Shkup, 29 dhjetor – FC Shkupi ka marrë një goditje nga Shtëpia e Futbollit Botëror, FIFA, e cila ka bllokuar skuadrën nga Çairi, duke e penguar atë të transferojë lojtarë të rinj nga vendi dhe jashtë tij gjatë tri merkatove të ardhshme.
Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë reaguar përmes faqes zyrtare të klubit, duke deklaruar se drejtuesit e rinj kanë marrë përsipër çdo borxh të klubit dhe se shumë shpejt do të mund të realizojnë transferime, madje edhe në merkaton e janarit.
“Lidhur me lajmet e fundit që qarkullojnë nëpër media, e që kanë të bëjnë me bllokimin e merkatos së FC Shkupit, njoftojmë opinionin sportiv, e në veçanti tifozët tanë se shumë shpejtë gjithçka do të rregullohet nga ana e pronarëve të rinj.
Vetë Presidenti Yasin Konyali ka marrë përsipër për të shlyer të gjitha borxhet që na kanë mbetur si pasojë e çështjeve proceduriale për kalimin e klubit në pronësi të Drejtuesve të rinj.
Siç dihet transferimi i dokumentacionit kërkon kohë, ndërsa të njëjtat tashmë janë në procedurë e sipër dhe se brenda javës që vjen edhe ky problem do të zgjidhet.
Kjo nënkupton se FC Shkupi nuk do të ketë aspak probleme në merkaton e janarit, që e presim me padurim”, thuhet në njoftimin e FC Shkupit.