E premte, 21 Mars, 2025
5.8 C
Skopje

Festa në verë, paratë n’mot

 

Evis HALILI

Shkup, 4 nëntor – Jo të gjitha manifestimet dhe projektet në kulturore që kanë arritur të hyjnë në Programin nacional të kulturës të 2016, janë likuiduar financiarisht nga ky institucion. Jo vetëm që kësti i parë është marrë vonë për një pjesë, pasi ka përfunduar aktiviteti, por grupi i dytë i të hollave pritet që të ndahet vitin e ardhshëm. Gjatë dy muajve të fundit në listë është një grup i vogël që do të arrijnë të marrin paratë e mbetura, ndërsa detyrimet financiare të mbetura për pjesën më të madhe të projekteve të 2016, do të ndahen vitin e ardhshëm. Kështu përgjigjen në Ministrinë e Kulturës, lidhur me ankesat e shumë subjekteve për vonesat në pagimin e të hollave të akorduara. Zgjatja e afatit, që po kthehet në një praktikë të viteve të fundit, ka penguar funksionimin normal të manifestimeve apo ka pasur edhe raste të reduktimit të pikave të projektit. Për shembull, Festivali “Këngë Jeho” që mbahet në muajin gusht i ka marrë të hollat, pjesën e parë të buxhetit vetëm pak ditë më parë, ose gati dy muaj pas përfundimit të manifestimit. “Ministria e Kulturës nuk e ka respektuar kontratën me ne. Ato të holla që duhej t’i merrnim të paktën disa javë përpara manifestimit, ne i morëm tani, kur festivali ka përfunduar. Po ashtu edhe pjesën e dytë, që kushedi se kur do ta marrim. Edhe pse nuk është se marrim ndonjë shumë të madhe, por shumë simbolike, as atë s’e marrim në kohën e duhur. Si mund të kemi pretendime për cilësinë e manifestimit?”, thotë Dilaver Lloga, drejtor i Festivalit “Këngë Jeho”. Vonesat po ashtu janë problem më vete edhe për Festivalin e Teatrove të Dibrës. Nëse nuk i bombardojmë me letra, sigurisht që vonohen, thotë drejtori Ylber Nuredini. “Në fakt po s’i mora s’kam asnjë lloj mundësie ta nis festivalin. Ato të paktën duhet t’i marrim një muaj, ose më përpara se të fillojë manifestimi, por i marrin në minutat e fundit. Gjatë kësaj periudhe duhet t’i bombardosh me kërkesa, ndryshe mezi i merr”, pohon Nuredini. Sipas tij, në këto kushte as që bëhet fjalë për të institucionalizuar manifestimin, për të rritur buxhetin, që nuk i kalon 500 mijë denarët. Treçereku i fondit të akorduar për çdo projekt sipas kontratës që nënshkruhet me Ministrinë e Kulturës, duhet të ndahet përpara nisjes së projektit, ndërsa pjesa tjetër e mbetur jepet pasi është dorëzuar raporti i specifikuar për realizimin e projektit. “Vetëm në rastet kur nuk është bërë kërkesa për fillimin e projektit mund të ndodhë që të mos i lëshojmë të hollat në xhirollogaritë përkatëse. Ndërsa lidhur me vonesat, ato nuk varen nga ne, por sesi i lëshon Ministria e Financave”, thotë zëdhënësja Anita Jovanovska. Ministria e Kulturës çdo vit mbështet financiarisht realizmin e projekteve në të gjithë sektorët e kulturës, përveç shumave fillestare që i akordon çdo institucioni, shoqate, apo subjekti tjetër konkurrues, mund të shtojë ose të reduktojë të holla, duke rritur kështu koston e përgjithshme financiare të Programit vjetor. Madje, likuidimi i pjesëve të mbetura të të hollave bëhet duke marrë nga buxheti që miratohet për vitin pasardhës. Trashëgimi i borxheve nga një vit në tjetrin, si pasojë e ekzagjerimeve të buxhetit me projekte të kushtueshme, është shkaktari kryesor që vonesat në pagimin qoftë edhe të shumave të vogla të kthehen në problem të vërtetë për këtë institucion. Shpenzimet më të mëdha janë bërë në teatër, film, trashëgimi e muzikë.

 

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm