkojnë në drejtim të gabuar. Bisedonim mjaft për artin dhe letërsinë, sepse Bekimi lexonte çdo roman të ri në shqip të botuar në Prishtinë apo Tiranë, dhe ishte njohësi shumë i spikatur i epikës shqiptare. Bekimi atëherë më fliste mjaft për angazhimin e tij si piktor, me çka kalonte kohën dhe këtë e bënte gjithashtu me përkushtim të veçantë pasi që kishte lexuar shumë literaturë profesionale nga arti figurativ, dhe kryesisht punonte portrete dhe natyrë të vdekur. Takimi i fundit ka qenë diku në nëntor të vitit 2009, kur edhe vërejta një plakje të shpejtë të Bekimit, dhe kjo u përshpejtua veçmas pas vdekjes së të vëllait, Bashkimit. Për herë të fundit jemi dëgjuar me telefon diku në mars të vitit 2010, kur më tha shkurt “po shkoj në kontroll mjekësor, të telefonoj kur të kthehem”. Por kjo nuk ndodhi dhe nuk e dija se për çfarë sëmurje ishte fjala. Ditën e shuarjes mora vesh nga Branka se në prag të vitit të ri 2010, ka pasur goditje në tru, kur dhe e ka humbur bukur shumë shikimin. Ajo më tha se nuk ka mundur të durojë që dikush t’ia lexojë gazetën ose librin, apo të mos mund të vizatojë e të shkojë më në teatër ose të mos takohet me miq e shokë. Pra një gjendje e rëndë psikike e tij i cili nuk e ka duruar varësinë nga askush edhe pse mjekët e syve dhe psikologët punonin çdo ditë me te dhe parashikonin se çdo gjë do të kthehet shpejtë në normalitet.
BEKIMI NUK MUND TË JETË I HUAJ!
KOHA: Mund të nxirret një tezë se Bekimi edhe në Prishtinë (Kosovë), edhe në Beograd është trajtuar si “i huaj”…, edhe pse karriera e tij e dëshmon të kundërtën sa i përket Beogradit. Edhe pse në librin tënd mund të nxirret si konkluzion se në teatër i janë dhënë role dytësore, në filmin jugosllav, ku ka luajtur ai, roli kryesor ka qenë pothuajse përherë i rezervuar për të, bile para Bata Zhivojinoviqit kur ata kanë luajtur bashkë… Por, ndoshta nga afër gjërat janë dukur ndryshe?
MUSLIU: Sa kam unë njohuri Bekimi në Kosovë është trajtuar “si i huaj”, siç thoni ju, nga një pjesë e opinionit dhe ata që nuk kanë pas njohuri apo janë pronar të patriotizmit të rrejshëm, por më shumë nga pushtetet e të gjitha kohëve. Dhe kjo sipas vlerësimit tim ka ndodhur për shumë arsye, por kryesorja është xhelozia. Sepse siç më thoshte shpesh gazetari dhe shkrimtari i njohur Ramiz Kelmendi “shqiptarët (në ketë rast ata të Kosovës) të falin gjithçka, ama kurrsesi suksesin”. E suksesi i Bekimit dhe fama e tij në arenën ndërkombëtare për disa ka qenë halë në sy. Pra, shumë nga ata që e kanë quajtur “të huaj” nuk kanë mundur ta durojnë aftësinë e tij profesionale, njohuritë e tij enciklopedike, karakterin e tij të ashpër njerëzor, profesional e intelektual. Nuk kanë mundur t’i gëlltisin kritikat e tij, të hapura e të argumentuara ndaj pushtetarëve, krijuesve, intelektualëve për mos angazhim dhe mos-përgjegjësi për zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë dhe të Kosovës në përgjithësi. Dhe kjo mendësi për Bekimin si “i huaj” vazhdon edhe pas shuarjes së tij, sepse në praninë e tij janë ndier shumë të vegjël, inferiorë, me komplekse edhe profesionale edhe njerëzore edhe intelektuale.
Në Beograd ka qenë ndryshe: shumë kolegë aktorë, njerëz të kulturës e intelektualë e kanë xhelozuar Bekimin për aftësitë dhe sukseset e tij si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, mirëpo e kanë respektuar dhe vlerësuar tej mase. Atë e kanë çmuar regjisorët, sepse rolet që i ka luajtur ai në filmat e tyre janë bërë gati filma kult dhe shumë të shikuar e lavdëruar nga kritika e pamëshirshme filmike. Më së shumë e ka dashur, çmuar e adhuruar publiku në mbarë Serbinë, si edhe në pjesët tjera të ish-Jugosllavisë, jo vetëm për rolet në filma, por edhe për qëndrimet e sinqerta njerëzore, për edukatën e kulturën e tij. Sepse kudo që ka qëndruar dhe shoqëruar ka rrezatuar dhe përçuar dashuri, tolerancë dhe mirëkuptim mes njerëzve, pavarësisht përkatësisë etnike, rajonale e fetare, që dëshmojnë edhe dhimbja dhe reagimet me rastin e vdekjes së tij.
Është e vërtetë se Bekimi nuk ka pasur fat që në teatrot e Beogradit të luajë ndonjë rol kryesor, mirëpo është për habi se ai rolet kryesore të dramave përkatëse të autorëve më të njohur botëror i ka luajtur në shtëpi pa publik dhe gjithmonë ka qenë i gatshëm ta zëvendësojë çdo aktor në këto role. Por edhe rolet dytësore e madje edhe episodike i ka luajtur me fanatizëm të lartë profesional, për çka edhe Zhan Pol Satri, më 1961, pasi e sheh shfaqjen e dramës së tij në Beograd, “Duart e ndotura” (Të burgosurit nga Altana) ku Bekimi e luan rolin episodik të një polici, mahnitet me aktrimin e tij dhe pas darkës me drejtuesit e teatrit, me që Bekimi nuk ishte i pranishëm, e përshëndet me një fjali të shkruar frëngjisht në një pecetë ku e përgëzon për rolin. Pra edhe ai e ka dashur më shumë teatrin, si edhe shumë aktorë tjerë, por shpejtë u përcaktua për film, ku u bë aktor më i kërkuar në mbarë Jugosllavinë e pastaj edhe në skenën ndërkombëtare filmike. Dhe gjatë karrierës së tij jo të gjatë artistike realizoi 50 filma dhe seriale televizive, prej të cilëve rreth 20 në produksionet italiane ku vlerësohej, respektohej e adhurohej më shumë se çdo aktor tjetër italian.
KOHA: A ka diçka përtej asaj që ne e shikojmë ndoshta bardh e zi…në jetën e tij. Në rrëfimet e tij ka diçka nga ajo që ndoshta mund të shpjegojë shumëçka në fatin e tij jetësor. Psh., kur babai i tij, në mos gaboj, i ballafaquar me trajtimin si armik i popullit kërkon ndihmë nga një ministër serb? A mund të ketë ndikuar kjo edhe në jetën e mëtutjeshme të Bekimit, që të bëjë ndonjë përpjekje në drejtim të përafrimit me një popull që historikisht ka qenë i orientuar kundër interesave shqiptare, apo krejt kjo është rastësi?
MUSLIU: Jo, s’ka asgjë përtej asaj që edhe ai vetë i ka përmbledhur në librin e tij autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” me të cilin u dëshmua edhe në letërsi meqë këto kujtime konsiderohen si më të mirat që janë botuar në Beograd e Prishtinë dhe që ka shkruar dikush jo vetëm në hapësirën shqiptare e ballkanike por edhe atë ndërkombëtare. E sa i përket “ndihmës” nga një ministër serb, gjërat janë ndryshe dhe për këtë Bekimi shkruan në hollësi në kujtimet e veta. Pas burgut, babën e Bekimit për shkaqe shëndetësore e kanë dërguar të vuaj dënimin si i internuar në Mitrovicë të Kosovës, por në kushte të këqija. Ai e lut gruan e tij të shkojë në Beograd tek një zyrtar malazez në qeverinë e Serbisë, Mita Miljkoviq, që ta lusë dhe ta mundësojë transferimin e tij nga Mitrovica, dhe ai ndihmon që Ibrahim Fehmiu të transferohet në Beogradin e Ri, ku ishte qendër qëndrimi e banimi i brigadistëve vullnetarë nga mbarë Jugosllavia, të cilët punonin në ndërtimin e autostradës dhe të qytetit të studentëve, ku ai mbante orët e shkrim leximin për brigadistët analfabetë shqiptarë.
BALLAFAQIMI ME NACIONALIZMIN SERB DHE PROTESTA INTELEKTUALE
KOHA: Për Bekimin nuk ka qenë lehtë të “notojë” jetësisht në një Beograd ku ishte burimi i nacionalizmit dhe shovenizmit serb në vitet 80-të, e as në kohën e luftës së Kosovës…Përmendet një revoltë e tij ndaj gjithë kësaj situate, por kur të analizohet kjo, është si një Hamlet i cili e ka vështirë t’i zgjidhë dilemat, sepse ai Hamlet ka shkuar tepër larg në një situatë jetësore “as andej, as këndej”? A e keni ndjerë ju nga afër këtë siklet intim të aktorit të madh, pasi të njëjtat e situata është dashur ndoshta edhe ju t’i kaloni? A mund të thuhet se situata e tij familjare, ka bërë që të humbë një betejë “të kthimit”, siç e bënë Faruk Begolli apo Enver Petrovci, karriera e të cilëve po ashtu ishte e lidhur për Beogradin?
MUSLIU: Nuk e di sa ka qenë lehtë të “notojë” jetësisht në Beograd në atë kohë, sepse këto janë çështje shumë individuale. Për këtë nacionashovinizëm dhe kleronacionalizëm serb ne kemi biseduar gjer e gjatë dhe ai vitet e 80-ta i përshkruan edhe në librin e tij të kujtimeve. Nuk e kam vërejtur se tek ai ka ekzistuar dilema Hamletiane “të jesh apo të mos jesh”, sepse ai ka qenë njeri me kode të rrepta njerëzore dhe nuk do të lejonte të jetonte në këtë dilemë, meqë ai e ka konsideruar vetën se i takon edhe kësaj edhe asaj ane, pasi kurrë nuk i ka shkëputur lidhjet me Kosovën. Por ai e pati guximin që publikisht të demonstrojë mospajtimin e vet me politikën diskriminuese, shoviniste, hegjemoniste e të terrorit shtetëror në Kosovë ndaj shqiptarëve por edhe në Bosnjë e Kroaci, duke e braktisur skenat e teatrove të Beogradit e të artit të shtatë në Serbi e Jugosllavi dhe të tërhiqet në vetmi, në moshën më produktive prej aktori. Bekimi ka pasUR mundësi të zgjedhë ku të jetojë, jashtë Beogradit qoftë Kosova, Shqipëria, Italia, SHBA…Por ai vazhdoI të jetojë në Beograd dhe këtë pikë së pari e ka bërë shkaku i familjes, e jo karrierës, meqë nga viti 1987 karrierën filmike e vazhdoj me produksionet italiane por edhe amerikane në projektin e madh dhe më të shtrenjtë të filmit, “Xhingis Kan”.
KOHA: Ka edhe një gjë që duam t’ju pyesim. Gjatë kohë jeni përpjekur për një shtëpi muze në Prizren, çka u bë me të?
MUSLIU: Shtëpia muze nuk është bërë. Para disa vitesh kam kërkuar nga komuna të ndajnë një lokal për ekspozimin e fotografive, të shkrimeve për Bekimin, librave të tij e për te dhe të gjësendeve tjera. Pas tri vite pritjesh, në qershor të vitit 2021 nga Drejtoria e Kultures në Prizren, më njoftuan se kryetari i komunës, Haskuka, ka marrë vendim për të na dhënë një lokal në qendër të qytetit. Shkova në drejtori dhe personi përgjegjës ma kumtoi lajmin pa ndonjë vendim me shkrim, më tregoi cili lokal është, por më tha se nuk i ka çelësat. Deri në shtator heshtën dhe atëherë zyrtari kompetent më thirri, m’i dh çelësat dhe e vizituam lokalin. Edhe pse nuk i plotësonte nevojat tona dhe para tij gjendej parkingu që e pengonte hyrje-daljen pranova, por me kusht që të nënshkruajmë një memorandum për kushtet e shfrytëzimit dhe rregullimin e hapësirës. Ai më drejtoi tek drejtori i administratës si menaxhues i lokalit, me të cilin u takova dhe e njoftova se lokali kërkon rregullim adekuat. Më tha se do ta dërgojë një arkitekt për ta bërë vlerësimin. Pas u bë vlerësimi, drejtori në fjalë, i cili e kishte marrë raportin e arkitektit, më tha se do të më thërrasin për nënshkrimin e memorandumit. Ndërkohë sipër derës hyrëse të lokalit, për të qenë më bindës, e kishin vendosur mbishkrimin ART GALERIA BEKIM FEHMIU që ashtu qëndron edhe sot e kësaj dite.
Meqë ishin caktuar zgjedhjet lokale ata nuk ma ofruan memorandumin duke pritur se për ke do të votojë dhe lobojë, unë duke u nisur nga fakti se para katër vitesh më parë, bashkë me një mik timin i siguruam votat e fitores për VV-në dhe Haskukën, si kandidat për kryetar. Por unë u pata deklaruar dhe premtuar se do të bëjë çmos që Haskuka të humbë dhe për këtë shkak nuk ma dhanë kontratën e shfrytëzimit e bile as drejtori në fjalë, nuk përgjigjej në thirrjet dhe mesazhet e mia. Dhe çelësat janë tek unë . Në mars të vitit të viti 2022 e njoftova kryetarin e ri Totaj me këtë rast dhe kërkova ta zyrtarizojnë, por ai më tha se këtë mund ta bëjë vetëm Kuvendi i Komunës, e jo ai. Dhe kështu përfundoi kjo odiseadë me këtë lokal i cili do t’i printe hapjes së muzeut. Në anën tjetër, ekziston Fondacioni por ai funksionon në kushte të vështira dhe pa mjete të nevojshme, sepse as institucionet shtetërore as ato ndërkombëtare, nuk e panë të udhës të ofrojnë ndihmë financiare. Kështu që atë e mbaj vetëm me angazhimin tim dhe projektet e planifikuara nuk po mund t’i realizojmë.
NË PRISHTINË, PRITJE E ZBEHTË E DOKUMENTARIT!
KOHA: Në fund, t’i kthehemi filmit dokumentar. Sa jeni të kënaqur nga jehona që ka pasur gjatë shfaqjes në mjediset shqiptare?
MUSLIU: Së pari jam i lumtur, i gëzuar dhe i kënaqur që m’u plotësua dëshira për t’u realizuar një film dokumentar mbi jetën e Bekimit. Dhe që atë t’ia kthej publikut, jo vetëm atij shqiptar, por edhe atij të popujve tjerë jugosllavë, ballkanikë, evropianë e botërorë dhe atë në një formë tjetër Bekimin, që nga lindja në Sarajevë më 1 qershor 1936, deri në aktin e suicidit më 15 qershor 2010 në banesën e tij në Beograd. Që gjeneratat e vjetra ta kujtojnë kohën kur krenoheshin me emrin e Bekimit, i cili në majat e kinematografisë botërore e shkroi me germa të arta emrin e shqiptarëve dhe bëri që edhe ata të ndihen pjesë e civilizimit botëror. Që të rinjve t’ua prezantojmë një figurë me vlerë të veçantë që mund të jetë si shembull dhe motivim se si me punë, angazhim, sakrificë e përgjegjësi, arrihet qëllimi dhe suksesi edhe në kushte dhe konkurrencë shumë të ashpër.
Premierat e deritashme në Tiranë, Prizren e Prishtinë kanë qenë të nivelit të lartë, të vizituara nga njerëz të moshave të vjetra e të mesme, por jo edhe nga moshat e reja, apo kishte pak nga ata të cilët pas shfaqjes u habiten që deri më tash nuk kanë dëgjuar për këtë aktor kaq të njohur. Në të tri qytetet sallat kanë qenë plotë shikues, por për fat të keq në Prishtinë nuk pash ndonjë numër më të madh të aktorëve, regjisorëve, producentëve, studentëve të aktrimit e gazetarë!
Pra, filmi nuk u përcoll edhe me ndonjë publicitet çfarë do të duhej në media, përpos në ato elektronike e të shkruara të Tiranës. Kurse në Kosovë, si në Prizren ashtu edhe në Prishtinë, pati një lloji “bojkotimi” madje edhe nga mediumi publik – RTK siç e patën bojkotuar edhe botimin e përurimin e Monografisë “BEKIM FEHMIU-Odiseu i Kosovës” (botim I, II – 2015/21) që ka obligim ligjor t’i kultivojë dhe afirmojë figurat me vlera të larta kulturore dhe kjo është një fatkeqësi e madhe kur dihet se kultivohen e afirmohen me të madhe personalitete që nuk kanë gati asnjë vlerë. Këtu përjashtim bënë KTV dhe portali Koha, Klan Kosova…kurse portalet tjera kanë punë më të rëndësishme se punojnë për klikime me anë të shpifjeve, trillimeve, aferave, lajmeve bombastike…
Por kjo as nuk më bën shumë përshtypje e as që më brengos, le t’i shqetësojë e brengosë ata që kanë obligim t’i kultivojnë e afirmojnë vlerat kulturore dhe bartësit e tyre dhe të mendohen mirë se çfarë dëmi po i shkaktojnë kulturës dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi.
KOHA: Kur do ta shohim filmin edhe në Maqedoni?
MUSLIU: Filmi, pas premierës në tri qytetet që i përmenda, sipas planit do të vazhdon rrugëtimin me premierën e radhës në Beograd. Do të donim që premierat të mbahen edhe në qytetet tjera të Kosovës, të Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi por edhe Serbisë, Bosnjës, Kroacisë e Sllovenisë, por për fat të keq, na mungojnë mjetet financiare. Këto organizime do të duhej t’i bënin institucionet kulturore të qyteteve përkatëse, me çka publiku i gjer do të njihet nga afër me figurën dhe veprën e Bekimit. Ekziston plani që premiera të shfaqet në Romë e Nju Jork e disa qytete tjera në SHBA, për çka kanë shprehur dëshirën përfaqësues të diasporës shqiptare. Filmi rrugëtimin e vet do ta vazhdojë me pjesëmarrje në festivalet e ndryshme ndërkombëtare të filmave dokumentar të metrazhit të gjatë dhe shpresojmë se nuk do të mungojnë as çmimet e mirënjohjet. (koha.mk)