Ivan Babanovski, ish-oficeri i UDB-ës serbe dhe asaj maqedonase, tërë jetën e tij ka ëndërruar për “Serbi të Madhe”. Sot paska ribotuar dhe ripromovuar paçavurën me titull “UÇK, paraushtria terroriste në Maqedoni” (fillimisht, kjo paçavurë e tij ishte publikuar në 2002, kur Babanovski ishte oficer i lartë i shërbimit sekret ushtarak në Shkup).
I lindur në Kumanovë, ky fashist antishqiptar ka qenë pjesë e të gjitha montimeve policore-politike kundër shqiptarëve duke nisur nga arrestimet e profesorëve shqiptarë në vitet e ’90-ta, mbylljen e paraleleve shqipe, “mina në Sopot” e deri në rastet “bombat në Kumanovë”.
Nxënësi i tij, i njëjtë për nga mentaliteti fashist dhe antishqiptar, Vladimir Pivovarov, ka qenë folës në promovimin e librit. Pivovarovi, oficer i lartë i UDB-ës dhe DBK-së, ka qenë zyrtar politik në secilën Qeveri të LSDM-së. Deri para 4 muajve, ishte Koordinator nacional i të gjitha institucioneve që merren me menaxhimin e kufijve të Maqedonisë.
Thënë shkurt, kontrollonte dhe njëkohësisht e zhvillonte tregtinë e paligjshme në secilin kufij të vendit.
Njëjtë sikurse Pivovarovi, edhe Maksim Dimitrievski e ka “idol shpirtëror” spiunin e UDB-ës, Ivan Babanovski (njihen dhe familjarisht, pasi Babanovski dhe babai i Maksit ishin miq të afërt).
Jo vetëm Maksimi dhe Pivovarovi janë “nxënësit” e fashistit Babanovski, por në Kumanovë ka qindra (besa dhe mijëra) maqedonas që janë pjesë e sistemit shtetëror të Maqedonisë, por që duan një “Serbi të Madhe” pa asnjë shqiptarë në Maqedoni.
Pivovarovi e dëshmoi këtë kur ishte Shef i shefave të kufijve, ndërsa Maksimi tash kur ka pushtet edhe jashtë Kumanovës.
Maksimin dikur e mbështetën shqiptarët e BDI-së, sot po mbështetet nga shqiptarët e VLEN-it. Do të mbështetet edhe në të ardhmen, sigurisht! Sepse dobësia jonë është “harresa”, ndërsa e Babanovskit dhe nxënësit të tij është – hakmarrja!
P.S. Derisa ishte pjesë e shërbimeve sekrete, Babanovski ishte profesor në Fakultetin shtetëror të Sigurisë në Shkup. Po në këtë Fakultet ligjëron edhe nxënësi tjetër i Babanovskit, kumanovari Marjan Nikollovski, njëri nga truri i montimit të Rastit të Sopotit dhe pjesë e shërbimit sekret të Maqedonisë. Profesor në këtë Fakultet do bëhet edhe Pivovarovi, dhe një ditë tjetër, pak para pensionimit, edhe Maksimi. Shteti kujdeset për këta fashistë, ndërsa partitë tona – herë njëra e herë tjetra, do të jenë partnerë të besueshëm të tyre!